Kryesia e re e PS-së, kostumi politik i humbjes

Edi Rama sajoi një ekip kryesie, pjesëmarrësit e së cilës nuk do t’i krijojnë probleme pas humbjes së zgjedhjeve të radhës, në 2013-n. Vëzhguesit identifikuan dy grupe armiqësore, disidentët e përhershëm si dhe trazovaçët që dinë shumë për qeverisjen e korruptuar në Bashkinë e Tiranës
Makineria e numërimit elektronik u prish, pasi u kuptua se lista e përzgjedhur s’po fitonte votat e duhura
Mbledhja e djeshme e Asamblesë Kombëtare të PS-së, për më tepër problemi qesharak, apo komik, që u krijua “me prishjen” e makinerisë së numërimit të votave, konfirmoi falsitetin e “zgjedhjeve” të djeshme, të strukturave të kësaj partie.
Edhe një herë, në aktin e radhës të luajtur dje në një lokal të fshatit të Haxhi Qamilit, të tragjedi-komedisë së PS-së, fraza e famshme e Arturo Uit, “do të votojmë për atë që duam dhe do të fitoj ai që duhet”, fitoi legjitimitetin edhe në radhët e asamblistëve socialistë, duke i shtuar kësaj fraze edhe “gjetjen” haxhiqamiliste (prishjen e makinës së numërimit të votave), që Edi Rama “vuri në jetë”.
Pikërisht, kjo i duhej Edi Ramës…
Jo thjesht dhe vetëm prishja e makinës së numërimit të votave...
Por, “përzgjedhja” e emrave “fitues” që duhet të dilnin (dhe dolën), pas numërimit të votave në mënyrë “manuale”..., e thënë më thjesht..., me dorë...
“Emërimi” i djeshëm i emrave të rinj si anëtarë të kryesisë, forumit më të lartë drejtues të PS-së, ashtu si rrodhën ngjarjet (por edhe si pritej) ishte sfilita “fashion”-i e radhës, saktësisht kostumi politik i humbjes, që Edi Rama ka zgjedhur ti veshë kryesisë së re të PS-së..., në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013.
Deri atëherë Edi Rama ka të gjitha arsyet, të paktën që nga dje, të ndjehet i qetë, pse nuk do të shqetësohet nga askush...
Por, largpamësia e tij, shkon edhe më tej...
Për hir të së vërtetës, shkon pas humbjes edhe të zgjedhjeve të vitit 2013.
Ndaj edhe ai dje sanksionoi “mos kokëçarjet” e mundshme, pas humbjes së sigurt edhe të zgjedhjeve të vitit 2013.
Kryesia e re e PS-së, e konsideruar dje kostumi politik i humbjes së Edi Ramës, përfaqësohet nga emra të cilët, para nominimit si kandidatë, kanë pranuar si kriter të vetëm, kriterin politik të humbjes..., marrëveshje sipas së cilës ata kanë marrë përsipër, që për aq kohë sa nga dje (për hatër edhe se kështu e parashikon Statusi i PS-së që duhet të ketë kjo parti edhe një kryesi), do të jenë anëtarë të forumit më të lartë drejtues të partisë së drejtuar prej Edi Ramës, ata nuk do ti nxjerrin, apo krijojnë asnjë problem edhe pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të partisë së tyre, në vitin 2013.
Edi Rama vetë, pasi ka marrë të gjitha garancitë e nevojshme, “se asnjë nuk do të dalë nga rreshti”, sajoi dje në skenën e një lokali të fshatit të Haxhi Qamilit, kryesinë e PS-së, emrat e së cilës konsiderohen “të besueshëm” për qëndrimin e tyre “joproblematik”...
... Mbetet konfirmimi i humbjes së radhës të Edi Ramës në vitin 2013, për tu konfirmuar edhe “besueshmëria” e “joproblematikëve”...
E thënë ndryshe, mbetet që para ditës së djeshme ata që janë betuar “se nuk do ti nxjerrin e krijojnë probleme”, të pajtohen vërtetë me marrëveshjen që kanë bërë me Edi Ramën dhe të vazhdojnë “të ngopen me lugë bosh” edhe pas humbjes në vitin 2013, me “teorinë e politikës së politikës së re”..., me drejtim nga fryn era...