E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, klubet nuk pranojnë ndryshimin e strukturës

Gati gjysma e klubeve të Superligës kanë qenë kundër ndryshimit të strukturës së kampionatit nga 12 në 16 skuadra. Si rrjedhim, edhe për sezonin e ardhshëm Federata Shqiptare e Futbollit pritet të lërë në fuqi sistemin aktual, duke shuar shpresat e Partizanit, Elbasanit, Lushnjës dhe Bylisit. Një gjë që bie në kundërshtim me kërkesën që kishin firmosur 12 skuadrat e Superligës dhe që ishte dërguar në FSHF duke hapur këtë diskutim. Kështu, pasi sekretari i FSHF-së, Eduard Prodani dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Skënder Hyka kontaktuan me klubet e Superligës për të marrë mendimet e tyre rreth strukturës së re të kampionatit, mësohet se vetëm gjysma e tyre ka qenë dakort me kalimin nga 12 skuadra në 16.
Mendohej se pranimi i klubeve do të bënte që Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së të rikthente në radhët e më të mirëve ekipe si Partizani dhe Elbasanii, por në fakt ka ndodhur krejt e kundërta.
Dinamo, Apolonia, Laçi, Kastrioti apo ndonjë skuadër tjetër, nuk kanë qenë dakord me ndryshimin e strukturës, duke qenë se një gjë e tillë prek në thelb lojën e futbollit. Nisur nga kjo, në mbledhjen e radhës të Komitetit, Federata pritet të lërë në fuqi edhe për sezonin 2009-2010 sistemin aktual, me 12 skuadra dhe me 3 faza.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›