E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia fiskale cfare humbasim pa 84 vota

Amnistia fiskale duhet të miratohet me konsensus të gjerë politik, pasi në këtë mënyrë dhe kuadri ligjor që do të rregullojë problemet fiskale do të jetë më gjithëpërfshirës. Pak pas parjes së dy drafteve që janë në komisionet parlamentare dhe duke pasur parasysh qëndrimin e pritshëm të opozitës, deputetët kërkojnë që amnistia të miratohet me shumicë të cilësuar.

"Varianti i parë me variantin e dytë kanë disa ndryshime të vogla. Ne mendojmë se do të ishte shumë pozitive për amnistinë fiskale dhe biznesin që të miratohet varianti i parë me votat e opozitës, pasi ky është një ligj që është kërkuar nga biznesi. Mendoj që edhe opozita duhet të mbështesë biznesin"-tha Sybi Hida, deputeti i PD-së.

Veç kuadrit ligjor, për Albanian Screen deputetët thonë se miratimi me konsensus krijon dhe besim të plotë të qytetarët dhe bizneset.

"Si çdo reformë bipartizane, një reformë që gëzon konsensus të të gjitha forcave politike sigurisht që do të ishte tërësisht e pakontestueshme dhe do të ishte një moment shumë i rëndësishëm edhe në këndvështrimin psikologjik në efektin që do të jepte te popullsia në përgjithësi"- tha Selami Xhepa, deputet i PD-së.

"Nqs nuk do të miratohet varianti i plotë do të ketë disa aspekte të evazionit fiskal që nuk do të përfshihen në amnistinë fiskale"- tha Hida.

Në komisionet parlamentare janë dërguar nga Ministria e Financave dy draftet për amnistinë fiskale. I pari ka formën e një ligji që kërkon miratim në Parlament me shumicë të cilësuar, ndërsa drafti i dytë përbëhet nga ndryshime të disa ligjeve dhe mund të miratohet me shumice të thjeshtë. Pritet që të hënën që vjen të nisë dhe dikskutimi në komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›