Sybiha: OKB i dha Rusisë një sinjal të qartë, bota s’do ta tolerojë dëbimin e fëmijë ukrainas

Ministri i Jashtëm ukrainas Andriy Sybiha deklaroi se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka dërguar një sinjal të qartë se bota nuk do ta tolerojë zhvendosjen e detyruar dhe dëbimin e fëmijëve ukrainas.
“Jam i inkurajuar ndaj të gjitha shteteve anëtare të OKB-së që mbështetën miratimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ‘Kthimi i Fëmijëve Ukrainas’, e iniciuar nga Ukraina bashkë me 46 bashkë-sponsorizues,” shkroi në platformën X.
Sipas Sybiha-s, Asambleja e Përgjithshme ka dërguar një sinjal të qartë se “bota nuk do të tolerojë zhvendosjen e detyruar dhe dëbimin e fëmijëve ukrainas. Ajo e ngarkon sistemin e OKB-së me ndihmën për të lokalizuar, verifikuar dhe siguruar qasje ndaj çdo fëmije ukrainas të rrëmbyer – si një hap jetik drejt drejtësisë dhe ribashkimit.”
Sybiha theksoi se Ukraina do të vazhdojë bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar për të siguruar që kjo rezolutë të prodhojë rezultate të prekshme dhe mbrojtje të vërtetë të të drejtave të fëmijëve.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi rezolutën “Kthimi i Fëmijëve Ukrainas”, me mbështetjen e më shumë se 90 vendeve, 57 abstenime dhe 12 kundër.
Rezoluta u miratua me 91 vota pro, 12 kundër dhe 57 abstenime, duke arritur shumicën e dy të tretave të nevojshme. Rezoluta u miratua gjatë sesionit të 11-të të emergjencës speciale për agresionin rus kundër Ukrainës, për herë të parë që nga shkurti i vitit 2022.
Rezoluta kërkon nga Rusia të sigurojë kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe të pakushtëzuar të të gjithë fëmijëve ukrainas të zhvendosur ose dëbuar me forcë që nga fillimi i luftës.
Ajo mbështet punën e Koalicionit Ndërkombëtar për Kthimin e Fëmijëve Ukrainas dhe thekson rëndësinë e rehabilitimit dhe riintegrimit, duke përfshirë qasje në kujdes shëndetësor, mbështetje psikologjike dhe arsim.
Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka rrëmbyer të paktën 20,000 fëmijë ukrainas, ndërsa deri tani janë kthyer mbi 1,850 prej tyre.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Jashtme ukrainase Mariana Betsa e quajti këtë “operacionin më të madh shtetëror të rrëmbimit në histori”.
Nga ana tjetër, Rusia hodhi poshtë akuzat si “gënjeshtra cinike” dhe e cilësoi rezolutën si pengesë për përpjekjet e paqes.
Vendet që votuan kundër përfshinin Rusinë dhe 11 vende të tjera, ndërsa abstenimet vinin kryesisht nga vende afrikane dhe aziatike, si Kina dhe India.
Kjo rezolutë vjen në një moment të ndjeshëm, ndërsa SHBA-ja po përpiqet të ndërmjetësojë një plan paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, por përpjekjet kanë ngecur.
/rtsh.al/