Surprizë e Meksikës, Franca një hap larg lamtumirë
Meksika fiton 2-0 ndaj Francës, e cila nuk hyri për asnjë moment në ndeshje, duke lënë vazhdimisht shumë hapësira në një mbrojtje të fjetur. Sigurisht ajo që ka qarkulluar më tepër topin është kombëtarja e drejtuar nga Aguirre, e cila i ka shkuar pranë golit në disa raste me inkursionet e Karlos Salsidos në të majtë, i cili e ka vënë në vështirësi Sanjanë në fazën defensive. Rasti më i mirë për amerikano-qendrorët ka qenë pikërisht në minutën e 3-të kur goditi shtyllën me Karlos Vela, pas një shkëmbimi të bukur me Xhovanin. Ky aksion u ndal nga gjyqtari, i cili gjykoi një pozicion jashtë loje. Në minutën e 32-të sulmuesi i Arsenalit ka lënë fushën për shkak të një dëmtimi dhe në vend të tij është futur Barrera. Franca nuk ka bërë thuajse asnjë në sulm, në hije kanë qenë Anelka, Riberi e Govou, ndërsa vetëm Maluda kërkonte të ndizte shpresën. Hyrja në fushë e Gorkufit, që mbahet në pankinë nga Domenek, duket e nevojshme. Pjesa e dytë është njëlloj si e para. Meksika administron lojën. Galas humbet një rast të mirë për të shënuar, por në minutën e 64 është Meksika ajo që gjen rrugën e rrjetës me anë të Havier Fernandez: në momentin më të mirë të saj Franca ndëshkohet. Markes jep një pas prapa mbrojtjes së “Gjelave” për Hernandez, i cili i nisur nga kufiri i pozicionit jashtëloje triblon portierin Lloris dhe shënon. Pritet reagimi i Francës, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ardhur. Meksika ndëshkon sërish në minutën e 82’ me anë të një penalltie, e cila u fitua nga Barrera, pas një faulli ndaj tij nga ana e Diaby. 11-metërshi është ekzekutuar saktë nga Rodriguez. Pas dizavantazhit 0-2, Franca nuk ka më ide dhe duket e destinuar ta humbë këtë ndeshje, pasi me kalimin e minutave koha punon për meksikanët. Me humbjen e djeshme, skuadra e Domenek është thuajse 99% e eliminuar, pasi një barazim në ndeshjen Uruguai-Meksikë do ta bënte të pavlefshme edhe një fitore me goleadë të Francës ndaj Afrikës së Jugut.
#