Ekzekutohet me çifte babai i tre fëmijëve, mister shkaqet

VLORË/ Hasko Sina është vrarë në orët e vona të mbrëmjes së të hënës. Trupi i tij u gjet nga kalimtarët mëngjesin e djeshëm
VLORË - Një person është ekzekutuar gjatë orëve të vona të natës së të hënës, ndërkohë që ende nuk ka emër të autorit. Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur në Jonufër të Vlorës dhe viktimë është shtetasi Hasko Sina, 45 vjeç. Trupi i pajetë është gjetur vetëm në orët e para të mëngjesit.
45-vjeçari ishte ekzekutuar me një armë çifte.
Të dhënat e para të ekspertizës hedhin dritë mbi një vrasje të ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së të hënës. Në zonën e Jonufrës, pranë vendit që njihet si ish-Aksionistja, 45-vjeçari ka pasur një stan.
Ai kishte bagëti dhe kalimi në këtë zonë ishte i shpeshtë. Duket se autori ka njohur lëvizjet e Sinës dhe e ka pritur teksa kthehej nga stani. Duke qenë se rruga për në stan nuk ka qenë tërësisht e shtruar, 45-vjeçari kishte lënë makinën paksa më tutje dhe teksa ka bërë në këmbë rrugën nga stani për te automjeti i vet, ai është qëlluar.
Blutë kanë pohuar se ekzekutori ka qenë shumë pranë viktimës, çka nuk përjashtohet mundësia që ata edhe të kenë debatuar, por detaje të tilla mbeten të paqarta, pasi nuk ka pasur dëshmitarë. Zona është në pjesë kodrinore, ku nuk ka lëvizje dhe është e errët.
Trupi i pajetë, i cili ka pasur goditje në kraharor nga plumbat e çiftes, është gjetur vetëm në orët e mëngjesit të djeshëm. Kalimtarë të rastit, të cilët kanë parë trupin të mbuluar me gjak, kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer ekspertizen.
Trupi më pas është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Vlorës. Familjarët janë njoftuar për ngjarjen nga efektivë të policisë.
Në vendngjarje dhe më pas në zonën ku banonte 45-vjeçari, në kodrat e Ujit të Ftohtë, ka qenë edhe drejtori i policisë së qarkut të Vlorës, Ylli Metko.
Ende nuk ka motiv të qartësuar për ngjarjen, siç janë të paqarta edhe rrethanat e ndodhjes së saj. Burime nga policia pohojnë se po hetohet paralelisht në disa pista, një prej të cilave është edhe ajo e hakmarrjes së vjetër.
Siç bëjnë me dije burimet, vëllai i viktimës ka kryer një vrasje në vitin 1997, për të cilën ka vuajtur edhe dënimin. Megjithatë, ende policia nuk ka dalë me një version zyrtar për ngjarjen.
Burimet shprehen se ka mistere mbi ngjarjen, pasi ajo ka ndodhur në orët e natës, në një rrugë të errët, ndërkohë që janë të rezervuar në detaje, për shkak të hetimeve. Mësohet se viktima kishte ardhur në Vlorë prej disa vitesh dhe më parë kishte jetuar në fshatin Gjorm. Ai ishte babai i tre fëmijëve.