Synon ta nisë aty ku e la

Loret Sadiku gjatë fillimit të këtij viti, nga ekipi i ligës së dytë suedeze Varnamo u transferua si një anonim te skuadra e njohur suedeze Helsingborg.
Por, vetëm pas disa ndeshjeve të zhvilluara në elitën e futbollit suedez, 21-vjeçari doli nga hija, duke zënë vend në formacionin bazë të ekipit të tij të ri.
Përveç kësaj, mesfushori kosovar, i cili ka luajtur tri ndeshje me përfaqësuesen U21 të Suedisë, ka mahnitur ekspertët e futbollit në këtë vend me paraqitjet e shkëlqyeshme.
Por, fatkeqësisht serinë pozitive ia ndërpreu lëndimi i pësuar në gju. Sadiku u desh të operohet, derisa mbeti jashtë fushës së gjelbër për disa muaj.
Megjithëkëtë, talenti kosovar ka hedhur prapa krahëve ditët e vështira dhe tani po bën plane që sezonin e ri të rikthehet edhe më i fortë.
“Sipas të gjitha gjasave do të mbetem edhe një vit te skuadra e Helsingborgut. Sezonin e kaluar nuk kam luajtur edhe aq shumë pasi e lëndova gjurin. Tani do të punoj që të rikthehem furishëm në skuadër”, ka thënë Sadiku për Express.
Sadiku e kishte nisur mirë eksperiencën te Helsingborgu, ku luan edhe kosovari tjetër Ardian Gashi, dhe ku ka arritur të fitojë trofeun e parë - Superkupën e Suedisë.
Helsingborgu sezonin 2012 e përfundoi në vendin e pestë në elitën e futbollit suedez, derisa një sezon më herët ishte shpallur kampion. Sadiku synon që në sezonin 2013 ta rikthejë titullin e kampionit.
“Normal që synimet e mia me skuadrën e Helsingborgut në sezonin e ri do të jenë titulli i kampionit”, theksoi Sadiku i cili ka kontratë me klubin suedez deri në fund të vitin 2014.
Talenti kosovar tek ish-skuadra Varnamo luante në mesfushë dhe shpeshherë shënonte edhe gola. Por, me transferimin te Helsingborgu ai u bë një qendërmbrojtës, ku me sukses ka kryer detyrën.
Loret Sadiku ka lindur në Kosovë, por lufta e solli atë dhe pjesëtarët e tjetër të familjes në Suedi. Ai filloi të luante futboll në Hanger Nese, kur ishte njëmbëdhjetë vjeç, derisa pas një viti kaloi te Varnamo, ku qëndroi deri në vitin 2012, kur transferua te Helsingborgu.