E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga: Partizani bie në Laç, surprizon Vllaznia

NGA EDUARD ILNICA

Java e dytë e kampionatit shqiptar ka nisur me surpriza. Kukësi është mundur brenda në shtëpi nga Vllaznia, ndërsa Partizani është thyer në Laç. Drejtuesit e Kukësit kishin lëshuar ultimatumin për të fituar patjetër, pas humbjes në Lushnjë, por duket se nuk ka pasur efekt. Me siguri do të ketë ndëshkime, pasi dy humbje rresht për nënkampionët nuk do të tolerohen. Ndërsa Partizani, edhe pse ka shkuar me pretendime në Laç, ku shpresonte të paktën një barazim, është “shfryrë” që në javën e dytë, edhe pse duhet thënë që tifozët e kuq e kanë përkrahur në maksimum ekipin e tyre.
NDESHJET
Në Laç, Bërkiç e ka mbajtur në tension të përhershëm repartin e pasmë të Partizanit, ndërkohë që në minutën e 27-të pretendon edhe për një penallti. Protestat e bardhezinjve janë të kota, kështu që loja vijon me përqendrim të saj në mesfushë. Në minutën e 73-të Laçi arrin të gjejë golin me Tanushin, që lëshon një predhë të fortë. Më pas ka pak histori dhe mbyllet 1-0. I pranishëm në Laç ka qenë edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Në Kukës pjesa e parë ka përfunduar në barazim pa gola. Vllaznia i kushton më tepër rëndësi mbrojtjes. Një gabim i mbrojtjes vendëse i jep mundësinë Bushiç që të finalizojë në kuadratin e Halilajt. Por Progni në minutën e 58-të ka barazuar rezultatin. Canaj bën një zëvendësim që rezulton mjaft efikas. Ai hedh në lojë Krujën, që në minutën e 74-t shënon për herë të dytë në portën e Halilajt. Nuk do të mbaronte këtu “harakiri” i nëkampionëve, sepse një gafë e Bratiçit në mesfushë bën që topi t’i dhurohet Krujës, i cili trefishon shifrat dhe vulos suksesin e papritur të kuqebluve në minutën e 87-të. Fitorja e parë e Vllaznisë, pas humbjes me Flamurtarin, ndërsa thellohet zhgënjimi kuksian, që pëson humbjen e dytë radhazi. Dueli i tretë i së shtunës ishte ai mes Bylisit dhe Kastriotit, që përfundoi 1-0.
SUPERSFIDA
Sytë dhe veshët e opinionit futbolldashës shqiptar do të jenë nesër të fokusuara në Vlorë në ndeshjen Flamurtari-Skënderbeu. Korçarët kanë vendosur diktatin në Superiore në vitet e fundit, por nëse kanë patur një rival të denjë në këtë rrugëtim trevjeçar, ky ka qenë Flamurtari. Kuqezinjtë kanë shpenzuar shumë në dy sezonet e shkuara, duke ndërtuar skuadra me potencial të madh, por në “përplasjen e brirëve” me juglindorët nuk ia kanë dalë të fitojnë titullin e kampionit. Një betejë që ka prodhuar akuza dhe kundërakuza në aksin Korçë-Vlorë. Tirana e një vere me shumë halle e probleme, e angazhuar “in extremis” në merkato, ka fatin të luajë sërish para tifozëve të vet. Në javën e parë dështoi të fitonte ndaj Laçit në “Qemal Stafa”, ndërsa kësaj here duhet ta dëshmojë veten po në të njëjtin ”mejdan” ndaj lushnjarëve debutues në Superiore. Në Kavajë luhet derbi i fqinjëve, Besa-Teuta.

Java e 2-të e Superiores

Kukësi – Vllaznia 1-3
Progni 58’/ Bushiç 47’, Kruja 74’, 87’
Laçi – Partizani 1-0
Tanushi 73’
Bylis – Kastrioti 1-0
Izuçuku 67’

NESER
Tirana – Lushnja               14:00
Besa – Teuta                    14:00
Flamurtari – Skënderbeu  17:00

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›