E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa, Dinamo e Besa kërkojnëtrofeun e parë të sezonit

TIRANE- Superkupa e Shqipërisë ngre sot siparin e edicionit të ri futbollistik me përballjen e dy skuadrave më të mira të sezonit 2009-2010, blutë kampionë të Dinamos dhe verdhezinjtë, nënkampionë e fitues të Kupës, Besa e Kavajës.

Dy skuadrat parashikohen si pretendente edhe për trofetë që do të dorëzohen në majin e ardhshëm dhe të gjithë këta përbërës mjaftojnë për të ofruar një ndeshje me nivel në stadiumin e “Niko Dovanës”.
Presidenti i bluve, Besnik Sulaj, do të stimulojë lojtarët me nga një mijë euro në rast fitoreje. Ky trofe është vlerësuar maksimalisht edhe nga trajneri argjentinas, Luis Manuel Blanko, i cili ka theksuar se blutë do të japin maksimumin për të triumfuar.

Periudha e merkatos ka ndryshuar shumë Dinamon, pasi gjatë muajve të verës u largua trajneri kampion, Shkëlqim Muça, dhe u ul argjentinasi Blanko. Por, ky nuk është ndryshimi i vetëm. Në portë blutë kanë bërë rokadë, duke larguar Elvis Kotorrin për të marrë Isli Hidin. Po ashtu, në listën e të larguarve janë edhe Maksimilijano Timpanaro, Nikola Delmonte, Bekim Kuli dhe Papa Diop. Ndërkohë që në hyrje kanë qenë emra si Gjergji Muzaka, Nestor Martinea, Esteban Garsia, Isidor Seksesni, Saimir Gjokeja dhe Bledion Guga. Kështu, Dinamo paraqitet në këtë finale si kampionia në fuqi e vendit. Në klubin kryeqytetas mbizotëron optimizmi për faktin se gjatë sezonit të kaluar ata i kanë fituar të tria përballjet me kavajasit.

Nga ana tjetër, Besa, ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë, ka humbur shumë nga merkatoja, pasi i janë larguar disa lojtarë shumë të rëndësishëm, si portieri Shehi, mbrojtësi Vrapi, fantazisti Shkëmbi dhe sulmuesit Sinani e Xhafaj. Ndërkohë që situata rëndohet edhe më shumë kur këta emra “shoqërohen” nga Alban Dragusha, Erbim Fagu, Bledar Mancaku, Daniel Xhafaj, Renato Arapi, Dritan Babamusta dhe Blerim Hasalla. Gjithsesi, presidenti Bizhdili ka kërkuar që trajnerit Duro t’i sigurojë disa lojtarë kompetitivë. Në morinë e futbollistëve të rinj të afruar tek Bersa këtë sezon spikat emri i Semir Haxhibulic, Sead Haxhibulic, Marko Dos Santos dhe Marius Ngjela. Me këta futbollistë janë afruar edhe Alfred Osmani, Akil Jakupi, Dimitrija Lazarevski, Betim Aliu, Edin Ferizoviç, Minas Osmani, Bilal Veli.
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›