E Diel, 1 Nëntor 2026

Surroi: Kosova - shtet jofunksional, por jo i dështuar


Publicisti dhe politikani i njohur i Kosovës, Veton Surroi tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se viti 2010 do të jetë periudhë e shtimit të trysnisë për fillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që nuk do të kenë të bëjnë me statusin politik, por më çështje që mund të kenë ndikim edhe në çështje të hapura siç është çështja e veriut.

Surroi tha se strategjia e paralajmëruar për integrimin e veriut të Kosovës është lajm i mirë, por nuk pret ndryshim rrënjësor në atë pjesë të vendit, që sipas tij është peng i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Duke folur për mangësitë e brendshme të vendit, Surroi ka thënë se këto mangësi shfaqen gjithkund, në të gjitha format e jetës. "Mjafton të përqendrohemi në ato që janë çështje kyçe, të incizuara në raportin e progresit të Bashkimit Evropian dhe ato përshkruajnë një shtet i cili nuk është funksional, i cili në masë të madhe është i dëmtuar nga ndërhyrjet jodemokratike qoftë në distribuimin e parasë publike, shpenzimin e parasë publike nëpërmjet korrupsionit, qoftë në ndërhyrjet politike në gjyqësorë apo në media apo në fusha të tjera, të cilat nuk do të toleroheshin në një shtet demokratik".

I pyetur nëse Kosova po rrezikon të rrëshqasë drejt asaj që quhet "shtet i dështuar", Surroi ka thënë se, Kosova është në këtë moment shtet jofunksional dhe nuk është shtet jofunksional vetëm për shkak të kosovarëve, por është shtet jofunksional edhe për shkak të bashkësisë ndërkombëtare e cila nuk e ka definuar shumë mirë rolin e vet këtu.

"Ekziston një shkallë dallimi mes jo funksionalitetit, ose jo funksionalitetit të plotë, që do të ishte rasti i Kosovës dhe dështimit. Nuk jemi shtet i dështuar, por mund të jemi shtet i dështuar nëse nuk ka lëvizje të cilat do ta vinin në funksionalitet shtetin, raportet e shëndosha demokratike, raportet e kontrollit të parlamentit mbi qeverinë, të qytetarëve mbi parlamentin, d.m.th raportet bazike të një shteti demokratik, funksional", tha ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›