Të pahijshmit, më të mirë në fushë

Futbolli dhe hijeshia fizike duket se nuk shkojnë paralelisht. Madje, sa më shumë që një lojtar të jetë më pak i hijshëm, ka më shumë gjasa të jetë më i mirë në fushë.
Ky së paku është konkludimi i cili arrin nga profesori Ulrich Rosar, sociolog në Universitetin e Dusseldorfit në Gjermani, pasi i ka analizuar paraqitjet e lojtarëve të Bundesligës në sezonin 2007/08.
Pasi kishin vlerësuar bazën e atraksionit fizik të disa lojtarëve, sociologët i kanë analizuar me kujdes statistikat, duke përfshirë këtu notat e ndeshjeve, asistimet, golat dhe pasimet e duhura.
Më i miri në fushën e blertë ka rezultuar Franck Ribery, i cili vuan ende pasojat e një aksidenti të tmerrshëm me veturë, kur ishte fëmijë.
Sa i përket pamjes, mesfushori francez ishte renditur në pozitën e 480-të. Ndërkaq, tre ‘të pashmit’ e kampionatit gjerman, Markus Duan, Adam Bodzek e Markus Neumayr kishin rënë nga elita e futbollit gjerman në atë sezon me Duisburgun.
“Lojtari tërheqës di të jetë i pashëm, ndërsa është i vetëdijshëm se mund të jetë i vlerësuar edhe nëse nuk angazhohet në maksimum. Tifozët, në fakt, kanë një tendencë të pandërgjegjshme, duke e vlerësuar më shumë një lojtar për dukjen e tij sesa për kualitetet që nevojiten, disiplinën apo kreativitetin në lojë. Ndryshe ndodh me lojtarët e pahijshëm, të cilët ndihen më pak të përkrahur dhe mundohen të angazhohen më shumë në fushë”, shpjegon Rosar.
Nëse rezultati i nxjerrë nga Rosar (për Franck Ribery) mund të gjejë përputhshmëri edhe me Carlos Tevez apo Wayne Rooney, atëherë çka mund të themi për Cristiano Ronaldon ose David Beckham?
Pra, jo gjithmonë përshtaten analizat e nxjerra nga sociologët gjermanë, ngase dy të fundit, përkundër faktit se duken mirë, nuk u ka munguar asnjëherë angazhimi.
Sido që të jetë, tabloidi britanik Daily Star së fundmi e ka publikuar top 11-shin e lojtarëve më të pahijshëm, duke u renditur në fushë me një formacion 4-3-3: e nisim me Neville Southall (ish lojtar në Everton e Stoke), John Terry (Chelsea), Martin Keown (Wembley), Joleon Lescott (Manchester City), Phil Neville (Everton), Ronaldinho (Atletico Mineiro), Franck Ribery (Bayern Munich), Peter Beardsley (ish lojtar në Newcastle e Liverpool), Peter Crouch (Stoke), Wayne Rooney (Manchester United) e Carlos Tevez (Manchester City).