E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, Shkumbini e Dinamo në play-ou

TIRANE-Superliga ka zhvilluar dje ndeshjet e fundit të fazës së saj të rregullt, duke dhënë edhe verdiktet për edicionin 2010-2011.
Kështu, Besa ka rënë edhe zyrtarisht nga kategoria, pasi skenari i një fitoreje të thellë ndaj Tiranës dhe i humbjes së Kastriotit me Dinamon, nuk ka funksionuar. Kavajasit kanë arritur të fitojnë 3-2 në ndeshjen e djeshme, por në krahun tjetër, përveç Dinamos, të gjitha skuadrat e tjera kanë dalë me tre pikë, duke e bërë të pamundur për ta qëndrimin mes më të mirëve. Ndërkohë, blutë u mundën 4-3 në Krujë, në një ndeshje të zhvilluar me arbitër të huaj dhe ku vendasit kanë dominuar. Pas këtij rezultati, Dinamo do të luajë në play-out, ku do të ketë përballë Besëlidhjen e Lezhës, një skuadër aspak e lehtë për t'u kaluar. Skuadra tjetër që do të luajë një ndeshje shtesë për t'i shpëtuar rënies, është Shkumbini. Peqinasit kanë mbetur në vendin e nëntë, ndonëse dje fituan me vështirësi 2-1 në fushën e Elbasanit. Tashmë ata do të përballen me Mamurrasin, në një takim që nuk mendohet t'u sjellë shumë probleme. Ndërkohë, Teuta ka siguruar direkt qëndrimin, duke mposhtur 3-2 në fushën e saj Laçin. Durrsakët nuk kanë nevojë për një ndeshje shtesë, pasi kanë rezultate më të mira në takimet direkte me Shkumbinin. Ka shpëtuar edhe Bylisi, që mposhti 2-0 Vllazninë, duke u ngjitur në kuotën e 43 pikëve. Ndeshjet e "play-out"-it do të luhen javën e ardhshme dhe do të konfigurojnë përfundimisht Superligën.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›