E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë e Maries

Çdo vdekje, të çfarëdo moshe, është dramë për të afërmit e atij që ikën. Për njeriun “in personam”, është mbyllje e qerthullit të gëzimeve, vuajtjeve, përpjekjeve për mbijetesë. Një krijesë unike si qënia njerëzore, vjen mes lotëve të tij dhe ikën mes lotëve të të tjerëve. Vdekja, është akti më dramatik i jetës, i vështirë për t’u pranuar në çdo moshë. Por kur vdekja merr një fëmijë, atëherë është më mizore se kurrë. Kur vjen nga dora e njeriut, është kundër logjikës. Ashtu si vrasja e adoleshentes që ndodhi para disa ditësh në veriun e vendit: Një vajzë më emrin Maria; me dy sy të mëdhenj që shikonin nga fotoja sikur donin të thoshin se “çfarë pune kam unë me barbarinë”; një portret i pafajshëm, që do prekte edhe më zemër gurin.

Është e disa qindëta vrasje e cila përgjak pa pushim këtë zonë të vendit; mekanizëm infernal, nga i cili nuk shpëton dot askush, nëse hyn në ingranazhet e tij. Një oficer që ishte larguar katërmbëdhjetë vjeç nga fshati i tij, dhe duke shkuar për të takuar të afërmit në Dukagjin, gjakësit e ftohin duke hipur në makinë; baba i frikësuar se hasmi i vriste djalin, dilte haptas që në pritë të binte ai vetë; janë ndodhitë e harruara të fillimviteve ’90, kur përbindëshi i fjetur u zgjua dhe korrte rrugëve të Shkodrës dhe shtigjeve të malësisë jetë njerëzish, që të parët e tyre kishin lënë llogari pa mbyllur. Një histori gati e harruar, me të cilën shqiptarët e rinj, u njohën nga novela “Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë, u rifut në jetën shqiptare. Akoma më e shëmtuar se hera e fundit. 

Gjakmarrja është një problem kompleks. Ka lidhje me traditën. Por për shkak të urbanizimit e modernizimit, ka humbur mekanizmat kontrollues të cilat i parashikon kanuni. Zbatuesit e tij nuk kanë të qartë procedurat për shkak të humbjeve që ka pësuar në kohë ky sistem zakonor. Rrjedhimisht, jemi dëshmitarë të vrasjeve tronditëse. Në përpjekje të zbutjes së tij, nuk kanë munguar shoqata të pajtimit të gjaqeve. Por sado qëllimmira të jenë këto iniciativa, nuk mund të zgjidhin të vetme problemin. Gjakmarrja, ka lidhje me nivelin ekonomik. Jo më kot, zonat ku lulëzon, janë edhe më të varfrat e vendit. Në rastin e fundit, përplasja ka ndodhur vetëm për një vijë uji, e cila e përkthyer në terma materialë do të thotë disa kuintal misër apo grurë, që gjithë - gjithë, bëjnë apo jo disa mijëra lekë. Fukarallëku i ka bërë këta njerëz që ta vlerësojnë jetën kaq pak. Dhe nuk është ndonjë devijim gjenetik. E kanë kretanët, siçilianët, sardët, korsikanët, baskët e duke ju afruar veriut të kontinentit, irlandezët. Pra një fenomen, që duke njohur karakteristikat e këtyre zonave, janë male të populluara nga njerëz të varfër dhe me temperament. Të vritesh për një vijë uji apo fjalë, është edhe faji i mungesës së shtetit në këto zona. Shteti këtu mungon në shërbimin shëndetësor, në arsim, në infrastrukturë dhe natyrisht në kontroll territori.
Paralelisht me problematikën objektive është edhe ajo subjektive që ka të bëjë me drejtësinë. Zogu e kufizoi fenomenin, duke e izoluar në krahinat problematike dhe kthyer këto në rezervate ku fatkeqët mund të vriteshin me njëri - tjetrin pa problem, deri në çastin që nuk kalonin cakun e krahinës. Hoxha, mendoi se e zhduku nëpërmjet dënimeve drakoniane për dorasit dhe internimeve për fisin, por koha tregoi se vetëm e kishte tulatur bishën. Shteti i sotëm, mendon se do zgjidhet fenomeni, vetëm duke aplikuar nenet e kodit penal, pa i kushtuar vëmendje specifikës së problemit. Atëherë cila mund të jetë rrugëdalja nga ky qerthull tek i cili duket se ka dështuar koha dhe gjithë llojet e sistemeve? E para përgjigje që është e logjikshme, është se një problem kompleks, kërkon një zgjidhje komplekse. Së pari duke filluar me Kodin Penal. Nuk mund të trajtohet një vrasje për gjakmarrje, me të njëjtën masë dënimi si ajo që bëhet për motive të dobëta. Krimi gjakmarrjes, është i përgatitur me mëndje të ftohtë dhe zbatuar me kujdesin e një organizate kriminale. Ndaj dënimi për të duhet të jetë më i rëndë se ai ndaj vrasjes së rëndomtë dhe i pa apelueshëm ose amnistueshëm. Në këtë mënyrë, kush e kryen një krim të tillë, nuk do ketë shpresa për të dalë nga burgu. Së dyti, shteti duhet të krijojë seksione të posaçme të atashuara pranë komisariateve të policisë apo prefekturave, ku të identifikohen familjet me këtë problem dhe të merren masa për eliminimin e shkaqeve nxitëse. Sherre që shpesh fillojnë për arsye banale, mund të shmangen nga ndërhyrja e një force të tretë. Këta punonjës mund të jenë ish - policë me eksperiencë apo punonjës social të kualifikuar, puna e të cilëve të monitorohet me rezultat konkret në terren. Gjithashtu, ka ardhur koha e krijimit të një komisioni shtetëror të përhershëm që të studiojë fenomenin dhe evoluimin e tij, si dhe të propozojë taktikat dhe strategjitë për minimizimin dhe pastaj eliminimin e tij. I përbërë nga historianë, sociologë, punonjës të lartë të policisë, me siguri do jetë ndihmesë për gjetjen e rrugëdaljes. Në vazhdën e ndërhyrjes së shtetit, duhet parë edhe futja e programeve shkollore, që t’ju shpjegojnë fëmijëve shkaqet, pasojat dhe dramën e këtij fenomeni. Ky shtet gjen fonde për romët, LGBT-të dhe minoritetet. Le të gjejë edhe për shqiptarët që kosa e vdekjes ju rri çdo ditë mbi kokë. Aq më e nevojshme bëhet kjo, pasi lëvizja e lirë e njerëzve ka sjellë praninë e popullsisë ku kanuni ka ndikim, edhe në zonat e Shqipërisë së Mesme. Vendosja në grupe, ka bërë që mos jenë të hapur ndaj integrimit. Kjo ndodh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet ku kanë emigruar, si Greqi, Itali apo SHBA. Duke jetuar në grupe të mbyllura, edukohen me frymën zakonore, duke qënë të rrezikuar të përfshihen në vorbull.
Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, duhet ndërhyrja e shtetit në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim në këto zona. Një mjedis sa më i qytetëruar sjell edhe një sjellje normale të njerëzve që banojnë në këto zona. Janë shqiptarë të zakonshëm, të cilët ashpërsia e natyrës, pakica e burimeve të jetesës dhe shërbimeve, i ka bërë më të ashpër dhe ekstremistë në gjetjen e rrugës të mbijetesës. Të cilët pjesa tjetër e popullsisë që i thotë vetes me kulturë dhe jeton në zonat urbane, duhet t’i ndihmojë të shpëtojnë nga ky mallkim. Që sy të pafajshëm si të Maries, mos na shikojnë rishtas të çmeritur nga faqet e gazetave, si dëshmi e barbarisë tonë; si akuzë ndaj snobizmit tonë perëndimor që kujtohet për ta vetëm pesë minuta si muhabet, kur bëhen lajm në gazeta.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›