E Diel, 1 Nëntor 2026

Super-operacion në Itali, shkatërrohet rrjeti i drogës

Një super-operacion kundër mafias kalabreze dhe trafikut të drogës të drejtuar prej saj, është zhvilluar sot në Itali, Shtetet e Bashkuara, Spanjë dhe Holandë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, nga hetimet e koordinuara nga Prokuroria e antimafias, të nisura në vitin 2008, kanë përfunduar në pranga 40 persona.

Sipas burimeve, hetimet mundësuan gjithashtu sekuestrimin e qindra kilogramëve kokainë për llogari të klaneve kalabreze, të cilat më pas do t`i shpërndanin në veri të Italisë dhe jashtë shtetit. Burimet nënvizojnë se operacioni nxorri në pah lidhjet e mafias kalabreze me kartelet kolumbiane të drogës dhe atë meksikan të Gjirit, që kontrollojnë fluksin e kokainës drejt SHBA-së dhe Evropës. Droga dërgohej nga Amerika Latine dhe ajo Qendrore për në portin Xhoia Tauro të Kalabrisë, që sipas hetuesve është nën kontrollin e plotë të klaneve.

Burimet shtojnë më tej se shumica e të arrestuarve u ndaluan në Itali, ndërsa pjesa tjetër në Amerikë, Spanjë e Holandë, në bashkëpunim me policitë e këtyre vendeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›