E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga, sot raundi final

Tiranë - Eshtë një kampionat jubilar, i 70-ti dhe që do të mbahet mend gjatë. Gjithçka do të vendoset sot, më saktësisht aty rreth 21:00. Sot do kurorëzohet kampionia e ree superligës. Sfida e sotme midis Tiranës dhe Vllaznisë që do luajnë në ora 19:00 në stadiumin “Qemal Stafa” është e gjitha mes dy ekipesh elitare. Do të jenë përballë dy skuadra të traditës dhe tepër të spikatur të futbollit shqiptar. Vllaznia me 9 tituj kampion do të synojë të marë të 10-in, por në një detyrë jo shtëpiake.

Në duel ka përballë rekordmenen e pangopur të trofeve, Tiranën, 23 herë kampione. Në 32 javët e një maratone të gjatë, rruga e përshkuar evidenton mjaft dukuri, që do të futen në “sitë” pas këtij 90-minutëshi të sotëm, i gjithi për të hyrë në historinë e madhe të secilës. Sigurisht njëra do të fitojë titullin e tjetra do të dëshpërohet. Por ballafaqime të këtij niveli më shumë se sa prestigjin sportiv në kufijtë shumë të emancipuar që kanë të dyja ekipet, mbartin emocionet e mëdha të sportdashësve. Ata festojnë në tribuna. Ata, tifozët e mrekullueshëm tiranas e shkodranë, ashtu si protagonistët e fushës duan të jenë pjesë e lojës.

Është i tepërt çdo lloj komenti përballë ecurisë javë pas jave, nga starti deri një ndeshje para finishit, për të dyja skuadrat që synojnë të laurohen sot me titullin kampion. Diferenca aktuale në pikë (+1 e bardhebluve) është e tillë që lë megjithatë çdo gjë ende të hapur për një 90 minutësh të fundit, që padyshim do të vishet me shumë histori, si për ekipin që do ta fitojë trofeun, ashtu dhe për humbësen që do të mbesë gjithsesi nënkampione.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›