E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, Tirana merr vendin e dytë

TIRANE- Tirana ka marrë vendin e dytë në renditjen e Superligës, pas fitores 1-0 në Peqin kundër Shkumbinit. Kur mbeten edhe pesë javë deri në fund, lufta për Kupat e Evropës duket se është nxehur më shumë, pasi tashmë janë 4 ekipe që luftojnë për dy vende. Goli i Devi Mukës në minutën e 15-të i dha fitoren Tiranës në stadiumin e boshatisur të Peqinit, ndërsa fitorja bën që bardheblutë të parakalojnë në renditje Besën e Kavajës. Kjo e fundit u mund 3-2 në Durrës nga Teuta, në një ndeshje ku tolerimi ishte i dukshëm. Edhe pse kaloi e para në avantazh, Besa pësoi tre gola të shpejtë nga durrsakët, që dalin nga zona e ftohtë e renditjes. Ndërkohë, fitorja e Tiranës ka bërë që Dinamo të shtyjë festën e titullit kampion. Blutë kanë pësuar humbjen e radhës, duke u mposhtur 2-1 në Fier nga Apolonia. Edhe pse kaloi e para në avantazh, skuadra e Muçës nuk u impenjua shumë, duke lejuar fierakët të marrin 3 pikë të arta për klasifikimin. Ndërkaq, Vllaznia nuk ka falur asgjë përballë Skënderbeut, duke fituar 3-2. Shkodranët janë ngjitur në kuotën e 42 pikëve, një më pak se Besa që mban vendin e tretë. Në të njëjtën kuotë ndodhet edhe Laçi, që mposhti 1-0 në fushën e vet Gramozin. Goli i Kajës çerek ore para përfundimit i mban laçianët në luftë për një vend në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, në Vlorë Flamurtari ka marrë një tjetër fitore, këtë herë në shifrat 3-0 përballë Kastriotit. Liçaj dhe dy herë Memelli ishin autorët e golave për skuadrën vlonjate.
Superliga
Apolonia-Dinamo 2-1
Teuta-Besa 3-2
Shkumbini-Tirana 0-1
Laçi-Gramozi 1-0
Vllaznia-Skënderbeu 3-2
Flamurtari-Kastrioti 3-0
RENDITJA
Dinamo 58
Tirana 44
Besa 43
Laçi 42
Vllaznia 42
Shkumbini 39
Flamurtari 39
Teuta 35
Skënderbeu 33
Kastrioti 33
Apolonia 33
Gramozi 22
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›