Synojnë blerjen e ishujve grekë
Pas miratimit të masave të reja të shpëtimit në parlamentin grek, është hapur rruga për privatizimin e aseteve publike, përfshirë këtu ishujt. Greqia synon që nga privatizimet të përfitojë rreth 50 miliard euro, për të shmangur kështu falimentin e saj. Nga ana tjetër, kjo për Turqinë paraqet një mundësi të shkëlqyeshme për të zgjeruar territorin e saj.
Një kompani turke e patundshmërive tashmë ka shprehur interesimin për blerjen e ishujve grek.
“Nëse biznesmenët turq, si ne, i blejnë 30,40 ose 50 ishuj nga Greqia, ata pastaj do të mund të krijonin një bazë të fuqishme atje. Në këtë mënyrë, do të bëhej më lehtë për ne që të hapeshim edhe drejt Evropës. Po ashtu, në ata ishuj ne do të mund ta përfaqësonim Turqinë. Do të ishte e preferueshme që edhe biznesmenët tjerë turq të investonin atje, pasi që të hapim derën”, deklaroi Fikret İnan, kryesues i bordit të kompanisë FiYapı.
Edhe kreu i Këshillit të biznesit Turqi-Greqi në Bordin për Marrëdhëniet Ekonomike me Jashtë, Selim Egeli, është shprehur se tani është momenti i përshtatshëm që biznesi turk të investojë në Greqi. Ndërkohë, një drejtues i një kompanie ndërtimi ka deklaruar se planifikon të blejë të paktën tre ishuj. Ai madje ka sqaruar se ka në dispozicion 20 milionë euro për blerjen e tre prej gjashtë ishujve në shitje (Lichnari, Kaltsonisi, Mikri Amorgos, Kardiotissa, Nausika dhe Vouvalo), ndërkaq, siç ka pohuar, edhe 80 milionë euro janë planifikuar për investime pas blerjes.
Duke marrë parasysh kontestet e shpeshta greko-turke rreth një numri të ishujve grekë, propozimet e palës turke për blerjen e këtyre ishujve paraqesin një veprime të ndjeshme.