E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hysen Zmijani: “Zemra mal për këtë Vllazni”

Bledar KUKA -  Hysen Zmijani ka qenë dhe mbetet një legjendë e futbollit të qytetit të Shkodrës, një legjendë që edhe sot nuk mund të ndahet nga Vllaznia. Në prag të superndeshjes së kampionatit, Vllaznia-Tirana në “Loro Boriçi”, ish-mbrojtësi elegant kuqeblu dhe i kombëtares shpreson që ekipi i tij i zemrës të bëjë shkëputjen vendimtare ndaj kryeq    ytetasve. Natyrisht, ai shikon Sinanin si liderin absolut të kësaj skuadre, por nuk mund të rrijë pa nënvizuar rolin e rëndësishëm të Elvin Beqirit. Ja si flet,:“Hysa” :

-Z. Zmijani, si ju duket që Vllaznia është në krye të tabelës, pas kaq vitesh?
“Normal që na bëhet zemra mal, jemi shumë të gëzuar. Biles deshta t’ju heq një vërejtje të vogël ju gazetarëve në Tiranë që, kur Vllaznia është 5 apo 7 pikë para, thoni se Tirana mund ta mbërrijë, ndërsa kur Tirana është 7 pikë para thuhet se është e paarritshme ... (bën pauzë) ... natyrisht, këtë e them me humor, pavarësisht se Vllaznia duhet mbuluar më shumë mediatikisht sepse e meriton dhe sepse ka shumë tifozë që e njohin mirë futbollin”.

-A besoni se ekipi juaj i zemrës do të dalë kampion?
“Padiskutim që besoj, ndonëse kampionati është ende shumë i gjatë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë, pra skuadrat mbeten këto që janë, mendoj se Vllaznia e fiton kampionatin. Por në janar gjërat mund të ndryshojnë dhe ajo skuadër që do të dijë të përforcohet më mirë, do të ketë edhe shanse më të mëdha. Unë shpresoj që edhe Vllaznia të marrë përforcimet që i duhen dhe të bëhet pretendonte absolute për fitimin e titullit”.

-Këtë të shtunë, ndeshja me Tiranën?
“Është momenti për të fituar dhe për të bërë një shkëputje. Nëse fitohet, distanca do të ishte vërtet e madhe dhe Vllaznia do ta kishte më të lehtë”.

-Çfarë vlerësoni më shumë tek kjo skuadër?
“(Sikur pyet veten) Çfarë vlerësoj ... në radhë të parë Sinanin, që është udhëheqësi i ekipit. Këtë kampionat Vllaznia nuk është shumë mirë me sulmin, kemi mangësi dh Sinani e ka ndihmuar shumë që të shënojë gola dhe të dalë përpara”.

-Besoj se edhe prania e Beqirit në mbrojtje është shumë e rëndësishme. Do të ishte plus i madh për Vllazninë nëse ai do të qëndronte.
“Padiskutim. Të gjithë e dimë se kush është Beqiri. Ai ka qenë i mirë që përpara se të shkonte në kombëtare. Aty fitoi edhe emrin, por pati dëmtime dhe këtë sezon po kthehet në formën e dikurshme. Do të ishte shumë mirë nëse klubi i Vllaznisë do ta mbante këtë lojtar sepse do t’i jepte një garanci shumë të madhe mbrojtjes. Unë mendoj se mbrojtja është reparti më i mirë i ekipit, duke i dhënë më shumë qetësi në lojë me sigurinë e saj”.

-Së fundi, a mendoni se tifozët shkodranë janë afruar më në fund, si dikur me ekipin e tyre?
“Dihet se Vllaznia ka tifozë të shumtë dhe të pasionuar pas skuadrës së tyre. Stadiumi ka qenë gjithnjë plot. Por gjithë këto thashetheme për baste, për shitblerje ndeshjesh kanë pasur ndikimin e tyre. Edhe nëse nuk janë të vërteta, fjalë të tilla i ftohin tifozët. Por tani që ekipi i Vllaznisë është në krye, besoj se nuk ka arsye që ata të qëndrojnë larg dhe mendoj se që ndaj Tiranës stadiumi do të jetë plot”.

E Hene, 29 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›