E Diel, 1 Nëntor 2026

Swoboda: Një delegacion i PE mund të ndihmojë për zgjidhjen

Rama: 2173 qytetarë gati t’i bashkohen grevës

Bashkimi Evropian ose një pjesë e tij duke përfshirë një delegacion të Parlamentit Evropian duhet të ndihmojnë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Ky është qëndrimi që mbajti dje nënkryetari i grupit socialdemokrat në Parlamentin Europian, Johannes Swoboda. Në një intervistë për “BBC”, ai vlerësoi se zhvillimet e fundit politike në Tiranë janë një sinjal i keq. “është e domosdoshme që të dyja palët të provojnë të gjejnë një zgjidhje. Nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë BE-ja ose një pjesë e saj, përfshirë një delegacion të Parlamentit të Europës duhet të ndihmojë që të gjendet një zgjidhje”, theksoi ai. I pyetur nëse kjo nënkupton hapjen e kutive të votimit siç e kërkon opozita, Swoboda u shpreh se “mund të jetë, nëse kjo nuk është një hapje e plotë dhe shihet si disfatë e qeverisë. Mendoj se të dyja palët duhet të bëjnë kompromise, ndryshe nuk është e mundshme. Por pranimi i zgjedhjeve në një anë dhe hapja e disa kutive në anën tjetër mund të jetë zgjidhje”. Sakaq, dje Edi Rama artikuloi fjalët qëndresë dhe këmbëngulje si armët e mbetura përballë mazhorancës që nuk tërhiqet nga pozicioni për të ndaluar hapjen e kutive. Zbatimi i kësaj sjelljeje politike ka gjasë të provokojë ndoshta për herë të parë atë që mund të përkufizohet si grevë urie maratonë. “Deri në momentin që flasim janë 2173 qytetarë dhe qytetare që kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e grevës së urisë...”, deklaroi dje pasdite para protestuesve të mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Duke siguruar edhe njëherë se opozita nuk do të bjerë në kurthin e degradimit drejt dhunës në protestën e vet, ai ka bërë të ditur se opozita nuk do të heqë dorë për asnjë moment nga opsionet e veta paqësore. Ideja e një greve maratonë mund të merret me mend qoftë duke pasur parasysh 17 ditët e ngujimit të tanishëm, që i kanë dhënë rezidencë opozitës përballë qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha. 2173 grevistë, si pjesë e një skenari që pavarësisht se paqësor, është radikal në përmasë, mund të nxisin bllokimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për një kohë të gjatë. Por paralajmërimi i kreut të opozitës, dëshmon më mirë se çdo gjë tjetër se deklarata e së premtes para protestës së madhe për “një zgjidhje të afërt” nuk është e vërtetë. Për qeverinë shqiptare kontigjenca njerëzore prej 2173 personash, të gatshëm për t’u ngujuar njëri pas tjetrit janë një sfidë e cila kërkon zgjidhje parandaluese. Kjo pse vullneti i kreut të opozitës mbetet i pandryshueshëm dhe pa dyshim i kombinuar me përpjekjet e riciklimit të protestave masive dhe bllokimit të rrugëve e tendos shumë klimën politike. Termat e Ramës në këtë kontekst e bëjnë edhe më të qartë ekstremizmin e qëndrimit të palëve, të cilat me deklarimet dhe kundërdeklarimet e këtyre dy ditëve kanë skualifikuar edhe opsionin e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore. “Askujt nuk duhet t’i shkojë mendja se sakrifica e atyre që janë në spital, e atyre që janë në këtë çadër do të shkojë kot. Ky është një gur themeli për atë Shqipëri të re që kemi luftuar këtu e 20 vjet më parë dhe që do të luftojmë...Votat janë vjedhur dhe mbahen mbyllur me një qëllim; që të vidhen përsëri e përsëri...Këtu do të na ketë, përballë, të vendosur deri në fund për transparencën që i duhet vendit në mënyrë që shoqëria jonë të çlirohet”, u shpreh Edi Rama. Ai këmbënguli se “Sali Berisha mund të thotë ç’të dojë, por nuk mund të bëjë ç’të dojë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›