Besa zhyt edhe më keq Elbasanin në krizë
Verdhezinjtë kanë fituar ndeshjen me një prej rivalëve direkt për mbijetesë, duke i lënë verdheblutë të fundit në klasifikim dhe praktikisht të pashpresë për shpëtim. Fitorja erdhi në 13 minuta
Fitore me aromë mbijetese për Besën, e cila më në fund ka gjetur një rezultat me lojë bindëse. Në Kavajë, verdhezinjtë kanë fundosur edhe më keq Elbasanin e fundit, teksa e ka mundur në 13 minuta lojë, kur ka realizuar edhe dy golat përcaktues të kësaj sfide. Që në minutën e 11-të, Mihani ka zgjidhur enigmën e golit për verdhezinjtë, teksa ka realizuar në portën mike. Por, nuk do vononte aspak, vetëm dy minuta, që Besa të dyfishonte epërsinë dhe praktikisht të vuloste fitoren e merituar dhe tepër të çmuar, që tregon se skuadra e presidentit Bizhdili ka nisur kthesën tashmë, sidomos pas merkatos së dimrit. Goli i dytë për Besën mban firmën e gjirokastritit Arlind Nora, në minutën e 13-të, e cili, nga ana e vet, i ardhur në janar te verdhezinjtë, nga Shkumbini, e ka bërë “sefte“ me këtë fanellë, përsa i takon golit. Takimi ka qenë krejtësisht në një drejtim dhe Besa ka pasur në dorë, për ta thelluar edhe më rezultatin, por lojtarët vendës nuk e kanë shenjëstruar, ashtu siç duhet kuadratin e portës mike. Nga ana tjetër, duhet thënë se verdheblutë, edhe në këtë ndeshje janë paraqitur tepër dobët, të rënduar në të gjitha aspektet, edhe psikologjikisht, kështu që nuk janë ngritur as në nivelin mesatar, për t’ia vështirësuar sadopak punën kundërshtarit, i cili, me këtë fitore, ngjitet në kuotën e 18 pikëve, duke fundosur keqas Elbasanin, në fund, me vetëm 9 pikë, por duke iu larguar disi edhe Bylisit të parafundit, me 15 pikë. Për Elbasanin, situata duket tejet e rëndë dhe merkatoja e bërë me bujë në janar nuk po jep aspak frytet e duhura. Trajneri Esad Karishik, që zëvendësoi Krenar Alimehmetin, do të ketë vërtet një detyrë të vështirë për të motivuar këtë ekip.