E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen prodhuesite grurit, pritet shtrenjtim

TIRANE-Pështjellime të reja po ndodhin përditë në tregun botëror të drithërave. Gazeta Shqiptare thekson ne numrin e sotem se rezultati i kësaj duket se do të jetë një rritje e re e çmimit të bukës në tregje. Maqedonia nuk ka asnjë mundësi për të eksportuar sivjet grurë, njoftuan dje autoritetet, duke siguruar banorët vendas se do të përdorin rezervat e shtetit për të frenuar rritjen e çmimit të bukës. Nga ky vend deri tani janë importuar vazhdimisht drejt vendit tonë sasi të konsiderueshme drithi. Ndërkohë Serbia, gjithashtu prodhues i fuqishëm rajonal i grurit, ka pohuar se mund të eksportojë drithë, megjithëse me sasi të reduktuar.

Vështirësi për sigurimin e drithërave duket se i ka hasur edhe Kosova, por këtu, ndryshe nga Shqipëria, operatorët bujqësorë i kanë parashtruar kërkesa të qarta qeverisë. Federata Sindinkale e Bujqve të Kosovës kërkon ndërhyrjen e qeverisë për të ndikuar në uljen e çmimit të rritur të bukës. Qeveria nuk ka siguruar rezervat e shtetit me drithëra dhe nuk ka asnjë strategji për situata të tilla, deklaroi për Radiotelevizionin e Kosovës kryetari i Sindikatës së Bujqve, Tahir Tahiri. Për t'i evituar raste të tilla në të ardhmen, Federata Sindikale e Bujqve kërkoi që shteti të subvencionojë mbjelljet e vjeshtës me nga 200 euro për hektar. Ndërkohë, parashikimi më i fundit për bujqësinë botërore, i kryer nga Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), bën të ditur se sivjet pritet një rënie 5% në prodhimin global të grurit. Qeveria shqiptare, deri tani është mjaftuar me kontrolle tatimore.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›