E Shtunë, 31 Tetor 2026

Swoboda: Presidenti i ri të ketë mbështetje të gjerë

Deklaratat e tij u bënë në Athinë, ku po zhvillon një vizitë edhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. 

“Unë mendoj se politikanët shqiptarë kanë nisur të bashkëpunojnë mbi çështje themelore të cilat po ashtu janë të domosdoshme për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian apo së paku për të nisur bisedimet. Unë mendoj se zgjedhja e Presidentit është një çështje shumë e rëndësishme sidomos në vende ku ende ka shumë dallime dhe ndarje, është shumë e rëndësishme për tu përpjekur për të shkuar bashkë në zgjedhjen e një kandidati i cili është mbi politikën dhe që ka besimin e të dyja palëve, të qeverisë dhe të opozitës”, ka thënë Swoboda sipas Partisë Socialiste.

Ai nënvizoi gjithashtu se është shumë e rëndësishme që të bëhet një reformë e përbashkët zgjedhore në përputhje me standardet evropiane. Mesazhi nga Evropa është shumë i qartë, është shprehur kryetar i grupit parlamentar socialist dhe demokrat në PE, se pa pasur zgjedhje të ndershme, të lira, transparente nuk do të jetë e mundur për Shqipërinë të vazhdojë me kërkesën e saj për të nisur bisedimet me BE-në.

“Në të gjitha zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri ka pasur probleme kështu që duhet të ishte bërë me kohë një reformë zgjedhore e cila të ishte gjerësisht e pranueshme në vend dhe gjithashtu në përputhje me standardet ndërkombëtarë evropiane. Mesazhi nga Evropa është shumë i qartë se pa pasur zgjedhje të ndershme, të lira, transparente dhe korrekte nuk do të jetë e mundur për Shqipërinë të vazhdojë me kërkesën e saj për të nisur bisedimet me Bashkimin Evropian, ndaj unë mendoj se është shumë e rëndësishme të bëhet së bashku një reformë e përbashkët zgjedhore në përputhje me standardet evropiane”, shtoi ai.

 Nga ana e tij, Rama shprehet se qeveria nuk po i përgjigjet thirrjeve të opozitës dhe të Komisionit Evropian. “Qeveria dhe kryeministri nuk po i përgjigjen as kërkesës së natyrshme publike për ta pasur statusin e kandidatit në vjeshtë, as thirrjeve të Parlamentit Evropian, as thirrjeve të Komisionit Evropian, as thirrjeve të opozitës për t’i bërë ato reforma që janë përcaktuar si kusht. E gjëja që duhet të ndodhte duhet të ishte që klasa politike shqiptare pikërisht në 100 vjetor t’i jepte Shqipërisë mundësinë që të merrte statusin e kandidatit për Bashkimin Evropian”, tha ndër të tjera kreu socialist. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-27 16:04
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›