Për 80 komisarë konkurrojnë 600 nënkomisarë

Angazhimi i forcave të policisë për mbarëvajtjen e rendit dhe për masat e marra për zhvillimin normal të aktiviteteve politike ka shtyrë konkursin e mbi 600 oficerëve policie, të cilët do të konkurronin për gradën komisar. Ky konkurs ishte planifikuar të zhvillohet javën që shkoi, pikërisht ditën e diel, por është shtyrë për një afat të pacaktuar, për shkak të zhvillimeve politike, që kanë kaluar policinë në gjendje gatishmërie.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklaroi zyrtarisht se javën që shkoi ishte planifikuar të zhvillohej konkursi për gradën “Komisar”. Për të fituar këtë gradë ishin regjistruar rreth 600 nënkomisarë në të gjithë vendin. Burimet policore treguan se afërsisht 200 prej tyre janë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Tiranës, ndërkohë që pjesa tjetër, afërsisht 2/3 e gjithë konkurrentëve janë nga rrethet.
Sipas të dhënave, këta nënkomisarë vijnë nga funksione të ndryshme si specialistë në drejtoritë e qarqeve, specialistë në drejtoritë e kufirit dhe migracionit, por nuk mungonin edhe shefa poste policie apo specialistë në komisariate. Gjithashtu, në listë janë përfshirë edhe specialistë të strukturave të tjera, siç janë komandantë grupi në reparte speciale dhe Ndërhyrjes së Shpejtë, apo edhe përgjegjës turni. Të gjithë këta persona do të konkurronin për funksione që u përshtaten gradës “Komisar”, nga shef seksioni në drejtori qarku, komisariati, ose në drejtoritë e kufirit, e deri te zëvendëskomandantët në repartet speciale të policisë. Gjithashtu, kjo gradë u përshtatet funksioneve si shef i njësisë antieksploziv, shef i njësisë së negocimit, shef fluturimesh dhe komandant ekuipazhi.
Megjithatë, gjatë tri javëve, e gjithë policia është angazhuar në mbarëvajtjen e aktiviteteve politike dhe për ruajtjen e rendit. Barra më e madhe për këto aktivitete i ka rënë Tiranës, e cila ka kaluar në gjendje gatishmërie. Madje, Drejtoria e Policisë së Tiranës është ndihmuar edhe nga shërbimet e tjera, me qëllim përballimin e kësaj situate. Duke marrë shkas nga kjo nuk është zhvilluar as konkursi i policisë për gradën “Komisar”. Sipas të dhënave zyrtare, nëse do të realizoheshin testimet përkatëse, duhej që të largoheshin nga shërbimet të gjithë oficerët që konkurronin për këtë gradë. Kështu është vendosur që testimet të shtyhen, me qëllim që ata të jenë në gatishmëri për të përballuar situatën politike të krijuar në vend.
Burimet policore tregojnë se 600 oficerët do të konkurronin për gradë, pavarësisht se për “komisar” të lira janë vetëm 80 funksione. Nga të dhënat që ka nxjerrë personeli, aktualisht në të gjitha strukturat nuk ka vende të tjera të lira për gradën “Komisar”. Nëse nga rreth 600 “nënkomisarë” që do të konkurronin, do të kalonin mbi 80 oficerë, që automatikisht marrin gradën “Komisar”, atëherë ata do të qëndronin në pritje, derisa të kishte një vend të lirë për ta. Burimet policore shpjegojnë se ata nuk mund të paguhen për gradën e re, pasi në polici për çdo ngritje në gradë, rritet edhe paga, por do të vazhdojnë të paguhen me gradën e vjetër. Atyre do u njihet grada dhe paga e re, vetëm pasi të gjendet funksioni i lirë për ta. Policia shpjegon se interesimi i lartë për gradën “Komisar” vjen edhe për shkak të rritjes së pagës.
Ky nuk është konkursi i parë i shtyrë gjatë kësaj kohe, pasi një tjetër konkurs është shtyrë në fillim të muajit maj, edhe ky për shkak të situatës politike të krijuar në vend. Sipas të dhënave, për shkak të protestave dhe grevës së përfaqësuesve të Partisë Socialiste para Kryeministrisë, policia ka pezulluar edhe shumë veprimtari të tjera. Gjithashtu, kjo ka sjellë shumë probleme edhe në zbatimin e detyrave të përditshme të uniformave blu. Aktivitete të anuluara e të shtyra janë edhe trajnimet e ndryshme që policia kryen në bashkëpunim me vendet e tjera, si në fushat e krimit të organizuar, krimeve të rënda, apo edhe rendit.
#