Super-Ditari i Albania-sport.com. Viti 2008 - Maji“Albania-sport.com” paraqet për lexuesit e saj një “Super-Ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite me

“Albania-sport.com” paraqet për lexuesit e saj një “Super-Ditar” special me të gjitha ngjarjet futbollistike të vitit 2008. Një kronikë e hollësishme e asaj që ka ndodhur ditë pas dite me Kombëtaren, legjionarët, merkaton e të gjitha detajet e jetës sportive futbollistike.
MAJ 2008
02.05.2008
KOMBËTARJA - Trajneri i Kombëtares shqiptare, holandzi Ari Han shpalli listën prej 22 lojtarësh, të cilët janë grumbulluar për miqësoren me Poloninë, të programuar për tu zhvilluar më 27 maj 2008, në Reutlingen të Gjermanisë. Lojtarët do të zhvillojnë një zbor stërvitor në datat 20-28 maj në Gjermani. Ky është edhe grumbullimi i dytë i organizuar nga ish-trajneri i Kinës, pavarësisht se ai i pari në Antalia të Turqisë kishte më shumë nuancat e Kombëtares B. Me Poloninë ndeshjen e fundit miqësore e kemi zhvilluar, tre vjet më parë, kur Shqipëria atëherë në drejtimin e Brigelit humbi 1-0 në Szechin.
HALIMI - Ndërsa Tirana e drejtuar nga Agustin Kola fitoi për herë të tretë kampionatin e minifutbollit në Shqipëri, në Itali të paktën kemi një kampion shqiptar në futbollin në sallë. Alter Ego Luparense ku militon edhe durrsaku Roald Halimi u shpall për të tretin vit kampion rresht dhe për herë të nëntë në historinë e saj.
03.05.2008
BOGDANI - Në ditët e fundit në median italiane është folur për një interesim të mundshëm të Salernitanës për Erion Boganit, sulmuesit shqiptar në forcë me Livornon, por në pronësi të Kievos. Tuttomercatoëeb.it, një nga faqet e specializuara në Itali për lëvizjet e lojtarëve, kontaktoi agjentin e lojtarit, menaxherin e FIFA-s, Sokol Haxhia, i cili mohoi në mënyrë kategorike për interesimin e Salernitanës, klubit të Sericë C italiane.
HASI - Klubi më i rëndësishëm belg, RSC Anderleht bëri të ditur në faqen e tij zyrtare se kishte arritur në parim një marrëveshje me Besnik Hasin. Kosovari, ish-lojtar i njohur i Kombëtares shqiptare, do të luajë rolin e zëvendëstrajnerit të Anderlehtit duke filluar nga sezoni tjetër, ndërkohë që zyrtarisht kontrata pritet të firmoset në fund të sezonit aktual.
CANA- Sa më shumë shtohen zërat për një transferim të mundshëm të Lorik Canës në një prej klubeve më të mëdha në planet, Reali i Madridit, aq herë kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, përbetohet për besnikëri të përjetshme ndaj klubit francez. Cana betohet: “Nuk largohem nga Marseja”.
04.05.2008
Java 30: Tirana-Dinamo 1-2. Besa-Partizani 0-1. Fitore të kryesueseve në transfertë. Të paralajmëruara nga media: të dyja “2”. Sërish dy pikë diferencë midis dy rivalëve të mëdha, kur kanë mbetur edhe tri javë nga përfundimi i sezonit. Tashmë nuk ka asnjë dyshim se enigma do të zgjidhet në javën e 33-të. Rezultatet: Tirana-Dinamo 1-2, Besa-Partizani 0-1, Vllaznia-Skënderbeu 2-1, Elbasani-Besëlidhja 3-0, Shkumbini-Teuta 3-0, Flamurtari-Kastrioti 1-0. Rendtija e tre të parave: 1. Dinamo 61,
2. Partizani 59, 3. Besa 50.
KAPLLANI – Duket se pikërisht tani kur po i vjen fundi kampionatit gjerman, Edmond Kapllani ka vendosur që të “ndezë turbinat”. Sulmuesi i kombëtares shqiptare që është ftuar edhe për ndeshjen miqësore me Poloninë ka shënuar edhe golin e tij të dytë në Bundesliga në ndeshjen që skuadra e Karlsruhe e ka humbur me rezultatin 3-1 nga Herta Berlin.
RRUSTEMI- 25-vjeçari Rrustemi shënoi në minutën e 44-t (1-1), por e festoi edhe golin e parë sezonal me një karton të kuq në të 87’, tri minuta para se vendasit të barazonin rezultatin me anë të Bendovskit (90’).
KASTRATI- Ish-sulmuesi i Kombëtares, Bekim Kastrati realizoi një nga katër golat e Fortuna Dusedorf në fitoren 4-0 me amatorët e Borusia Dortmundit në Ligën Rajonale të Veriut.
CURRI- Sulmuesi kavajas i Erzbegirge Aue, Skerdilajd Curri shënoi një nga dy golat e ekipit të tij në humbjen 4-2 me St. Paulin në ndeshjen e vlefshme për javën 31 të Bundesliga 2.
06.05.2008
CANA - Lorik Cana ishte i vetmi lojtar i Olimpikut të Marsejës, i cili pranoi të fliste për mediat franceze pas humbjes në shtëpi me Bordonë (1-2). “Humbëm një ndeshje të rëndësishme në optikën e Ligës së Kampioneve, por do të vazhdojmë të luajmë deri në fund”, - tha Cana për gazetën e njohur sportive “L’Equipe”.
07.05.2008
KUPA - Tirana në finalen e 20-të. Vllaznia në të 12-n. 18 kupa së bashku: Tirana 13-herë fituese e Kupës, Vllaznia 5-herë. Tirana 6 finale të humbura, Vllaznia 7. Katër finale të luajtura midis tyre: të gjitha të fituara nga bardheblutë. Shifra që flasin për dominim e klubit kryeqytetas. Por, gjithsesi, Vllaznia është e bindur se në Elbasan, atje ku do të luhet edhe finalja e edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë, do të fitojë ajo. Pas refuzimit nga ana e gjyqtarit çek Ljubos Mishel, do të gjykojë gjermani Babat Rafati
LALA - “Ne kemi nevojë për më shumë Lala”. Deklarata vjen pikërisht nga trajneri i Hanoverit, Diter Heking dhe e publikuar në versionin online të gazetës më popullore gjermane “Bild”. Heking dëshiron të ketë më shumë lojtarë si shqiptari në mesfushë, atje ku nisin bllokohen kundërshtarët. “Ashtu si luan Altini, fiton respekt. Nëse ne duam të shkojmë më tej, ne kemi nevojë në të ardhmen për më shumë tipa si ai”.
08.05.2008
KUPA - Vllaznia-Tirana 2-0. Trofeu i 56-të i Kupës së Shqipërisë i takon Vllaznisë, që e fiton atë pas 21 vjetësh për herë të gjashtë në historinë e klubit më të vjetër në Shqipëri. Pa golashënuesin më të mirë të kampionatit, Vioresin Sinani, por me dy yje të rinj të futbollit shqiptar Gilman Lika dhe Xhevair Sukaj, Vllaznia ia doli me meritë të fitonte pjesën e parë me rezultatin 2-0 dhe krejt 90 minutave, por dhe të gjitha dueleve me bardheblutë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ish-presidentit i Tiranës, ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij në tribunë VIP në “Ruzhdi Bizhuta”, por kurrsesi nuk e kishte menduar se do t’ia dorëzonte trofeun Vllaznisë, e jo bardhebluve. Kryetarja e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, Jozefina Topalli priti skuadrën shkodranë në ambientet e Kuvendit. Statistikat e Vllaznisë në Kupë: Në nëntë ndeshje të luajtura nga turi i parë, skuadra shkodrane fitoi 7 takime dhe barazoi 2, me golaverazhin e përgjithshëm 26-6. Rruga e skuadrës shkodrane drejt finales nisi me eliminimin në turin e parë të Naftëtarit (3-2, 6-1), në turin e dytë të Besëlidhjes (1-0, 0-0), Besës në turin çerekfinal (2-2, 5-1) dhe Dinamos në gjysmëfinale (4-0, 3-0). Në finalen e luajtur në Elbasan, Vllaznia fitoi bindshëm 2-0 me gola të Gilman Likës dhe Xhevair Sukajt.
HAXHI - Altin Haxhi është lojtari i thirrur nga trajneri i Kombëtares, Ari Han, në vend të Ansi Agollit. Ish-mesfushori i Tiranës lajmëroi FSHF-në se klubi i tij finlandez, Vaasan, nuk e lejonte për të qenë pjesë e grumbullimi të përfaqësueses në Reutlingen të Gjermanisë dhe miqësoren me Poloninë, më 27 maj.
AKSIDENTI - Katër lojtarë të Kastriotit: Elton Grami, i cili luante edhe rolin e shoferit, Erion Rizvanolli, Erald Turdiu dhe nigeriani Xhejms Osusi kanë parë vdekjen me sy. Futbollistët ishin duke shkuar për të kryer stërvitjen e paradites, por Gramit i doli makina jashtë kontrollit duke kryer një aksident spektakolar në Tapizë.
LIKA - Dy futbollistët e Vllaznisë, Gilman Lika dhe Xhevair Sukaj, do të vëzhgohen gjatë finales së Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Tirana, nga një emisar i posaçëm i Realit të Madridit dhe i dërguar special i drejtorit sportiv të kampiones së Spanjës, Pedrag Mijatoviç.
MUZAKA - Futbollisti i Partizanit, Gjergji Muzaka, autor i 9 golave gjatë këtij sezoni, është duke kryer një test me skuadrën franceze të kategorisë së dytë, Nantë. Mesfushori sulmues, i cili më parë është provuar edhe te Ajaksi i Amsterdamit, ka qenë më parë pjesë e Akademisë së Paris Sën Zhermenit, përpara se të nënshkruante kontratën me Partizanin në moshën 17-vjeçare.
KERI - Shqiptari Florenc Keri, - 14 gola me Veria U-19 në Superligën greke - është blerë nga gjigantët gjermanë të Bajernit të Munihut, edhe pse 17-vjeçari kërkohej edhe nga tekniku i Arsenalit, Arsen Venger, i njohur për aftësinë e tij për të rekrutuar lojtarë të rinj e të talentuar. Keri nënshkroi një kontratë katërvjeçare me Bajernin e Munihut dhe do të përfitojë 245 mijë euro.
09.05.2008
TIRANA - Furtuna te 20-herë finalistja e Kupës së Shqipërisë, Tirana, që dështoi në finalen e edicionit të 56-të trofeut të dytë më të rëndësishëm në vend me Vllazninë, nuk ndalet vetëm me përjashtimin e tre lojtarëve titullarë: Ervis Sina, Klodian Duro e Endri Vrapi, por ndaj futbollistëve do të funksionojnë edhe masat ndëshkimore të karakterit financiar.
CANA- Edhe pse përkohësisht Olimpiku i Marsejës e ka humbur vendin e tretë në javën e fundit, kapiteni shqiptar Lorik Cana beson se ekipi i tij i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve për sezonin e ardhshëm. “Ne do t’i luajmë kartat tona deri në fund. Vendi i tretë është i vështirë, por jo i pamundur”.
10.05.2008
Indrit Fortuzi var “këpucët në gozhdë”, topi i fundit shkelmohet kundër Teutës. Fortuzi: “Me vjen keq që u largova pa trofe”.
E ardhmja e “Zogut” që veshi fanellën e pesë klubeve me kostumin e trajnerit. Pas 18 vjetësh futboll të luajtur në nivel të lartë, duke filluar nga viti 1990, kur “Zogu” ishte vetëm 17 vjeç, kampioni i madh vendos t’i japë fund karrierës tri javë para përfundimit të kampionatit.
11.05.2008
JAVA 31- Nuk ka më asnjë dyshim se 17 maji do të zgjidhë edhe verdiktin e kampionit të ri të Shqipërisë, për t’i “dhuruar” skuadrës më të mirë trofeun e 69-të. Dinamo-Partizani. Një finale intriguese. E denjë për dy nga ekipet më të mira të Shqipërisë, që së bashku kanë fituar 31 tituj nga 68 kampionate të përfunduara. Dy ekipet vazhduan serinë e fitoreve, duke ruajtur të pandryshuar diferencën prej dy pikësh në favor të dinamovitëve. Dinamo fitoi bindshëm 2-0 në “Selman Stërmasi” me Besën e vendit të tretë, ndërkohë që Partizani me të njëjtin rezultat mposhti fitoi 2-0 në “Qemal Stafa” me fituesen e Kupës së Shqipërisë, Vllazninë.
13.05.2008
GJYQTARË ITALIANË -Derbi i tretë sezonal Dinamo-Partizani, ai që do të japë edhe verdiktin përfundimtar të sezonit 2007-2008 do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh italianë. Një javë më parë, finalja e Kupës së Shqipërisë, ajo midis Vllaznia-Tirana (2-) u gjykua nga gjermani Babak Rafati. Takimi përfundimisht do të luhet në stadiumin e dytë të kryeqytetit në “Selman Stërmasi”. Dy tifozeritë, ajo “blu” dhe ajo e “kuqe” do të ndahen nga kordone policore në tribuna.
SKELA - “Ne qëndruam në Bundeslige edhe pse shumë njerëz nuk e dëshironin këtë. Në Bundesligë nuk e duan një ekip nga Lindja”. Ervin Skela duket më i revoltuar se kurrë dhe “zëmërimin” e tij nuk e fsheh as për median më të rëndësishme sportive në Gjermani, revistën prestigjjoze “Kicker”, për të cilën shqiptar dha edhe një intervistë të gjatë. Ervin Skela akuzon: “Në Bundesligë, Kotbusin nuk e duan, na quajnë lindorë”. Golashënuesi më i mirë i ekipit: “Bëmë diçka sensacionale”. Fantazisti: “Mundëm Bajernin, e merituam 1 000% mbijetësën”
DURO - Kërkesa e 23-herë kampionëve të Shqipërisë, klubit të Tiranës për përjashtimin e tre lojtarëve Klodian Duro, Endri Vrapi e Ervis Sina nga ekipi Kombëtar për prishje të imazhit, nuk është parapëlqyer shumë jo vetëm nga futbollistët, por një kundërreagim bëri edhe Federata Shqiptare e Futbollit.
15.05.2008
JAVA 32 - Ashtu edhe siç pritej verdikti i titullit kampion do të vendoset në ndeshjen e fundit të kampionatit, më 17 maj. Dinamo fitoi lehtësisht në transfertë me Vllazninë 3-0 (tre gola në pjesën e dytë), ndërsa Partizani fitoi 2-0 me Skënderbeun (dy gola në 45 minutat e para), por ndaj një skuadre korçare që zhvilloi një luftë të fortë fizike: tre kartonë të kuq dhe një “lumë” kartonësh të verdhë. REZULTATET, JAVA 32: Vllaznia-Dinamo 0-3, Partizani-Skënderbeu 2-0, Tirana-Teuta 1-2, Besa-Besëlidhja 2-0, Elbasani-Kastrioti 5-1, Shkumbini-Flamurtari 1-0. Renditja:
1. Dinamo 67, 2. Partizani 65, 3. Besa 53.
16.05.2008
LIKA - Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, e ndjen se është shumë pranë fitimit të titullit të parë si trajner. Gjithsesi ish-trajneri i Teutës tregohet i matur në deklarimet e tij: “Natyrisht që do të bëjmë maksimumin. Është një ndeshje që dëshirojmë ta fitojmë e të shpallemi kampionë”. Lika beson në lojtarin e 12-të, tifozerinë e jashtëzakonshme të kuqe. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, ata janë një faktor i rëndësishëm. Do të na ndihmojnë shumë”.
DAJA - Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, i ka të gjitha shanset të vendosë një rekord unikal, përsa i përket trofeve si trajner: dy skuadra të Superligës në drejtimin e tij, dy tituj kampionë. Daja në sezonin 2005-2006 udhëhoqi Elbasanin në fitimin e titullit kampion, dhe i ka të gjitha gjasat ta përsërisë atë me Dinamon, gjatë këtij edicioni, edhe pse e morri drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Agim Canajt. “Është një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime, por jo të jetës sime”.
17.05.2008
DERBI- Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga përballja e madhe Dinamo-Partizani, ku në pëfundim të 90 minutave të luajtura në “Selman Stërmasi” do të përcaktohet kampioni i ri i Shqipërisë, ia vlen të bëjmë një “skaner” statistikash të ecurisë së dy ekipeve gjatë këtij sezoni. Dinamo kryeson me 2 pikë më shumë se Partizani, ku pas 32 javësh ka grumbulluar 67 pikë, kundrejt 65 të koleksionuara nga formacioni i kuq. Dinamo mban një numër rekordesh sezonale: numrin më të madh të fitoreve, 20; numrin më të madh të golave, 54; numrin më të vogël të golave të pësuar, 13. Blutë kanë regjistruar edhe fitoren më të thellë sezonale: 7-0 kundër Skënderbeut, por dhe 6-0 kundër Flamurtarit. Edhe Partizani ka statistikat e tij: është ekipi që ka pësuar më pak humbje, 3, dhe e vetmja skuadër që nuk ka pësuar humbje në shtëpi. Partizani synon të fitojë titullin e 16-të në ndeshjen e tij të 1500-të në 60-të kampionate ku ka marrë pjesë qysh nga viti 1947.
DINAMO KAMPION - “Ëe are the champions”. Kolona zanore e që shoqëroi dorëzimin e trofeut nga ana e Presidentit të Republikës, kapitenit të Dinamos, Arjan Pisha, ishte edhe momenti kur “armata e kuqe” e Partizanit largohej me turp pas “tragjikomedisë” së shfaqur në 90 minutëshin më të rëndësishëm të sezonit. Partizani e meritoi disfatën në ndeshjen që mund t’i jepte edhe titullin e munguar prej 15 vjetësh, kur përballë 9 lojtarëve të Dinamos, formacioni i Likës u shfaq i zbehtë dhe pa forcë realizuese. Ky është edhe trofeu i dytë i presidentit Besnik Sulaj në drejtim të klubit të Dinamos, kur më parë e kishte arritur atë në sezonin 2001-2002. Sulaj: “Blerje për Ligën e Kampioneve”. Daja: “Titullin e ndaj me Agim Canaj”. Kuli: “Trofeun ja dhuroj Zotit”. Kotori: “Titulli më i bukur”. Duka: “Dinamo e meritoi titullin”. Shulku: “Atmosferë e rrallë, kampionat i bukur”.
JAVA 33 - KATEGORIA SUPERIORE: Dinamo-Partizani 1-1, Kastrioti-Tirana 1-2, Teuta-Besa 3-5, Besëlidhja-Vllaznia 4-2, Skënderbeu-Shkumbini 1-3, Flamurtari-Elbasani 2-2. RENDITJA: 1.Dinamo 70, 2.Partizani 65, etj.
Verdiktet - Kampion: Dinamo, Kupa e Shqipërisë: Vllaznia, Play-out:Teuta, Kastrioti. Bien nga Kategoria: Besëlidhja, Skënderbeu.
Në Europë: Liga e Kampioneve Dinamo, Kupa UEFA: Vllaznia
Partizani, Kupa Intertoto: Besa
SINANI -Sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani fitoi për herë të tretë “Këpucën e artë”, si golashënuesi më i mirë si sezonit 2007-2008. Ish-futbollisti i Tiranës realizoi në Kampionatin e 69-të Kombëtar 20 gola, dy më shumë se kroati i Dinamos, Pero Pejiç (18). Sinani më parë e kishte fituar “këpucën e artë” me Vllazninë në sezonin 2003-2004 (36 gola) dhe 2006-2007, kur mbronte fanellën e Tiranës me 23 gola.
ABRAHAM - Mbrojtësi i Dinamos, Abraham Alchevny vendosi një rekord unikal në kampionatin shqiptar. Nigeriani shtatshkurtër fitoi për herë të tretë rresht një titull kampion në Shqipëri dhe për më tepër me tre skuadra të ndryshme: me Elbasanin në sezonin 2005-2006, me Tiranën në sezonin 2006-2007 dhe së fundi me Dinamon në sezonin 2007-2008.
20.05.2008
DURO - Ka qenë menaxheri shqiptar i FIFA-s, Sokol Haxhiaj, ai që ka realizuar edhe transferimin e mesfushorit të kombëtares, Klodian Duro, në “atdheun” e Arjan Beqajt e Altin Haxhit. “Po, transferimi është kryer prej meje në një kohë rekord. Kontaktet i nisëm me Omonian dhe i përfunduam po me të, pasi dhe klubi i plotësoi të gjitha kushtet e kërkuara nga lojtari, pasi pati edhe frikë se mos e merrte Apoeli, që do të marrë gjithashtu pjesë në Kupën UEFA, apo edhe ndonjë konkurrent tjetër”, - tha Haxhiaj i cili është fotografuar nga agjencitë qipriote në momentin e nënshkrimit të kontratës së ish-futbollistit të Elbasanit, Vllaznisë e Partizanit.
BAKAJ – Mesfushori sulmues i Partizanit, Elis Bakaj, pritet të kryejë një provë te gjigantët gjermanë të Verder Bremenit, skuadrës së dytë të Bundesligës, që siguroi një vend direkt në fazën e grupeve në Ligën e kampioneve.
SEMINA – 19-vjeçari Klodian Semina mund të realizojë transferimin e dytë ndërkombëtar brenda gjashtë muajve. Mbrojtësi aktual i Belasicës në kategorinë e parë të Bullgarisë është në fokusin e dy klubeve gjermanë të rëndësishëm: Hamburgut dhe Hertës së Berlinit. “Klodiani do të bashkohet me përfaqësuesen tonë U-19 në Sllovaki, për të qenë pjesë e grupit në ndeshjet e “Elite Round” ku marrin pjesë edhe Gjermania, Sllovakia e Kroacia, dhe për të ndjekur në aksion do të vinë edhe menaxherë të Hamburgut dhe Hertës së Berlinit”, -tha menaxheri i lojtarit, Rudi Vata.
MAVRAJ - Mërgim Mavraj, mbrojtësi shqiptar i Bokumit në Gjermani do të ketë edhe një shans tjetër për të qenë pjesë e Kombëtares shqiptare. Lojtari, i pajisur në mënyrë urgjente me pasaportë shqiptare pas rekomandimit të ndihmësit të Hans Peter Brigelit, Aksel Ros, refuzoi disa vite më parë për të qenë pjesë e skuadrës kuqezi.
21.05.2008
KOMBËTARJA - Më 21 maj, skuadra zvicerane e Challenge League (Kategoria e Dytë) do të luajë kundër kombëtares shqiptare, që mbërriti dje në Gjermani. Takimi do të luhet të mërkurën në orën 18:30. Në lajmin e publikuar theksohet fakti se në listën e lojtarëve shqiptarë figurojnë lojtarë të njohur si Ervin Skela (Cottbus), Altin Lala (Hannover), Edmond Kapllani (Karlsruhe), Kristi Vangjeli (Saloniki), Lorik Cana (Marseille), Erion Bogdani (Livorno). Në formacionin e Shafhauzenit luajnë disa lojtarë kosovarë, por me pasaportë zviceranë: Gëzim Sadiku luan në sulm, ndërsa Genc Mehmeti e Shkëlzen Gashi luajnë në mesfushë.
22.05.2008
Shqipëria fiton 3-1 miqësoren me Shafhazuen
Kombëtarja shqiptare fitoi 3-1 testin me skudrën zvicerane të Kategorisë së Dytë, Shafhauzen, në një takim miqësor ku të katër golat kishin “ngjyrë” shqiptare. Hamdi Salihi, golashënuesi më i mirë i SV Ried në Austri, realizoi golin e parë në minutën e 5-të, me të cilin u mbyll edhe pjesa e parë. Kosovari Mehmeti barazoi përkohësisht shifrat për Shafhauzeninnë minutën e 55-të. Erion Bogdani, i futur në pjesën e dytë riktheu avantazhin e Kombëtares sonë në të 63’, ndërsa golashënuesi më i mirë shqiptar në fushatën e fundit kualifikuese, atë Euro 2008, Edmond Kapllani fiksoi edhe shifrat 3-1 në minutën e 83-të. Trajneri holandez Ari Han luajti në pjesën e parë: Hidi, Lila, Dhëmbi, Vrapi, Lika, Shkëmbi, Bulku, Bylykbashi, Hyka, Duro, Salihi. Në të dytën u futën: Beqaj, Shkëmbi, Vrapi, Vangjeli, Lala, Dhëmbi, Bakaj, Skela, Bogdani, Kapllani.
U-19 - Shqipëria U-19 do të luajë të enjten ndeshjen e parë kundër Gjermanisë të po kësaj moshe, në kuadër të fazës “Elite Raund” të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian U-19.
Faqja zyrtare e UEFA-s, uefa.com, në prag të ndeshjeve që nisin të enjten, me takimin Gjermani-Shqipëri (ora 11:00, në Senec të Sllovakisë), ka bërë një speciale për të katër ekipet e Grupit 4: Shqipërinë, Gjermaninë, Sllovakinë e Kroacinë.
SKELA- Shqiptari Ervin Skela ka vendosur një rekord në Bundesligë për sezonin që porsa përfundoi, atë 2007-2008. Fantazisti i Energi Kotbus është mesfushori i vetëm në Bundesligë që ka më shumë ndeshje dhe minuta në këmbët e tij. Golashënuesi më i mirë i Kotbusit, njëherësh edhe lojtari kryesor, që i siguroi mbijetesën ekipit të tij është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e këtij sezoni: 34 të tilla, duke pasur në statistikat e tij 2988 minuta.
23.05.2008
HOXHA - Portieri i Shqipërisë U-19, Sulejman Hoxha, i cili gjatë këtij sezoni mbrojti portën e Erzenit, bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në përballjen me Gjermaninë U-19, me të cilën përfaqësuesja jonë humbi 2-0 në Sllovaki, duke fituar edhe admirimin e skautërve (zbuluesve) të disa klubeve gjermane të pranishëm në stadium. Portieri ynë Sulejman Hoxha ka pritur edhe një penallti.
24.05.2008
REKORD - Shqipëria do të paraqitet për herë të parë në Lojërat Olimpike Verore me delegacionin më të madh sportiv. 11 sportistë shqiptarë do të marrin pjesë në “Pekin 2008” . Shqipëria në “Pekin 2008”
1- Sahit Prizreni Mundës
2 -Lindita Kodra Qitëse
3 -Erkand Qerimaj Peshëngritës
4 - Gerti Trasha Peshëngritës
5.-Elis Guri Mundës
6.-Dorian Collaku Hedhës çekiçi
7.-Romela Begaj Peshengritese (pret konfirmim)
8.-Klodiana Shala Atlete (pret konfirmim)
9.-Rovena Marku Notare (i ftuar)
10.-Sidni Hoxha Notar (i ftuar)
11.-Edmond Topalli Xhudo (i ftuar)
SALIHI - Lojtari i kombëtares shqiptare Hamdi Salihi akoma nuk ka marrë ndonjë ofertë konkrete nga CSKA-ja, pavarësisht se “të kuqtë” po shfaqin një interes të madh për të. Oferta e 31-herë kampionëve të Bullgarisë vonohet për shkak të paqartësisë në lidhje me pronarin e ri të klubit.
Play-out: Teuta dhe Burreli do të përballen në “Selman Stërmasi” (ora 16:00) në betejën e parë të “play-out”. Skuadra durrsake e drejtuar nga Kristaq Mile, që zuri vendin e 9-të në Kategorinë Superiore, konsiderohet dukshëm favorite, kundrejt matjanëve të Përparim Daiut, që u rendit e katërta në Kategorinë e Parë. Të dielën do të zhvillohet “Qemal Stafa” ndeshja midis Kastriotit (Kategoria Superiore) dhe Lushnjës (Kategoria e Parë). Me përfundimin e dy takimeve do të skicohen përfundimisht 12 skuadrat që do të marrin pjesë në sezonin e ri 2008-2009. Nga Kategoria e Parë u ngjitën në Superligë, Bylis (kampion) dhe Apolonia, ndërsa nga Kategoria Superiore u rrëzua në të Parën, Skënderbeu dhe Besëlidhja.
25.05.2008
TEUTA - Teuta ia doli pas 120 minutave të mbijetojë në Kategorinë Superiore, pasi mposhti 2-1 në “play-out” Burrelin e Kategorisë së Parë në takimin e zhvilluar në “Qemal Stafa”, me një penallti të realizuar nga Bledar Hodo në minutën e 114-të, kur dy ekipet e mbyllën me nga 10 lojtarë. Ashtu si dy sezone më parë, kur Teuta e drejtuar nga Alfred Ferko fitoi me Skënderbeun e mbijetoi në Superligë, edhe në këtë “ekstra”-fundsezoni përvoja e 3-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë të drejtuar nga Kristaq Mile, vendosi jo pak.
U-19 - Shqipëria U-19 arriti një barazim 2-2 të merituar me Sllovakinë U-19 në takimin e luajtur në e të vlefshëm për grupin 4 të Elite Round. Të katër golat u realizuan në pjesën e parë, por i veçantë është se Shqipëria kaloi dy herë në avantazh.
26.05.2008
KOMBETARJA - Trajneri holandez Ari Han, tekniku i katërt huaj i Shqipërisë në pesë vitet e fundit në bankinë, pas fitores në testin përgatitor me modestët e zviceranëve të Schafhauzenit (3-1), do të përballet të martën në provën e parë reale. Polonia, një prej 16 finalistëve të Kampionatit Europian 2008, është për herë të 11-të kundërshtari i Shqipërisë.
27.05.2008
KOMBETARJA - Shqipëria e Ari Hanit u shfaq shumë e zbehtë dhe pa forcë në miqësoren e humbur minimalisht 1-0 me Poloninë në Reutlingen të Gjermanisë. Një humbje identike me atë të 29 majit të vitit 2005 në Szecin të Polonisë, ku dhe atëherë humbëm po 1-0 dhe më një gol të minutës së tretë nga ana e kapitenit polak Zuravski. Humbja e katërt 1-0 me Poloninë, ku ndaj në 11 përballje kemi mundur të fitojmë vetëm një herë, para 38 vjetësh me rezultatin 2-0.
28.05.2008
SPIUNËT -Kapiteni Altin Lala (Hannover 96) dhe Ervin Skela (Energie Kotbus), dy nga lojtarët më të kompletuar të Kombëtares shqiptare dhe me një jetë të tërë futbollistike në Gjermani, përveçse luajtën një futboll të kënaqshëm në ndeshjen kundër Polonisë, kanë kryer edhe një detyrë “patriotike” për “atdheun” e dytë të tyre. Të dy lojtarët, sipas asaj që raportojnë mediat gjermane, janë takuar dhe i kanë treguar shefit të skautërve të Federatës Gjermane të Futbollit, Urs Siegenthaler, i cili ishte edhe në tribunë, të gjitha të çarat e mbrojtes polake.
HAN - Konkluzioni i trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Ari Han, gjithsesi është pozitiv: “Ekipi im ka shumë mundësi të përmirësohet”. Shqipëria humbi testin e parë me Poloninë (1-0, gol i Zuravskit në minutën e 3-të), por trajneri Han në premierën e parë të tij kundër një ekipi kombëtar mbeti në përgjithësi i kënaqur. “Loja jonë erdhi në rritje, ndryshimet e bëra dhanë efektin e duhur. kam ankesa për pësimin e golit, pasi lojtarët u treguan të pasigurt. Me Poloninë kemi bërë gabime të panevojshme”.
CURRI – “Pësimi i golit ishte një moment që na zuri në befasi. Mbrojtja ishte përbërë nga lojtarë shumë të rinj dhe të improvizuar”.
VANGJELI – “U gjendëm të papërgatitur te goli, na zuri në befasi. Në pjesën e dytë ekipi e rriti lojën. Donim të luanim sa më hapur dhe të ishim sa më të rrezikshëm në sulm”.
SALIHI- “Për ndeshjen jam i kënaqur. Krijuam volum loje dhe raste për shënim. Luajtëm si të barabartë ndaj një ekipi që do të luajë në finalet e Euro 2008”.
DURO- “Duhet të ishim të treguar më të kujdesshëm. Për të gjithë lojtarët vlejti shumë ky takim. Gjithçka përveç rezultatit ishte pozitive për ne”.
CANA – “Fatkeqësisht pësuam gol shumë shpejt, siçe kemi zakon. Më pas polakët u mbyllën dhe krijuam pak hapësira. Gjëja më pozitive ishte mentaliteti i lojtarëve, dëshira që të bashkëpunojnë me grupin”.
BOGDANI – “Nuk ishte i rëndësishëm rezultati, pasi ishte një miqësore ku trajneri dëshironte të provonte të gjithë lojtarët. Duhet të shohim anët pozitive, pasi ndeshjet e rëndësishme fillojnë në shator”.
DALLKU-CURRI - Dy mbrojtësit e Kombëtares shqiptare, kosovarët Debatik Curri (24 vjeç) dhe Armend Dallku (23), të cilët formuan edhe dyshen qendrore të repartit difensiv në ndeshjen miqësore Shqipëri-Poloni (0-1) u ndoqën në Reutlingen të Gjermanisë nga menaxherë të Hertës së Berlinit. Lajmin e jep faqja e njohur gjermane bild.de.
GJASULA - 22-vjeçari Jurgen Gjasula mund të jetë përforcimi i mundshëm në mesfushë i Lacios. Lajmi jepet nga siti italian tuttomercato.it.
TIRANA -Refik Halili është presidenti i ri i Tiranës dh ei parë ga katër donatorët në ciklin e tyre të dytë katërvjeçar.
Refik Halili u përcaktua pas një shorti te hedhur, ku donatorit, i cili njihet edhe si një pasionant i këngës së popullore tiranase, i ra letra me “vrimë”. Radha e rotacionit në presidencën bardheblu ka si të parë Refik Halilin (1 qershor 2008-31 maj 2009) e me radhë: Agron Papuli (1 qershor 2009-31 maj 20010), Shefikat Ngjela (1 qershor 2010-31 maj 2011) dhe në fund, Avni Nuri (1 qershor 2011-31 maj 2012).
DINAMO – Kampionia e Shqipërisë konfirmoi në bankinë trajnerin Ilir Daja, i cili i dha edhe titullin e 17-të kampion Dinamos. Blutë përgatiten për ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampioneve. Daja është trajneri i pestë i konfirmuar për këtë sezon pas Hasan Likës (Partizani), Agim Canaj (Vllaznia), Slavko Kovaçiç (Flamurtari), Gugash Magani (Shkumbini).
30.05.2008
“Albanian Maradona” (Maradona shqiptar), Jahmir Hyka është bërë një temë e nxehtë në ambientin futbollistik kroat, e veçanërisht në grupimin e tifozëve të Dinamos së Zagrebit, kampiones së Kroacisë dhe një prej klubeve më të dashura në atë vend. Një nga bloget më të klikuar në internet dhe që mbështet klubin kroat, dinamo11.blogsport, talenti më i madh shqiptar i pesë viteve të fundit, Jahmir Hyka ishte në qendër të debatit.
Presidenti i Dinamos se Zagrebit, Zdravko Mamic dhe vëllai i tij, Zoran Mamiç ishin të pranishëm në stadium për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Poloni (0-1). Qëllimi i udhëtimit special të tyre ishte ndjekja në aksion dhe “zbulimi” i potencialeve të fantazistit të ri të përfaqësueses, për të cilin kishin marrë kredenciale të forta nga një prej trajnerëve më të mëdhenj të Kroacisë, 76-vjeçarit Oto Bariç, njëherësh edhe tekniku i parë që guxoi ta thërriste 19-vjeçarin trupimët në Kombëtaren A.
SPAHO - Portieri i Lushnjës, Mikel Spaho, do të kryejë një testim në një nga klubet hungareze të futbollit. 26-vjeçari pohoi se ndihet në formë, ndërkohë që ka nisur procedurat për pajisjen me vizën hungareze.
LIKA -21-vjeçari Gilman Lika është shumë pranë nënshkrimit me skuadrën zvicerane Sion. Mesfushori i Vllaznisë, i cili u thirr në grumbullimin e Kombëtares për ndeshjen kundër Polonisë (Lika nuk luajti).
VANGJELI - Mbrojtësi polivalent Kristi Vangjeli, i cili menaxhohet nga agjencia prestigjioze shqiptare “Vata Vizion Football Management” ishte në fokusin e një grupi të gjerë menaxherësh të Hamburgut, Frajburgut, Manicit e 1860 Munih. Rudi Vata ka pasur kontakte të vazhdueshme me këta menaxherë dhe mësoi edhe për interesimin e tyre. “Për Kristin interesohen dy klube të Bundesligës 2 dhe një skuadër e Bundesligës 1”, - tha Vata. Kristi Vangjeli luan me Arisin e Selanikut dhe ka edhe dy vite kontratë.
SHAQIRI - Artim Shaqiri, shqiptari nga Maqedonia, i cili aktualisht luan për Besën e Kavajës, dëshiron t’i bëjë një mbyllje madhështore karrierës së tij të gjatë futbollistike.Sulmuesi 34-vjeçar do të varë “këpucët në gozhdë” sezoni e ardhshëm dhe dhe në “lamtumirën” e tij nga futbolli i luajtur do të ftojë dy nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror: portugezin Luis Figo dhe francezin Zinedine Zidane, dhe shumë emra të tjerë prestigjiozë në ndeshjen që do të luhet në “Gradski Stadium” të Shkupit.
31.05.2008
Lacio e re nis nga Igli Tare
Lacio e sezonit 2008-2009 nis nga Igli Tare. Dhe këtë e thotë gazeta italiane “Il Messaggero”. Sulmuesi 35-vjeçar, kontrata e të cilit përfundoi bashkë me sezonin, është kthyer në “dashurinë” e presidentit lacial, Klaudio Lotito, i cili rikonfirmoi edhe për dy sezone të tjerë ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare.
HIDI - Mediat qipriote shkruanin dje se portieri i Kombëtares, shqiptare Isli Hidi, mund të konsiderohet një lojtar i Alkit. Sipas portalit qipriot, go2.com.cy, ish-gardianit të Tiranës i është propozuar një kontratë 1 vjeçare me opsion shtyrje edhe për një vit. Po sipas kësaj faqeje, portieri i Krivbasit në Ukrainë, pritet të mbërrijë, më 2 ose 3 qershor për të firmosur zyrtarisht kontratën.
TIRANA - Rekord. Tipik shqiptar. 23-herë kampionët e Shqipëri
së kanë në organikën e tyre zyrtarisht vetëm një lojtar: sulmuesin Daniel Xhafaj. Gjithë të tjerëve, përfshirë edhe talentin Jahmir Hyka, të kërkuar nga një duzinë skuadrash, u ka mbaruar kontrata. Klodian Duro është i pari ish-lojtar i Tiranës, i cili ka nënshkruar për një skuadër të re, Omonian e Qipros.
E Shtune, 03 Janar 2009