E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga ndez motorët per here te 69

Dash Frashëri
Sot në orën 17:00, në pese stadiume të pesë qyteteve të Shqipërisë (në Tiranë luhet edhe te dielen ne "Selman Stërmasi") starton Kampionati i 69-të Kombëtar i Futbollit, ai i Kategorisë Superiore. Pas përgatitoreve me fatura të shtrenjta financiare të kryera jashtë (më së shumti në Maqedoni dhe Mal i Zi), "bollëkut" të pazakonshëm të miqësoreve në fushatën verore, për skuadrat tona fillon e vërteta e futbollit, ajo e identifikimit të vlerave të tyre. Merkato e verës ka qenë e ethshme për pjesën më të madhe të ekipeve edhe pse lëvizjet kanë të bëjnë më së shumti me lojtarë shqiptarë, të cilët pasi kanë shkëlqyer apo dështuar me ekipin me të cilin u aktivizuan një sezon më parë, ndërruan fanellë për arsye financiare apo thjesht për hir të lëvizjeve të "shahut" në futboll. Gjithsesi nuk munguan gjatë kësaj kohe edhe futbollistë të ardhur nga kampionatet e Kosovës, Maqedonisë, Kamerunit, Zambias, Kongos, Nigerisë apo dhe të tjerë të huaj që luajnë prej sezonesh të tëra në futbollin shqiptar. Shumat e mëdha të shpenzuar në merkato nga ekipet e traditës konfiguruan së paku në letër edhe ekipet favorite e pretendente për dy trofetë sezonalë: titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Verdiktet e sezonit të kaluar: Tirana, kampione dhe Besa, fituese e Kupës së Shqipërisë tashmë janë arkivuar në statistikat e futbollit, pasi sezoni i ri që nis përkon me synimet e qarta të Partizanit, që kërkon të rikthehet te titulli pas 15 vite mungesë (po aq sa tituj kampion mban në 61 vjet futboll), po dhe të Dinamos, që ka shpenzuar shuma marramendëse për të bërë të sajin disa nga lojtarët më cilësorë të kampionatit shqiptar. Te Dinamo trofeu i fundit i përket vitit 2002. Gjashtë vite të thata për blutë, ashtu si për Vllazninë, që titullin e fundit e ka fituar në sezonin 2001. Nga 12 ekipet e elitës së futbollit modest shqiptar që marrin pjesë në këtë sezon të Kategorisë Superiore, vetëm 8 prej tyre e kanë fituar të paktën një herë titullin kampion, teksa rekordin me 23 trofe e mban Tirana, e ndjekur nga Dinamo (16) dhe Partizani (15), për të vazhduar më pas me Vllazninë (9), Elbasanin (2), Flamurtarin (2), Teutën (1) e Skënderbeun (1). Katër ekipet e tjera: Besa, Shkumbini Kastrioti e Besëlidhja nuk e kanë fituar asnjëherë atë. Tirana, kampionia në fuqi, premierën e sezonit të ri do ta nisë në stadiumin "Flamurtari" ku do të përballet me skuadrën vlonjate, me të cilën humbi sezonin e kaluar (3-2) në të vetmen ndeshje të zhvilluar me Flamurtarin në Vlorë. Festa në Vlorë, aty ku dhe zyrtarisht do të celet sezoni i ri, është marrë përsipër të organizohet nga futbollisti i njohur i Kombëtares sonë, Flamurtarit dhe Tiranës, Geri Cipi, tashmë me detyrën e shefit të klubit vlonjat. Tirana, që u eliminua në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve nga Domzhale e Sllovenisë, të dielën e kaluar fitoi bindshëm për herë të tetë Superkupën e Shqipërisë (mundi Besën 4-2). Bardheblutë, merkato e të cilëve u shoqëura me largime të mëdha (Sinani transferimi më i bujshëm), ashtu si dhe me afrime të po këtij niveli (Daniel Xhafaj, blerja më cilësore), ka një bilanc të pasur ndaj Flamurtarit modest dhe me merakato të varfër. Në 114 ndeshje direkt 65 fitore i përkasin Tiranës dhe vetëm 28 Flamurtarit. Tirana në tri përballjet e fundit me vlonjatët i provoi të tria rezultatet: humbjen (3-2), barazimin (1-1) dhe barazimin (2-0). Elbasani, kampioni i sezonit 2005-2006, do të presë në "Ruzhdi Bizhuta" 9-herë kampionët e Shqipërisë, Vllazninë, që zhvilloi një Kupë Intertoto me dy pamje: eliminoi bujshëm kroatët e NK Zagreb, por u turpërua nga turqit e Trabzonspor në turin e dytë. Sfida Elbasani-Vllaznia ka të vecantën e pranisë së gjirokastritit Arlind Nora, ish-kampion me Elbasanin dy sezone më parë, sot në forcë me Vllazninë. Elbasani-Vllaznia mund të konsiderohet edhe si kryendeshja e javës së parë. Cift tjetër interesant është Besa-Kastrioti, që edhe sezonin e kaluar u përballën po në javën e parë, por me ndryshimin që, nëse vjet luajtën në Krujë, këtë sezon do të luajnë në Kavajë. Besa, që bëri një paraqitje të mirë në turin e parë eliminator të Kupës UEFA (eliminoi ekipin serb Bezanija) dhe të dëshpëruar në ballafaqimin me skuadrën bullgare Liteks i Lovecit (humbi 3-0 në Durrës) synon fitoren me krutanët për të vendosur në ekuilibër fitoret, pasi në 12 takime, kavajasit kanë regjistruar 4 fitore, përkundrejt 5 fitoreve të arritura nga Kastritoti. Partizani i Hasan Likës do të presë neser ne "Selman Stermasi" Shkumbinin e trajnerit debutues Gugash Magani. Sezonin e kaluar, "demat e kuq" i fituan të tre takimet me Shkumbinin. Dinamo e Agim Canaj do të presë në "Selman Stërmasi" Besëlidhjen e Stavri Nicës, të porsangjitur në Kategorinë Superiore, ndërsa "Ujqërit e dëborës", Skënderbeu (në krizë bankine pas dorëheqjes të trajnerit Kaci), do të luajë gjithë inat me Teutën, skuadrën që fitoi plejofin e dy sezoneve më parë, që solli edhe rrëzimin e Skënderbeut në Kategorinë e Parë. Kategoria Superiore Java 1, 25.08.2007 E shtunë, Ora 17:00 Flamurtari-Tirana Stadiumi "Flamurtari", Vlorë Gjyqtarë: Pashaj, Miho, Koreshi Bilanci: 114 ndeshje; 28 fitore Flamurtari, 22 barazime, 65 fitore Tirana. Golat: 105-198 Skënderbeu-Teuta Stadiumi "Skënderbeu", Korcë Gjyqtarë: Meta, Dervishi, Maloku Bilanci: 111 ndeshje; 46 fitore Skënderbeu, 35 barazime, 30 fitore Teuta. Golat: 117-109 Besa-Kastrioti Stadiumi "Besa", Kavajë Gjyqtarë: Janku, Lamce, Pregja Bilanci: 12 ndeshje; 4 fitore Besa, 3 barazime, 5 fitore Kastrioti. Golat: 14-14 Elbasani-Vllaznia Stadiumi "Ruzhdi Bizhuta", Elbasan Gjyqtarë: Jareci, Elezi, Doda, Bilanci: 121 ndeshje; 26 fitore Elbasani, 34 barazime, 61 fitore Vllaznia. Golat: 113-197 Dinamo-Besëlidhja Stadiumi "Selman Stërmasi", Tiranë Gjyqtarë: Latifi, Lamaj, Rexha Bilanci: 45 ndeshje; 27 fitore Dinamo, 16 barazime, 2 fitore Besëlidhja. Golat: 66-24 E diel, Ora 17:00 Partizani-Shkumbini Stadiumi "Selman Stermasi", Tiranë Gjyqtarë: Jemini, Bicaku, Qirici Bilanci: 31 ndeshje; 14 fitore Partizani, 5 barazime, 12 fitore Shkumbini. Golat: 117-109

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›