E Diel, 1 Nëntor 2026

Super Sinani, Vllaznia mbërthen Skënderbeun

SHKRUAN: Jeton Selimi 31-01-2011 11:04

Vllaznia e Mirel Josës nuk di të ndalet. Shkodranët kanë mposhtur Teutën në “Niko Dovana” me një rezultat të thellë, 0-3, ku autor i tre golave kuqeblu ka qenë veterani Vioresin Sinani

12 ndeshje radhazi, pa pësuar humbje dhe në Shkodër ka festë. Ndonëse Flamurtari është 6 pikë përpara, shkodranët kanë të drejtë të besojnë tek objektivi madhor, pasi Vllaznia e tyre po ecën me ritëm të denjë për Formula 1. Në takimin e djeshëm, të zhvilluar në “Niko Dovana” të Durrësit, miqtë kanë arritur të marrin maksimumin, duke shënuar tri herë në portën e Rizvanit. Tre gola për të mposhtur në fushën e saj, atë që për Vllazninë ishte shndërruar në një “mace të zezë” dhe për të vijuar serinë e rezultateve pozitive, të cilat e kanë ngjitur Vllazninë në vendin e tretë me 34 pikë, po aq sa Skënderbeu, ndonëse këta të fundit kanë një ndeshje më pak, atë kundër Tiranës që do ta rikuperojnë më 3 shkurt.

Sidoqoftë, kur Vllaznia e thërret “nën armë”, “Ujku” është gjithë gati. Vioresin Sinani është padyshim heroi i ndeshjes së djeshme. Tre gola dhe një formë e lartë sportive kanë bërë që sulmuesi veteran të rikthehet si në kohët e arta. Goli i parë për Vllazninë ka ardhur në minutën e 40-të, atëherë kur nigeriani Abraham ka harkuar saktë në zonë dhe ka gjetur kokën e Sinanit, i cili nuk fal, duke e dërguar topin në rrjetë. Me këtë rezultat, skuadrat u janë drejtuar dhomave të zhveshjes. Teuta përpiqet të reagojë në pjesën e dytë, por bën gabimin fatal duke lënë shumë hapësira në prapavijë dhe është sërish “Ujku”, që pasi ka goditur një traversë, do të shënonte dy gola brenda gjashtë minutave, 79’ dhe 85’, duke mbyllur përfundimisht hesapet e ndeshjes dhe duke i dhënë tre pikë më se të merituara Vllaznisë së tij, që tashmë është shndërruar në një pretendente serioze për titullin kampion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›