E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superstrada, Damës-Tepelenë hapet para sezonit turistik

Përpara sezonit turistik hapen për trafikun 13 km e segmentit Damës-Tepelenë, pjesë e superstradës Levan Tepelenë, tha dje ministri i Transportit, Sokol Olldashi, i cili inspektoi punimet. Avancimi i shpejtë i punimeve në Superstradën Levan-Tepelenë, bën të mundur që përpara sezonit turistik të hapen për trafikun 13 km të segmentit. Konkretisht në muajin Maj hapen për trafikun 7 km e parë, nga Fshati Viros deri në qendër të Memaliajt, për të vazhduar në qershor edhe me 6 km të tjerë. Ndërkohë që në muajin Tetor, segmenti Damës-Tepelenë do të jetë totalisht i hapur për trafikun, me përjashtim të pjesës së hidrocentralit të Kalivacit. Në të njëjtën kohë, punimet kanë avancuar edhe në ndërtimin e urave, që janë pjesë e këtij segmenti, konkretisht në muajin maj përfundojnë së ndërtuari dy ura totalisht të reja, ura e Ali Pashai-t dhe ajo e fshatin Luftinjë. Gjatë inspektimit të punimeve në superstradën Levan-Tepelenë, konkretisht në segmentin Damës-Tepelenë, ministri Olldashi u shpreh se: “Jemi në një fazë të avancimi të shpejtë të punimeve. Kilometrat e para të rrugës do të hapen në ditët e para të majit dhe në fund të qershorit do të kemi edhe 6 km të tjerë, për të vajtur në tetor me pothuajse gjithë rrugën e hapur, me përjashtim të pjesës së hidrocentralit të Kalivacit. Të gjitha punimet po kryen me standardet dhe cilësinë e duhur, duke pasur parasysh që ky është një aks shumë i rëndësishëm i transporti për gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm për lidhjen me Greqinë”, tha Olldashi. Sipas tij, ajo që vlen të theksohet është që përpara sezonit turistik, ne do të kemi mundësinë të hapim segmente të qenësishme të këtij aksi, për t’i vënë në shërbim të përdoruesve të rrugës, dhe atyre që do të synojnë të arrijnë drejt brigjeve të Jugut, Sarandës dhe destinacioneve të tjera turistike”. Superstrada Levan-Tepelenë është një rrugë shumë e rëndësishme për të gjithë zonën. Përveç përfitimeve direkte në shkëmbimin tranzit të mallrave drejt qendrave të banuara, në Jug e më tej drejt Greqisë dhe anasjelltas, rruga e re do të sjellë një lidhje më të mirë me zonën dhe pjesën tjetër të vendit. Ajo do të lejojë banorët e fshatrave të vogla të disponojnë të gjitha lehtësirat për akses të shpejtë në qendrat e zhvilluara, si dhe do të gjallërojë ekonominë lokale dhe bizneset e vogla përgjatë infrastrukturës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›