E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, Tirana në krye, Teuta spostohet e dyta

TIRANE-Flamurtari dhe Teuta nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 në Vlorë, në përballjen më të fortë të ditës së djeshme. Skuadra e drejtuar nga Shkëlqim Muça u ka dhënë fund shpresave për titull, pasi barazimi i djeshëm e lë atë 7 pikë larg kreut, që tashmë mbahet nga Tirana dhe Teuta. Por, barazimi i djeshëm ka bërë edhe rrokadën e parë në krye të kampionatit, duke qenë se Tirana ka marrë vendin e parë me golavarazh më të mirë se durrsakët. Megjithatë, këto dy ekipe tashmë ndjejnë haptazi presionin e Skënderbeut, që është vetëm një pikë pas tyre dhe gëzon një formë të jashtëzakonshme. Kampionët e vendit në fuqi duket e kanë kaluar gjendjen e keqe të startit të kampionatit dhe tashmë kanë një marrsh më shumë se të tjerët.
Flamurtari
Në Vlorë, Flamurtari i Shkëlqim Muçës ka bërë një hap fals përballë Teutës, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1. Edhe pse të gjithë në Vlorë ishin përgatitur për fitore, duke mbushur shkallët e stadiumit dhe duke krijuar një atmosferë elektrizuese, ekipi vendas ka zhgënjyer. Nuk kanë munguar në tribunë as personalitete sportive e politike, duke i dhënë një rëndësi më të madhe ndeshjes. Flamurtari është shfaqur që në fillim shumë agresiv, por ishte Teuta ajo që shënoi e para me anë të Ansi Nikës në minutën e 50-të. Çerek ore më pas Pero Pejiç realizoi golin e barazimit, një rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund. Ndërkohë, një moment frike në radhët e të pranishmëve, pasi Tairi i Teutës pësoi një përplasje të fortë dhe përfundoi në spitalin e Vlorës.
Tirana në krye
Tirana ka marrë kryesimin e Superligës, me pikë të barabarta me Teutën, por me golavarazh më të mirë, pas fitores 1-0 të arritur dje në "Qemal Stafa" përballë Kastriotit. Sfida ka qenë tepër i vështirë, pasi përpos fitores, bardheblutë nuk duken në një formë të mirë. Ndeshja u vendos nga një eurogol i realizuar nga Gilman Lika me goditje dënimi në minutën e 41-të. Kastrioti më pas ka rrezikuar disa herë portën e Iljon Likës, por pa mundur të gjejë golin e barazimit. Inkango mundi të shënojë në pjesën e dytë, por kryesori Emirjon Sino e anuloi golin për prekje të topit me dorë.
Vllaznia
Me një stadium të boshatisur, Vllaznia ka shënuar 4 gola ndaj Kamzës, duke nxjerrë në njëfarë mënyre inatin e dënimit nga Komisioni i Disiplinës. Në fakt, pezullimi i fushës duket se i ka motivuar më shumë shkodranët, që dje kanë qenë të pamëshirshëm përballë Kamzës. Malazezi Jablan hapi serinë e golave në minutën e 33-të, ndërsa Hajdari e mbylli pjesën e parë në 2-0. Në të dytën Gocaj e Gjini, e çuan sfidën në 4-0 për Vllazninë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›