E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajramaj huazohet në SHBA

Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 12:13

Fatmire Bajramaj është djersitur mirë të dielën, por jo duke luajtur futboll, sepse Kombëtarja e Gjermanisë nuk kishte ndonjë ndeshje në kuadër të Kampionatit botëror të femrave. Por, kosovarja ka qenë viktimë e kamerës së fshehtë në televizionin ARD.

Aty 23-vjeçarja nga Istogu është mashtruar nga menaxheri i skuadrës të saj, Frankfurt, Siegfried Dietrich, i cili i kishte thënë asaj se klubi ka marrë vendim për ta huazuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Pasi e kuptoi që ishte një shaka, Bajramaj filloi të buzëqeshte, diçka që i ka munguar deri më tani prej fillimit të Botërorit të femrave, që po mbahet në Gjermani, pasi ajo në dy ndeshjet e deritanishme të përfaqësueses së Gjermanisë i ka pasur dy paraqitje si zëvendësuese në fitoret ndaj Kanadasë (2:1) dhe Nigerisë (1:0).

Mirëpo, në ndeshjen e radhës ndaj Francës, më në fund Bajramaj mund të luajë si titullare, sepse mesfushorja tjetër gjermane, Melanie Behringer ka lënduar ligamentet.

Gjermania ndeshjen ndaj Francës do ta zhvillojë të martën, në Monchengladbach, ku kosovarja do të ndeshet me një të kaluar të saj, pasi në gjashtë sezone ajo ishte pjesë e të rejave të FSC Monchengladbach.

“Është dëshirë e imja dhe shpresoj të më realizohet të luaj atje”, ka deklaruar Bajramaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›