E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat e biznesit, projekti i qeverisë kundërshtohet nga deputetët e maxhorancës

SHKRUAN: Sabina Veizaj 06-04-2011 11:49

Të gjithë bizneset që nuk deklarojnë punonjësit e tyre, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës punonjësit e tyre, do të penalizohen me gjoba 5-fish më të larta se aktualisht. Këto penalitete janë pjesë e ndryshimeve të projektligjit të propozuar “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9920, 19.05. 2008 “Për procedurat Tatimore të ndryshuar”. Ndryshimet në fjalë u miratuan dje vetëm me votat e maxhorancës në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave. Megjithatë, masa e gjobave ngjalli debate jo vetëm mes opozitës dhe maxhorancës, por vetë disa deputetë të shumicës propozuan uljen e nivelit maksimal dhe minimal të gjobave. Sipas ndryshimeve të propozuara në projektligj, ‘nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar rishtazi, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të llogaritura nga data e konstatimit, dënohet me gjobë për çdo punonjës të padeklaruar; Tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin, gjobë prej 100 000 lekësh dhe tatimpaguesit e tjerë me gjobë prej 50 000 lekësh. Ndërsa për rastet e konstatuara nga zyra të shkeljes së afatit të deklarimit të punonjësve, tatimpaguesi dënohet me gjobë 10 000 lekë, për çdo deklaratë të padorëzuar, apo të dorëzuar jashtë afatit. Në lidhje me këtë ndryshim, deputetët demokratë Selami Xhepa dhe Subi Hida këmbëngulën për uljen e diferencës së penalizimit minimal dhe maksimal. Xhepa propozoi që gjoba maksimale të bëhej nga 100 000 – 300 000 dhe gjoba minimale nga 50 000 – 20 000. Edhe opozita gjatë diskutimeve kërkoi zbutjen e gjobave. Ndërsa kreu i komisionit, Edmond Spaho, theksoi se ngërçi i sistemit është pikërisht skema e sigurimeve shoqërore, duke pranuar në këtë mënyrë masën e gjobave të propozuara nga qeveria. Sipas përfaqësuesve të financave, qëllimi i ndryshimeve në ligj është forcimi i penalizimeve ndaj biznesit, përpara procesit të amnistisë fiskale, për të formalizuar ekonominë e vendit. Ndërkaq, opozita u shpreh se nuk është kundër amnistisë fiskale, por kërkon një reformë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, pasi sipas saj, vetë sistemi gjeneron informalitet. Ajo propozoi një reformë tërësore, pjesë e së cilës të jetë amnistia fiskale dhe të sillet në kuvend, të diskutohet e miratohet. Ndryshimet në projektligj parashikojnë gjithashtu; identifikimin e personave që ushtrojnë veprimtari tregtare, pa u regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, atyre u mbyllet veprimtaria dhe u konfiskohen të gjitha materialet. Në të njëjtën kohë, edhe në rast se një person ushtron veprimtari në fushën e shërbimeve, i pajisur me leje/ licencë/autorizim profesional, por nuk e ka regjistruar veprimtarinë në QKR, përveç konfiskimit të materialeve, administrata tatimore u propozon strukturave kompetente pezullimin e lejes/licencave/ autorizimeve për ushtrim veprimtarie për një periudhë gjashtëmujore. Gjithashtu, ndryshimet parashikojnë procedura të përcaktuara edhe për çregjistrimet e bizneseve. Nëqoftëse një biznes aplikon për çregjistrim në QKR dhe rezulton ende në administratën tatimore, ai nuk deklaron më të ardhurat, shpenzimet, dhe nuk paguan detyrimet. Subjektet, sipas ndryshimeve të propozuara në ligj, çregjistrohen pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore të papaguara dhe pasi të kenë paraqitur bilancin e mbylljes, sipas legjislacionit në fuqi.

Tabela e gjobave

100 000 lekë – Tatimpaguesi i regjistruar si subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, nëqoftëse nuk deklaron punonjësit

50 000 lekë- tatimpaguesit e tjerë nëqoftëse nuk deklarojnë punonjësit

50 000 – 100 000 lekë- Nëse shoqëritë që tregtojnë kasa fiskale nuk sigurojnë miratimin e tipit në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë

1 000 000 lekë dhe sekuestrim të pajisjeve fiskale- Nëse shoqëritë e paautorizuara që tregtojnë kasa fiskale nuk sigurojnë miratimin e tipit në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë

30 000 – 60 000 për çdo rast, nëse nuk hapin skedarë dhe nuk mbajnë librin e mirëmbajtjes

1 000 000 lekë, kur konstatohet se tregtojnë pajisje fiskale me funksione të ndryshme nga ato të miratuara nga Komisioni i Ministrisë së Financave, i ngritur për këtë qëllim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›