Shuhet Naim Kryeziu, me golat e tij Roma fitoi titullin e parë
Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare Naim Kryeziu, ish-sulmuesi i Romës dhe Napolit në vitet ’40 e ’50. Falë golave të sulmuesit shqiptar, të lindur në Kosovë (Gjakovë) më 14 janar 1918, klubi verdhekuq ka fituar titullin e parë kampion në Serinë A në sezonin 1941-’42. Daljen e fundit në publik, Kryeziu e kishte bërë në muajin maj të vitit 2009, gjatë prezantimit të librit që përkujtonte “scudetto”-n e parë të skuadrës së kryeqytetit italian. Lojtari i mirënjohur jetonte në lagjen “Flaminio”, pranë një sheshi ku është ndërtuar një parkim i nëndheshëm, por ku dikur ndodhej një fushë ku luante skuadra Alba, një prej katër klubeve që në vitin 1927 u bashkuan dhe krijuan A.S. Romën e ditëve të sotme. Në Itali, Kryeziu emigroi në moshën 21-vjeçare, në vitin 1939 pas pushtimit të Shqipërisë. Ai udhëtoi drejt Romës për t’u regjistruar në ISEF (Instituti Shtetëror për Edukimin Fizik), me synimin për t’u bërë mësues i edukimit fizik. Megjithatë, fati i kishte rezervuar një rrugë tjetër, të mbushur me lavdi. Vetëm 24 orë pas një testimi në fushën “Testaço”, drejtuesit e Romës e thirrën në selinë e klubit dhe i ofruan një kontratë si profesionist. Gjithsesi, ai e kishte praktikuar sportin e top-këmbës edhe më parë: në moshën 15-vjeçare në Tiranë, ndërsa në rrëfimet e tij theksonte se kur festoi ditëlindjen e 16-të, kishte arritur të siguronte një vend në Kombëtaren kuqezi. Në Shqipëri, kishte ardhur pasi Jugosllavia pushtoi Kosovën.
Kryeziu ishte një sulmues krahu mjaft i shpejtë (i përshkonte 100 metrat në vetëm 11 sekonda) dhe i fuqishëm, zotëronte goditje të mirë me të dyja këmbët dhe kishte shumë nuhatje përpara portës. Ishte i zoti edhe për asist, ku prej kësaj cilësie përfitoi Amedeo Amadei, partneri i tij në repartin ofensiv të kampionatit të parë të fituar nga Roma. Me këtë skuadër, Kryeziu u aktivizua për 10 vjet me radhë, ndërsa më 1948-n u transferua te Napoli, ku luajti për tetë sezone të tjera. Nga futbolli u tërhoq në vitin 1952 me pengun që “nuk m’u dha kurrë mundësia për të luajtur me përfaqësuesen italiane”. Pas aventurës si trajner, fillimisht tek Almas Roma (1956-1962) dhe më pas për një vit tek A.S. Roma (1963), drejtoi një dyqan pastrimi kimik, ndërkohë që punonte edhe si vëzhgues talentesh për klubin verdhekuq: thuhet se ai zbuloi Xhuzepe “Princi” Xhaninin, ish-mesfushor të Kombëtares “axurre”. Lajmin për ndarjen nga jeta të Naim Kryeziut e dha djali i tij, Marko, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet të hënën. Presidentja Rosela Sensi i ka dërguar familjes një mesazh ngushëllimi në emër të të gjithë klubit roman. Në shenjë nderimi, dje lojtarët e Romës kanë luajtur në sfidën me Udinezen me një shirit të zi në krah.
#