E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregolësh i Higuain, seleksion kualifikohet

Argjentina Show

Pas golit të shënuar kundër Nigerisë në ndeshjen e parë të Botërorit 2010, kësaj radhe Argjentina realizon katër. Skuadra e drejtuar nga Diego Armando Maradona shkatërroi 4-1 Korenë e Jugut: me këtë rezultat, “seleksion” ngjitet në krye të Grupit B dhe ka hipotekuar kualifikimin në fazën tjetër të aktivitetit. Në anën tjetër, aziatikët, të cilët i kishin surprizuar të gjithë në sfidën me Greqinë, konfirmuan vlerësimet pozitive që ishin bërë për ta. Megjithatë, koreanët nuk arritën t’i bënin ballë kualitetit të përfaqësueses argjentinase, që fillimisht dominoi lojën, më tej vuajti, ndërsa në fund u shfaq e papërmbajtshme. Heroi i ditës ishte pa dyshim Gonzalo Higuain. Sulmuesi i Realit të Madridit ka shënuar tre gola në këtë ndeshje (5 rrjeta në 7 aktivizime me fanellën bardhkaltër) dhe bëhet argjentinasi i tretë që realizon diçka të tillë pas Guilermo Stabiles (më 1930) dhe Gabriel Batistutës (më 1994 dhe 1998). Maradona i ka të gjitha arsyet për të qenë i qeshur: Leo Mesi nuk shënon, por dhuron spektakël kur ka topin nëpër këmbë, Tevez vrapon pafundësisht dhe lufton në çdo top, ndërsa aktivizimi i Di Marias (mesfushori i krahut do të luajë me Realin prej sezonit të ardhshëm) është konfirmuar si një vendim i goditur. Megjithatë, “Pibe de Oro” ka edhe mjaft probleme për të zgjidhur, kryesisht në repartin difensiv. Sa herë që kundërshtarët sulmojnë me dalje të shpejta, mbrojtësit gjenden në vështirësi. Por, festa e djeshme është prishur disi nga dëmtimi i Valter Samuel, i cili u largua nga fusha gjatë pjesës së parë për shkak të një problemi muskulor.
Në formacionin e hedhur në fushë nga Maradona kishte vetëm një ndryshim në krahasim me sfidën e parë. Trajneri preferoi të mos rrezikonte me Veron, i cili është i dëmtuar, duke aktivizuar Maksi Rodriguez në mesin e fushës. Taktika e ndeshjes u zbërthye që prej minutave të para: Argjentina sulmonte, ndërsa Koreja e Jugut mbrohej. Manovrat kryesore të amerikanojugorëve përqendroheshin nga e majta, ku Tevez dhe Di Maria kuptoheshin në mënyrë të përkryer. Në të 17-tën, sulmuesi i Mançester Sitit fiton një goditje dënimi, të cilën Mesi e harkon në qendër, ndërsa topi që përplaset në këmbën e Park çu Joung përfundon në rrjetë. Në të 33-n, Argjentina dyfishon shifrat dhe krijon përshtypjen se gjithçka u mbyll. Edhe ky gol lind nga një goditje standarde të cilën Mesi e pason shkurt te Maksi Rodriguez: topi i harkuar nga ky i fundit në qendër të zonës, devijohet nga Burdiso dhe shkon te Higuain, që i gjendur në shtyllën e dytë e dërgon drejt rrjetës. Por, pak përpara fundit të 45 minutave të para Koreja rihap lojën. Gafa e Demikelis i dhuron Li çungut një shans të artë dhe sulmuesi nuk shpërdoron. Rezultati 2-1 rrit shpresat e aziatikëve për të marrë rezultat pozitiv, madje në të 58-n vjen një mundësi e artë: Ki Hun gjendet i vetëm me portierin Romero, por në mënyrë të pabesueshme ai gjuan jashtë. Pas këtij rreziku, Mesi vendos t’i japë fund ndeshjes. Në të 76-tën, ylli i Barcelonës fillimisht gjen reagimin e portierit, ndërsa në tentativën e dytë topi godet shtyllën dhe shkon në këmbët e Higuain, që vetëm duhej ta shoqëronte në rrjetë. Dy minuta më pas vjen edhe “pokeri”, ku si gjithmonë është “pleshti” ai që frymëzon aksionet argjentinase: Aguero devijon lehtë, ndërsa Higuain e mbyll ditën me tripletë. Më në fund, Diego Maradona mund të buzëqeshë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›