E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suspendohet polici që sulmoi doktoreshën

(E plotësuar) Është suspenduar polici, që paradite u akuzua për sulm fizik ndaj një doktoreshe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor, Arbër Beka ka njoftuar se fillimisht polici është suspenduar për 24 orë, dhe se pas këtij afati do të merret vendimi se si do të veprohet më tutje.

Ndryshe në orët e para të ditës, doktoresha Dafina Mahmutaj, ka lajmëruar organet e rendit, se është sulmuar të mërkurën nga pjesëtari i policisë së Kosovës i cili është edhe mbrojtës i afërt i krye kuvendarit Jakup Krasniqi.

Disa nga dëshmitarët i thanë Klan Kosovës se nuk bëhet fjalë as për sulm fizik e as verbal, por për një keqkuptim të vogël.

----------------

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, jashtë detyrës zyrtare, ka sulmuar fizikisht dhe e ka kërcënuar doktoreshën Dafina Mahmutaj në repartin e Kirurgjisë Abdominale, thuhet në një kumtese QKUK-ja.
Sipas këtij njoftimi, rreth orës 8 të mëngjesit pala kishte hyrë në dhomën e mjekëve dhe infermiereve duke kërkuar sqarim për një rast. Ai kishte kërkuar të kontaktonte me shefin e repartit.

Atij i është kërkuar të dalë jashtë dhe të pres derisa të vinte shefi i Repartit, por i irrituar nga kjo kërkesë, sipas njoftimit, thuhet ai kishte filluar ta sulmonte fizikisht doktoreshën Mahmutaj.

Në njoftim thuhet se gjatë gjithë kohës pala ekspononte armën që mbante në brez duke kërcënuar indirekt.
Më pas kishte intervenuar sigurimi i QKUK-së të cilët e kishin njoftuar edhe policinë për incidentin.

Pas arritjes së organeve të rendit ishte kuptuar se personi në fjalë ishte polic, edhe pse nuk ishte me uniformë dhe në detyrë zyrtare./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›