E Shtunë, 31 Tetor 2026

Super Liga shqiptare luan sot javën e 30-të

Tiranë - Skuadrat e Super Ligës shqiptare do të ndeshen sot me njëra-tjetrën më kuadër të javës së 30-të. Përballjet më interesante janë ato të skuadrave që luftojnë për mbijetesë në kategorinë e më të mirëve.

Kështu, Partizani do të presë në kryeqytet Apoloninë e Fierit. Një fitore do të ishte shumë e vlefshme për të dyja skuadrat, dhe e kundërta do t’i vështirësonte shumë pozitat e tyre në tabelë.

Takim tjetër interesant është ai i Elbasanit mes vendasve dhe Flamurtarit të Vlorës. Skuadra e Ramadan Shehut ka mundësinë më të mirë për të dalë nga zona e ftohtë, duke marrë parasysh edhe lodhjen që kanë vlonjatet nga ndeshja e mesjavës në kupë.

Kryesuesit e Tiranës do të kenë një përballje jo të lehtë në transfertën e Kavajës me vendasit e Besës. Skuadrës së drejtuar nga Agustin Kola nuk i lejohet asnjë hap fals, pasi do të rrezikonte kryesimin nga skuadra e Vllaznisë.

Ndërkohë, Vllaznia e vendit të dytë do të luajë në transfertën e Shkumbinit. Të dyja skuadrat vijnë nga eliminimet e mesjavës në kupë, dhe në këtë përballje do të kërkojnë të përligjin humbjet e tyre. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjes, për shkak se fusha e Peqinit është e dënuar për incidentet e mesjavës.

Kryeqytetasit e Dinamos do të presin modestët e Lushnjes. Këta të fundit luftojnë për të mos rënë nga kategoria, ndërsa Dinamo kërkon të konfirmojë vendin e tretë.

Ndeshja tjetër është ajo mes Teutës dhe Bylisit. Ballshiotët nuk kanë se çfarë të humbin, dhe objektivi i vetëm i tyre është fitorja në këtë transfertë të vështirë.

Ndeshjet do të fillojnë të gjitha në orën 17:00.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›