Superioria del hapur, kohë dhuratash
Faza e tretë e Kategorisë Superiore, është kthyer si rëndom në këto vitet e fundit (kur humbet çdolloj interesi për të luftuar 100%), në një kohë dhuratash. Madje, arrihet deri aty sa, shumë kush e quan të sigurt rezultatin që ka në mendje, para se një ndeshje të luhet. Dhe kur del rezultati i tij, atëherë duket se gjithçka mund të ketë qenë vetëm një formalitet në fushën e blertë. Por realisht duket paksa e çuditshme, që skuadra të ashtuquajtura “të dobëta”, arrijnë të marrin 3-pikësha pa marrë parasysh asnjë faktor të potencialit të kundërshtarit që kanë përballë. Gjithsesi, topi është i rrumbullakët, dhe as kush nuk mund të insistojë të kundërtën e “futbolli i ka të gjitha”, për sa kohë që nuk ka fakte konkrete. Megjithatë, dyshimet mbeten se shumë gjëra që ndodhin kë javët e fundit të kampionatit, kur shumë skuadra pretendojnë se kanë humbur motivin për të dhënë maksimumin, dhe kur disa të tjerë nisin llogaritë e pikëve. Pas disa rezultateve të “çuditshme” të tri javëve të fundit, Kastrioti-Besa, një shije jo të mirë kanë lënë dhe dy humbjet e Dinamos në Korçë ndaj Skënderbeut dhe dështimi i Teutës në shtëpi ndaj Gramozit. Pas 45 minutave të qeta në Korçë, ku të dyja skuadrat duket se kanë studiuar njëra-tjetrën, pjesa e dytë të ndeshjes solli plot 7 gola të shënuar (thuajse njëlloj si në ndeshjen e të shtunës, më saktë si pjesën e dytë të Kastrioti-Besa”. Vendasit kalojnë në avantazhin e dy golave me Guerrib (54’ e 56’). Kryegolashënuesin Bakaj barazon shpejt më dopjetën e tij (58’ dhe 62’). Përmbysja e madhe e dinamovitëve vjen me Putincanin (68’), ndërkohë që korçarë nuk kanë mbaruar ende dhe bëjnë çudinë me dy gola të Frashëri e Nestorviç (përkatësisht 73’ e 75’). E bujshme është edhe fitorja e Gramozit 2-0 në Durrës ndaj Teutës, kur 3 ditë më parë në Kupë i ndau vetëm një 0-0, që kualifikoi durrsakët për në çerekfinale. Në të vërtetë duket se ishin këta të fundit, që vunë dorën në zemër, duke u dhënë një shans kolonjarëve në luftën për mbijetesë. Pjesa e parë është mbyllur pa asnjë gol edhe në “Niko Dovava”, por në të dytën vijnë dy gola Dos Santos (66’) e S. Hadjibuliç (71’). Ndërkohë që barazimi 0-0 mes Apolonisë dhe Shkumbinit në Fier, ku dy skuadrat konkurrojnë direkt me njëra-tjetrën për një vend pak më të mirë në klasifikim, por edhe t’i largohen sa më shumë zonës së ftohtë, që po afrohen ndjeshëm.
#