Suzana Guxholli: Biznesmeni Augusto Blacker Miller u rekomandua nga Bafjar Zeqo, banon te Kullat e Fidel Yllit
Këshilltarja për çështjet ekonomike e Kryeministrit znj.Suzana Guxholli u përgjigjet akuzave të Partisë Socialiste, lidhur me “arrestimin” në Shqipëri të një ish ministri peruan. Lajmi i ditës në mediat e kontrolluara nga PS rezultoi një gënjeshtër e madhe, por kjo s’është e gjitha. Personi i pretenduar, Augusto Blacker Miller është një mik i ngushtë i kryebashkiakut socialist të Fierit, Baftjar Zeqo dhe banon në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, te Kullat e Fidelit
Mediat pranë Ramës nxituan të shpërndajnë një lajm se, policia e Tiranë kishte arrestuar ish-ministrin peruan Augusto Blacker Miller, që sipas tyre, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2009-ë. Gazetat dhe televizionet e kontrolluara nga kreu i PS s’u mjaftuan veç me mashtrimin e arrestimit, por njëherazi po me aq nxitim e cilësuan si biznesmen që jetonte pranë selisë së Kryeministrisë. Faktet zbardhën se, Augusto Blacker Miller vërtetë jeton pranë selisë së Këshillit të Ministrave, por së pari jeton te Kullat Binjake të Fidel Yllit. Si dhe, përpara se të konsiderohet si një nga biznesmenët që ka përfituar lehtësira prej qeverisë (?), Augusto Blacker Miller është rekomanduar si investitor në Shqipëri nga krahu i djathtë i Edi Ramës, kryetari i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo. Fakte të mjaftueshme këto për të arritur në përfundimin se motoja e Partisë Socialiste “shpif, shpif se diçka do mbetet”, po i kthehet në autogol aksioneve të saj politike, pasi kuptueshëm dhe mirëfilltazi po përbalt veten.
Reagim i këshilltares për çështjet ekonomike të Kryeministrit, znj. Suzana Guxholli
Sot mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe ndonjë shpifës i paguar prej tij, mashtrojnë opinionin publik lidhur me arrestimin nga Policia e Tiranës të Manuel Augusto Blacker Miller, ish ministër i Jashtëm i Perusë i kërkuar nga Interpol.
Ky veprim i Policisë së Tiranës hedh baltë si mbi zotin Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij ashtu dhe mbi shpifësit e paguar që ai nxjerr.
Kompania në fjalë në mënyrën me këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit zoti Baftjar Zeqo, jo me një, por me disa letra drejtuar kryeministrit, por dhe me mesazhe SMS. Nëpërmjet letrave dhe mesazheve insistuese të vazhdueshme, kryetari socialist i Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie. Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka më se dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit.
Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli, rregull ky i pandryshuar në të gjitha kërkesat e autoriteteve vendore apo kompanive të biznesit, të cilët më pas drejtohen në institucionet përgjegjëse sipas fushave të projekteve.
Duhet të kesh moralin e Edi Ramës që të shpifësh se qenka strehuar në Tiranë pranë Kryeministrisë ai që ndalohet nga autoritetet e policisë shqiptare. Madje theksoj se është e vërtetë që ai është strehuar në Tiranë, por nga Fideli i tij në Kullat Binjake pronë e deputetit të PS, Fidel Ylli.
Policia e Shtetit: Nuk është arrestuar asnjë shtetas peruan
Policia e Shtetit sqaron se nuk ka kryer asnjë arrestim të shtetasit peruan, të pretenduar nga mediat, Augusto Blacker Miller. Në një deklaratë për mediat, Policia deklaron se ish ministri peruan nuk rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Lidhur me njoftimin e dhënë në disa media të shkruara dhe vizive, në lidhje me arrestimin nga strukturat e Policia e Shtetit shtetasit Augusto Blacker Miller, ju bëjmë me dije se:
Nga strukturat policire të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas Peruan me emrin Augusto Blacker Miller. Ish-ministri peruan, sipas Policisë së Shtetit shqiptar nuk rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjithashtu ju bëjmë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar”- thuhet në një deklaratë për shtyp të Policisë së Shtetit.
...