E Shtunë, 31 Tetor 2026

Svjetllana Josifoviç, që ndërroi mbiemrin

03-12-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Me rastin e vdekjes në dëshpërim

Svjetllana Allilujeva vdiq më 22 nëntor të këtij viti. Por vdekja e saj u bë e njohur vetëm më 28 nëntor.
Në librin e Simon Sebag Montefiores, (botim i “55-s”) Stalini përmendet në një  titull të trefishtë. Ai, si tiran. Bashkëpunëtorët e tij. Viktimat e tij. Por Svjetllana  nuk cilësohet vetëm si e bija e një despoti, por edhe si viktima e tij. Në këtë pamje e ka këqyrur të bijën fatkeqe të Stalinit edhe Alen Bullock-u, që përbën çiftin më të mirë të historianëve të mizorit gjeorgjian, së bashku me atë që përmendëm në fillim, Montefioren.
Svjetllana ka një veçori të dallueshme të fëmijëve të oborrit perandorak, në krahasim me pinjollët tanë homologë. E dënoi publikisht të atin dhe u arratis nga vendi i saj. Ndërsa fëmijët tanë të Bllokut, me përjashtime tepër të rralla (shkrimtari Bashkim Shehu, për shembull, bën përjashtim), kreshpërohen me azganllëk dhe na mburren se janë krenarë që i ati ka qenë në ato organe speciale, në të cilat kanë vënë firmat për ndëshkimet barbare të të pafajshmëve. Këto qëndrime zgjojnë kundërvënie të motivueshme në një sistem të tanishëm, diametralisht të kundërt me enverizmin, që i ka dhënë emrin edhe mendësisë homonime që u rrënjos për mosbërjen e destalinizimit (1956), kur të gjitha vendet e Europës, së paku, ndëshkuan krimet e Stalinit.
Svjetllana lindi në vitin 1926. U rrit me një mendeshë, si të gjithë fëmijët e funksionarëve të lartë. Kështu prindërit i shihte vetëm rastësisht. E ëma, Nadiezhda Alliluieva, që ishte gruaja e dytë e Stalinit, vdiq në vitin 1932, kur e bija ishte 6 vjeçe. Zyrtarisht u tha se pati një peritonit akut. Por regjimi nuk i shpëtoi së vërtetës së vetëvrasjes së saj. Sipas Bullok-ut, ajo kishte dëgjuar në punën e saj pranë Komisionit të Planit të Shtetit, me titullar Orxhinikixen, se fshatarët vuanin të zitë e ullirit nga uria në kolkozet staliniane. I shoqi këmbënguli të dinte emrat e “gënjeshtarëve” dhe ajo, nën trysni, tregoi disa prej tyre. Të gjithë u ndëshkuan ashpërsisht, me përjashtim të Krushovit që dinte ta mbante gojën. Më vonë edhe gjeorgjiani  Orxhinikixe, që e trajtonte si bijën e vet Nadiezhdën, u detyrua të vriste veten!
Svjetllana e ndjeu thellësisht vdekjen e së ëmës. Në moshën 16-vjeçare u dashurua me regjisorin  hebré Aleksej Kapler. Por Stalini ishte prerazi kundër kësaj marrëdhënieje. Madje e përplasi Kaplerin në gulagun e Vorkutës, në Siberi. Kur u bë 17 vjeçe , Svjetllana u dashurua me një shok të Universitetit të Moskës, Grigor Morozovin. Edhe ky ishte hebré. I ati u zemërua por ia dha lejen për martesë, ndonëse me kusht që të mos ia shihte sytë dhëndrit!  Çifti pati edhe një djalë, që lindi në vitin 1945, Por ajo u nda me Grigorin në vitin 1947. 
Burri i dytë i saj ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Stalinit, i biri i krahut të djathtë, Andrei Zhdanovit. Martesa u celebrua në vitin 1949. Në vitin 1950 lindi vajza, Ekaterina.  Por edhe kjo martesë nuk qé e hairit.      
Pas vdekjes së Stalinit, në mars të 1953-shit, Svjetllana mori mbiemrin e nënës së saj (Allulieva) dhe punoi si mësuese dhe përkthyese në Moskë. Në vitin 1963 u takua me një komunist indian, Brajesh Singh-in. Ky u kthye sërish në Moskë (1965) dhe punonte si përkthyes. Por këta të dy nuk u lejuan që të martoheshin.  Singh-i vdiq në vitin 1966. Svjetllanës iu dha leja të udhëtonte në Indi për t’ia çuar hirin familjes së  tij që do ta derdhte në lumin Gang. Ajo ndenji dy muaj në Indi. Gjatë kësaj kohe u vesh si vendasit.  
Më 6 mars 1967, pasi bëri një vizitë në ambasadën sovjetike në New Delhi, ajo vajti në ambasadën amerikane dhe i kërkoi azil politik ambasadorit Chester Bowles. Strehimi politik iu dha menjëherë. Megjithatë, për të shmangur ndonjë tersllëk me Moskën, ranë në ujdi që të ikte pa u zgjatur për në Zvicer, përmes Romës. Mbeti në Zvicer për nja gjashtë javë, para se të nisej për në ShBA.
Sapo arriti atje në prill të 1967-s, Allulieva mbajti një konferencë shtypi, në të cilën denoncoi regjimin e të atit  dhe qeverinë sovjetike. Synimi i saj që të botonte veprën autobiografike Twenty Letters To e Friend (“20 letra një miku”), me rastin e 50-vjetorit të Revolucionit të Tetorit, ngjalli zemërim në BRSS dhe qeveria kërcënoi që të botonte një version të paautorizuar. Botimi u bë para kohe në Perëndim dhe ky rast diplomatik u mbyll me kaq.
Ia mbajtën paksa hatrin, për shkak të profilit të lartë të dezertueses Alilluieva, si edhe për çiltërsinë e saj e për lidhjet që kishte si bijë e një të madhi etj. BS kërkoi nga Shtetet e Bashkuara, në dhjetorin e 1967-s, që dezertorët e tjerë të ardhshëm të mund të dëgjoheshin më parë nga funksionarët sovjetikë para se t’u jepej azili politik.
Në vitin 1982 u shpërngul në Kembrixh të Anglisë dhe në vitin 1984 u kthye në Bashkimin Sovjetik. Së fundi u vendos në Tbilisi të Gjeorgjisë. Fati familjar nuk i kishte ecur dhe s’i zinte vendi vend. Në vitin 1986 shkoi sërish në Amerikë dhe më vonë në Bristol, në vitet nëntëdhjetë. Vitet e fundit të jetës i kaloi në një shtëpi pushimi në §iskonsin, në shtrëngesë ekonomike.
Kujtimet e para ishin të suksesshme, por ajo muk iu dha prirjes së saj letrare, e cila i kishte dhënë të ardhura. Përgjithësisht mbeti e vetmuar, në gjendje të dëshpëruar.  Kujtimi i nënës nuk iu nda, ndërsa të atin e pasqyroi siç e kishte me hak. Ky kishte një dobësi të veçantë për të bijën por, megjithatë, ishte i ashpër ndaj saj, qysh në vitet e adoleshencës, mjafton t’i ngrihej pak fustani! Siç e përshkruajnë, na kujton ata patriarkalët tanë fanatikë të dikurshëm... Ashtu si e ëma, Nadia, që zgjoi dhembje për vdekjen e saj të parakohshme, po ashtu edhe vdekja e së bijës, i pikëlloi ata që e njihnin apo që e kishin lexuar nëpër libra shpirtin e saj të dlirë.   

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›