E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1, Fetel pole- position në Shangai

SHANGAI- Sebastian Fetel do të niset i pari në çmimin e Madh të Shangait, në program të dielën në mëngjes. Piloti gjerman i Red Bull ka qenë më i shpejti në provat zyrtare, ku ka lënë pas shokun e tij të skuadrës Mark Veber. Për Fetel, një nga zbulimet e Formula 1 në dy vitet e fundit, bëhet fjalë për pole-positionin e tretë në 4 garat e para të këtij sporti. Ndërsa vija e startit do të jetë me dy makina Red Bull, i treti do të niset piloti i Ferrarit Fernando Alonso. Spanjolli ka marrë një pozicion të mirë në provat e zyrtare, duke mundur të lërë pas pilotin e Mercedes Grand Pri Niko Rozberg. Menjëherë pas tij, do të nisen dy makinat MekLaren që patën dominuar në provat e lira. Xhenson Baton ka lënë pas shokun e tij të skuadrës Ljuis Hamilton, ndërsa i shtati do të niset piloti tjetër i Ferrarit, Felipe Masa. Provat në Shangai kanë qenë një tjetër zhgënjim për 7 herë kampionin e botës Mikael Shumaker, i cili do të niset nga vendi i 9-të, duke u kaluar edhe nga Robert Kubica me Reno.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›