E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga: Shkumbini-Vllaznia 2-1

/* */

Shkumbini triumfoi 2-1 ndaj Vllaznisë në Peqin, në javën e fundit të fazës së parë, duke bërë autokritikën më të mirë pas humbjes së turpshme 5-0 me Flamurtarin, në Vlorë.

Roland Dervishi është dhe heroi i ndeshjes, me kapitenin peqinas që shënoi të dy golat, nga një në çdo pjese loje: në 18’ (me penallti) dhe në minutën e 80-të.

Mesfushori 29-vjeçar u ngjit në kuotën e 11 golave, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve të Kategorisë Superiore, në përfundim të fazës së parë.

Dervishi është shumë i famshëm këtë sezon, pasi është i vetmi që ka realizuar një “manita”, pesë gola në harkun e 90 minutave, në ndeshjen e fituar 6-2 nga Shkumbini kundër Tomorit, dhe njëherësh ka shënuar 11 nga 19 golat e skuadrës së tij.

Me një Vllazni, që u paraqit në Peqin pa dyshen e saj kryesore sulmuese – Xhevair Sukajn, të pezulluar nga klubi dhe, Armando Vajushin, nga Komisioni i Disiplinës – golin e nderit e shënoi mesfushori 19-vjeçar Edon Hasani (23’).

Për Vllazninë, kjo ishte humbja e gjashtë në 13 ndeshjet e fazës së parë, dhe e treta në gjashtë ndeshje nën drejtimin e Rudi Vatës.

Pas përfundimit të fazës së parë, Shkumbini e mbylli në vendin e shtatë me 18 pikë, ndërkohë që Vllaznia – 9 herë kampione e Shqipërisë – në vendin e tetë me 17 pikë, me kuqeblutë që duket se nuk po gjejnë qetësi, edhe pas sharkimit të Mirel Josës.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA E 13-të

Tomori-Apolonia             2-0
Dinamo-Bylis             1-1
Shkumbini-Vllaznia         2-1
Laçi-Flamurtari             0-0
Kamza-Tirana             0-0
Teuta-Kastrioti            16:00
Skënderbeu-Pogradeci (e shtyrë)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›