Swoboda: Kosova, kusht për Serbinë në BE

Eurodeputeti dhe kryetari i Grupit të Social-Demokratëve në Parlamentin Evropian, Johannes Swoboda, i ka bërë thirrje Beogradit të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës dhe të tregojë më shumë përkushtim në zgjidhjen e problemeve me palën kosovare.
Sipas tij, e ardhmja e të dyja vendeve dhe e rajonit në tërësi, do të jetë integrimi në Bashkimin Evropian, proces i cili nuk do të mund të finalizohet nëse Prishtina e Beogradi nuk i përmirësojnë raportet ndërmjet vete, dhe nëse vendet e rajonit nuk i përmbushin kriteret e nevojshme.
Në një debat me temën “Evropa mes teje dhe meje”, i cili u mbajt të shtunën në Prishtinë, Swoboda tha se zgjidhjet për shumë probleme që shteti serb ka me Kosovën, mund të gjenden në kuadër të dialogut aktual ndërmjet palëve. Eurodeputeti austriak e cilësoi të paqëndrueshme deklaratën e kryeministrit serb, Mirko Cvetkovic, sipas të cilit, pranimi i Kosovës nuk është dhe nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se modeli i Tirolit Jugor mund të jetë një zgjidhje për problemin rreth veriut të Mitrovicës.
“Njerëzit më të lumtur në Evropë sot, mund të them se janë ata të Tirolit Jugor. Ata gëzojnë përfitimet më të mëdha nga Italia, nga Austria dhe nga Bashkimi Evropian. Diçka e ngjashme me këtë duhet të gjendet për Mitrovicën brenda Kosovës, gjë që duhet të pranohet nga Serbia e Kosova”, ka shtuar Swoboda.
Ndërkaq, ai hodhi poshtë idenë e ndarjes së Kosovës, zbatimi i të cilës sipas tij, do të mund të prodhonte efektin e ashtuquajtures domino edhe në Maqedoni, Bosnjë dhe në vende të tjera të rajonit.