E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ernest Tushe: Në '80-ën më arrestuan si "tradhtar i atdheut"

Ishte viti 1978. 18-vjeçari Nesti Tushe, student i vitit të parë të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, teksa stërvitej në fushën e basketbollit të ekipit "Studenti", u njoh me vajzën italiane Karla Sferlazzo. Karla ishte vajza e vetë ambasadorit italian, Xhuzepe Sferlazzo. Miqësia e tyre arriti te dashuria e fortë, lidhje e cila tërhoqi vëmendjen e gjithë opinionit të kryeqytetit të asaj kohe. Në prezantimin e familjarëve me këtë lidhje, fillimisht mori pjesë e ëma e vajzës italiane, që ishte pikërisht gruaja e ambasadorit, Enza Sferlazzo, e cila u tregua e lumturuar nga lidhja e vajzës së saj me djaloshin e kryeqytetit shqiptar, ku kishin ardhur për të shërbyer si diplomatë të vendit të tyre. Gjithsesi, djaloshi 18-vjeçar, - që bëri hapin e madh sa që tronditi administratën më të lartë të shtetit komunist, - edhe në momentin që lidhja e tij me Karla Sferlazzon kishte marrë jetë dhe përmasa populiste, nuk dinte akoma se ajo ishte pikërisht vajza e vetë ambasadorit italian, gjë që do ta mësonte shumë më mbrapa, si të takonte edhe të atin e saj.
Por çfarë ndodhi më mbrapa, në lidhjen e çuditshme që theu tabutë e kohës, kur sistemi komunist ishte në kulmin e shkëlqimit të vet. Si u mësua historia nga i ati i vajzës së dashuruar, që ishte vetë ambasadori italian, dhe familja e tij?

(Vijon nga numri i kaluar)

Zoti Tushe. E ndërpremë intervistën e numrit të kaluar në momentin kur, (në vitin 1978), marrëdhënia juaj me vajzën e ambasadorit italian Xhuzepe Sferlazzo, kishte marrë jetë dhe jehonë jo të vogël në kryeqytetin shqiptar të asaj kohe, në të cilin një veprim i tillë konsiderohej një "tabu" që nuk ishte guxuar të prekej nga askush. Ndërkohë që ju takuat nënën e të dashurës suaj, nuk e dinit që ajo ishte pikërisht e shoqja e ambasadorit italian?
Absolutisht jo. Madje këtë e kam marrë vesh shumë më vonë, si takova edhe babain e saj.
Babain e saj, ju e takuat menjëherë pasi kishit takuar të ëmën?
Jo, jo. Kjo situatë deri sa takova dhe të atin, vazhdoi edhe rreth 4-5 muaj. Madje që të jem i sinqertë, Karla nuk më kishte treguar se i ati i saj ishte vetë ambasadori i vendit të vet në Tiranë. Unë dija se ai ishte thjesht një diplomat që punonte në ambasadë, dhe asgjë më shumë. Madje edhe kur takova të ëmën e saj, që, siç të thashë, më mahniti, me një kulturë që te ne në atë kohë rrallë se e ndeshje, sepse kjo dukej nga mënyra se si ajo vlerësonte personalitetin e të bijës dhe mendimin e saj, por që unë nuk dija se kush ishin. Deri sa takova të atin, pas pesë muajsh si takova të ëmën e saj, ne takoheshim përditë, por që gjithsesi asaj lidhjeje i mungonte zyrtarizimi. Kjo, siç t'u shpreha, se nuk kisha takuar të atin e saj dhe ajo nuk ishte njohur me prindërit e mi, të cilët për hir të së vërtetës nuk ishin vënë në dijeni akoma. Me këtë dua të të them se lidhja jonë, megjithëse ishte fuqizuar shumë, aq sa nuk bënim dot as një minutë pa njëri-tjetrin, ende nuk ishte zyrtarizuar.
Dhe më pas takuat babain e saj?
Takimi me të atin ishte në një farë mënyre, zyrtarizimi përfundimtar i lidhjes sonë.
Ku e bëtë këtë takim?
Sigurisht në ambasadë. Isha thërritur në ambasadë, me qëllim që të linte të kuptohej se më ishte hapur dera e shtëpisë së tyre, pasi familja e tyre banonte në ambasadë, e cila ka qenë pikërisht aty ku sot është ajo amerikane. Pra, ajo godinë ishte ku sot është ambasada amerikane.
Si vijoi takimi?
Unë atë ditë shkova në ambasadë i shoqëruar nga vetë Karla. Në oborrin e saj na priste e ëma, Enza, së cilës që nga ai moment dhe deri në momentet që po të flas, unë i kam thërritur dhe i thërres "mama". Të dyja më shoqëruan në sallonin e pritjes, ku priste i ati, Xhuzepja.
Ju, edhe në këtë moment nuk e dinit se ishte ambasadori?
Po as unë nuk isha interesuar, se vetëm 18 vjeç isha, dhe mjaftonte fakti që ai ishte në ambasadë dhe këta ishin familje diplomatike, dhe kaq. Pra, as unë nuk kisha pyetur më shumë, por nuk mbaj mend që edhe Karla të fliste ndonjë herë për vlerat apo për karrierën e të atit, si e kemi ne shqiptarët që mburremi dhe me kushëririn e shtatë. Nuk e di mirë se pse nuk isha informuar, por gjithsesi nuk e vija në dyshim që ai ishte njeri i rëndësishëm në ambasadë. Që të mos zgjatem në detaje të pavlera, po them momentin kur shkova dhe u takova. Së pari, kuptova dhe pashë që ai ishte njeri i thjeshtë. Një burrë me një prezencë të habitshme dhe që fliste shumë mendueshëm. Takimi, mendoj se ka qenë një takim disi i ftohtë, pasi babai i Karlës, të cilin, si edhe të ëmën, unë e kam thërritur përherë "baba", siç ju thashë ishte një njeri fjalëpak dhe shumë i thjeshtë. Më takoi, duke më pyetur për shëndetin dhe për familjen së pari. Sigurisht, për familjen do pyeste për shëndetin e saj, pasi nuk vihet në dyshim që ai të mos e dinte gjendjen shoqërore dhe intelektuale të njerëzve të mi të afërt. Pas kësaj, më pyeti për lidhjen time me Karlën, gjë për të cilën siç m'u shpreh, atij i ishte bërë shumë qejfi.
Në ç'kuptim i ishte bërë qejfi?
Kjo kishte një kuptim të tillë, që donte të thoshte se e miratonte lidhjen tonë. Por e thoshte në formën që, ishte i kënaqur me zgjedhjen që kishte bërë Karla dhe si të tillë, ata e vlerësonin mendimin e saj. Pastaj më tha:
- Ki kujdes bir, se ti i njeh komunistët.
Unë, normal që iu përgjigja me atë naivitetin e adoleshentit, duke i thënë se "nuk po bëj ndonjë veprim të ndalueshëm që të kem kujdes. Unë jam i sinqertë dhe i kujdesshëm në veprimet e mia dhe se vendin tim e dua me shumë zemër. Pastaj, unë jam bir i një familjeje intelektuale, prindërit e mi ishin njerëz të besuar dhe të respektuar të shtetit, dhe kështu s'kisha arsye të isha i shqetësuar".
Ai, sigurisht e vërejti naivitetin me të cilin flisja, prandaj ma përsëriti. "Duhet të bësh kujdes me komunistët".
Ku e kishte fjalën?
Ato që nuk i dija unë, ai i dinte shumë më mirë. Për shembull, kur unë u ndodha në hetuesi dhe kur prisja me momente të më jepej dënimi me vdekje dhe të më përshkonte plumbi si tradhtar i atdheut, e kam kujtuar gjatë atë burrë të mençur dhe të kulturuar. Pastaj ai ishte shumë i djathtë dhe kishte urrejtje të madhe për komunizmin, gjë që ma tregoi pas viteve '90-të, kur unë dola nga burgu dhe shkova dhe i gjeta në shtëpinë e tyre në Itali. Madje, për detaj do të them se, kur kam shkuar në shtëpinë e tyre, kam gjetur aty dhe fotografinë e Musolinit. Pra, që ta mbyll momentin e atij takimi, jam duke ju thënë se ishte një takim më shumë kortezhe, që, si u shpreh kënaqësia e lidhjes, u paralajmërova për atë që mund të më ndodhte mua, pasi ata, siç të thashë, e dinin mirë mënyrën e funksionimit të sistemit. Pra, kishin hallin tim. Gjithsesi, takimi mbaroi dhe pas kësaj unë isha edhe më i sigurt në lidhjen time me Karlën. Rrinim gjatë, natë dhe ditë. Rrinim kryesisht në hotel "Dajti". Unë shkoja shpesh në ambasadë dhe isha bërë si i brendshëm aty.
Pra, po dilnit xhiro në Tiranë?
Nuk e kam për zakon të mburrem, por jam duke të thënë një të vërtetë, se, ndërsa ecnim në bulevardin kryesor ku ishte kthyer në traditë ajo xhiroja karakteristike e mbrëmjes, i ndjenim sytë e kureshtarëve të shumtë teksa na pikasnin, na shikonin me vëmendje. Madje shokët dhe shoqet që më njihnin ndalnin hapin dhe vërenin, pa guxuar të flisnin.
Pse nuk ju flisnin?
Sepse dihej se ishte një veprim i guximshëm dhe nuk kishte kurrfarë dyshimi për survejimin e rreptë që bënte Sigurimi i Shtetit. Por sigurisht, shikonin me vëmendje veshjen time, pantallona apo bluzë firmato, apo të jashtme siç i quanim atëherë, se nuk e kishim shumë idenë e firmave, por një gjë e dinte gjithë rinia e asaj kohe, se rrobat e jashtme ishin një luks i paarritshëm për askënd. Kështu që, teksa më shikonin me një vajzë të huaj përkrahu dhe me veshje të jashtme, ngjallej një farë simpatie, nga distanca si të thuash. Por më e bukura është se, ndërsa kthehesha natën në shtëpi, pas përcjelljes që i bëja Karlës në ambasadë, më prisnin poshtë pallatit kalamaj apo moshatarë të mitë, për të siguruar ndonjë çamçakëz, që ishte shumë i preferuar dhe i ëndërruar nga rinia e kohës.
Kur e mësuan prindërit e tu lidhjen tuaj?
Prindërit e mi e mësuan këtë fakt, pak pasi takova të ëmën e Karlës. Ata, panë që unë vija në shtëpi me veshje të reja, aq më shumë të jashtme, dhe s'kish si të mbahej sekret, dhe në të vërtetë, nuk kisha qëllim ta mbaja sekret. Jam duke folur për kohë më parë se të dilja publikisht me Karlën përkrahu. U thashë në shtëpi se si ishte puna. Nuk e pritën as mirë dhe as keq, por me qetësi. Prindërit e mi ishin intelektualë dhe nga kjo kam përfituar shumë në marrëdhëniet me ta. Të nesërmen, im atë ka shkuar në Drejtorinë e Punëve të Brendshme të Tiranës dhe u ka shpjeguar se si ishte problemi i të birit, pra problemi im. Ai u kishte thënë se si duhej të vepronte, nëse isha në rrugë të gabuar apo në rrugë të drejtë. Aty i ishin përgjigjur se nuk kishte ndonjë problem në lidhje me faktin që ai po u bënte prezent, dhe se e dinin shumë mirë. Me këtë i kishin lënë të kuptonte se nuk ishte i dënueshëm veprimi im. Pas kësaj, është bërë takimi zyrtar me të atin e Karlës, të cilin ta shpjegova në fillim të kësaj interviste. Pas kësaj, pra, si u takova dhe me të atin e saj, filloi lëvizja jonë e lirshme dhe unë hyja në ambasadë për darka e dreka dhe dilja me Karlën në çdo kohë, madje rrinim edhe deri në mes të natës në hotel "Dajti".
Po familjet tuaja, a u takuan bashkë?
Ato nuk janë takuar asnjëherë. Tashmë të dy prindërit e mi kanë vdekur, por që, ata të Karlës nuk arritën t'i njihnin asnjëherë.
Po Karla, vinte në shtëpinë tuaj?
Vinte dhe rrinte gjatë. Vinte pothuaj përditë, se bisedonte lirshëm me prindërit e mi, pasi të dy e dinin mirë italishten, aq sa ma kishin përcjellë edhe mua në nivelin "mirë". Por më e bukura është kur erdhi Karla për herë të parë, se u befasua dhe u shokua, pasi na pa si dhe ku gatuanim dhe se nuk e kishte menduar kurrë, që një familje normale tiranase të jetonte në kushte mizerable.
Si ndodhi?
Kur unë e çova për herë të parë në shtëpi, ajo pa që ne gatuanim në banjë me kamineto vajguri me fitila. Pa që nuk kishim frigorifer dhe lavatriçe. Kishim një televizor të markës "Iliria" të prodhuar në Durrës. Ajo thoshte çfarë ishte ai televizor dhe si mund të quhej televizor, ku ishte prodhuar, dhe rrinte si e përhumbur. Nuk u besonte syve, se si kishte mundësi të ndodhte diçka e tillë në një familje në qendër të kryeqytetit. Unë, nga ana ime po gënjeja veten, se mendoja se e kisha befasuar me "luksin" që kishte apartamenti im, i ndodhur në katin e dytë të një pallati mbrapa shkollës "Vasil Shanto". Por e kuptova indinjatën e saj, kur 3-4 ditë si ajo kishte qenë për vizitën e parë te ne, më marrin nga ambasada për t'i pritur në shtëpi, se do të sillnin disa materiale.
Kush ju mori?
Më ka marrë shoferi i ambasadës, që quhej Luli. Ai ishte nga Tirana dhe unë e njihja. Kishte ndodhur që Karla kishte shkuar në shtëpi dhe u kishte treguar prindërve të saj gjendjen ekonomike të banesës sime. Në këtë kohë, kishte koinçiduar që një punonjës i ambasadës ishte ndërruar me një tjetër. Punonjësi që do të vinte, kishte dërguar fillimisht plaçkat e shtëpisë të paketuara, ndërkohë që vetë nuk kishte ardhur akoma. Kur i erdhën plaçkat, babai i Karlës, apo ambasadori, i telefonoi dhe i tha që t'i blinte prapë ato plaçka, kryesisht mjetet elektronike, si frigoriferi, televizori me ngjyra dhe lavatriçja, se këto që kishte këtu i duheshin këtij dhe se lekët ia paguante kur të vinte. Kështu, këto i hipën në kamionçinën e Lulit dhe drejt e në shtëpinë time, ku u mblodh gjithë lagjja për të ndihmuar, se ishin të rënda. Mbaj mend se, kur i shkoi lavatriçja mamasë sime, ajo u gëzua më shumë se kushdo dhe thoshte se "kjo është nusja e tim biri". Këtë e bënte se kishte qenë e dëshiruar për diçka të tillë, pasi s'e shkonte as në ëndërr ta kishte. Kishte larë gjithë jetën me dorë në magje. Madje edhe plaçkat që më erdhën, një familje normale shqiptare nuk kishte shans t'i kishte ndonjëherë. Kam parasysh faktin tjetër, se vinin njerëz posaçërisht për të parë pultin e televizorit me sy, se nuk e kishin të qartë se si mund të kishte televizor me pult.
Dhe Karla thatë se vinte përherë në shtëpinë tuaj?
Vinte rregullisht. Ne nuk ndaheshim dot as natën as ditën, si i thonë fjalës. Unë çdo darkë e përcillja në ambasadë dhe të nesërmen, si mbaroja mësimin, takoheshim prapë. Dilnim në xhiro si përherë. Shkonim në shtëpinë time. Shkonim në shtëpinë e saj për darka dhe për dreka. Shumë herë rrinim deri në mesnatë në hotel "Dajti". Pra, kështu vijoi kjo histori, deri sa një ditë të bukur më arrestuan.
Kur të arrestuan?
Kishte kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga dita e takimit, pra e lidhjes sime me Karlën. Mbaj mend që ka qenë 11 nëntori i vitit 1980. Ora duhet të ketë qenë aty te 21.00-21.30. Kam qenë jo më shumë se 20 vjeç. Pra, s'i kisha mbushur akoma 20 vjeç, se doja dhe katër muaj, por nuk e mendoja se mbi mua do të vijonin një lumë akuzash të cilat kishin vetëm një qëllim, që unë të përfundoja para skuadrës së pushkatimit në tunelet e Dajtit, ku shkonin njerëzit e padë-shirueshëm të sistemit. Në atë orë të arrestimit tim që jam duke ju treguar, sa kisha mbaruar xhiron dhe po përcillja Karlën për në ambasadë. Mbaja me vete edhe biçikletën, por ecim në këmbë, duke biseduar. Sa e lashë te porta dhe ajo hyri brenda, unë u nisa për të ikur në shtëpi. Pashë së largu një makinë, që e mbaj mend si tani që ishte një "Fiat 135", të cilat dihej atëherë se i përdorte Sigurimi i shtetit, por që unë mendoja se ishin të sigurisë së ambasadës, sepse ato makina ishin normale të rrinin rreth saj. Sa fillova të eci, kur kisha marrë kthesën para vilës së ambasadorit të Francës, ajo vila që sot është përballë ambasadës amerikane, afrohet makina "Fiat 135" dhe prej andej zbresin dy veta. Më thonë se duhej të shkoja me ta, se kishin një sqarim për të bërë. Unë e nuhata menjëherë dhe u thashë se s'kisha pse shkoja, se isha në punën time. Por ata ngulën këmbë si me dhunë, duke thënë "Hajde hip dhe lëri llafet", ndërkohë që biçikletën e mori njëri prej tyre dhe, për ironi të fatit s'më është kthyer as sot ajo biçikletë, se quhej mall i sekuestruar. Në makinë më mbërthejnë prangat dhe më është komunikuar urdhri i arrestimit. Pas kësaj përfundova në qelinë speciale të 313-ës, ku do ta gdhija deri në mëngjes, nën terrorin e drurit dhe të shkelmave, si dhe në pyetje të paimagjinuara ndonjëherë në mendjen time djaloshare. Hetuesi e tillë do të vijonte jo pak, por plot 11 muaj, dhe vetëm rastësia do të më shpëtonte nga plumbi i ekzekutimit. Së fundmi, do të përfundoja në Spaç.
(Vijon nesër)

Ishte viti 1978. Djaloshi 18-vjeçar nga Tirana, Ernest Tushe, guxoi të dashurojë në "Rrugën e Ambasadave", - siç njihej ndryshe në kohën e periudhës komuniste blloku ku ishin dislokuar banesat e trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë. Por djaloshi i rrugës "Vasil Shanto", jo vetëm që 'shigjetën e dashurisë' e drejtoi mbi vajzat enigmatike dhe të survejuara, por ai goditi pikërisht mbi atë të kryediplomatit të ambasadës italiane të asaj kohe, Xhuzepe Sferlazzo. Pak kohë pas lidhjes së Nest Tushes me Karla Sferlazzo, jehona kaloi dyert dhe rrugët e lagjes ku lindi dashuria platonike. Çudia, për faktin se një djalosh guxoi të "gjuajë" në rrugën e ndaluar, mori jehonë në të gjithë Tiranën. Tashmë, ai fakt ishte mësuar edhe në shtëpinë e studentit të Ekonomikut. Gjithsesi, një kontakt i babait të djaloshit me autoritetet e Degës së Brendshme të kryeqytetit për t'i vënë në dijeni mbi atë që po ndodhte me të birin, qetësoi situatën alarmante të familjes, pasi zyrtarisht ai nuk mori shqetësim shtetëror. Pas kësaj, Nest Tushe do të bënte edhe takimet me familjarët e Karlës së tij të shtrenjtë, të cilët ishin vetë ambasadori Xhuzepe dhe e shoqja e tij Enza Sferlazzo, të cilëve ai do t'u thërriste ashtu siç vazhdon dhe në ditët e tanishme, me emrat e shumrespektueshëm "baba" dhe "mama". Kureshtarët e shumtë gjatë xhirove të mbrëmjeve në bulevardin kryesor të kryeqytetit, asnjëherë nuk do të rrinin pa ndaluar hapin teksa shikonin çiftin e "çuditshëm", që kishte thyer tabutë e sistemit, teksa ecnin shpengueshëm të veshur me rrobat që i lakmonte gjithë rinia e asaj kohe. Vajzat ndalonin me admirim kur kalonte çifti "Tushe", pa guxuar të shkëmbenin asnjë fjalë me shokun e tyre të hershëm, për arsyen se nuk kishte asnjë mëdyshje, se ishin nën vëzhgimin e rreptë dhe tepër të mistershëm të Sigurimit të frikshëm të Shtetit. Por jo vetëm ato, por edhe ish-shokët e Nestit nuk do të guxonin më të flisnin lirshëm me të, ndërsa nuk do të mungonin rastet që ta prisnin poshtë shkallëve të pallatit për t'i kërkuar një çamçakëz, si përdoruesi më magjik për rininë e kohës. Gjithë ajo situatë, sa e çuditshme aq dhe enigmatike, do të arrinte kulmin kur vajza e ambasadorit do të përfundonte në banesën e ndodhur në rrugën "Vasil Shanto", saktësisht mbrapa shkollës me të njëjtin emër, ku jetonin prindërit arsimtarë të të dashurit të saj tiranas. Shokimi për mënyrën e jetesës pa mjetet e nevojshme elektronike të kuzhinës dhe të funksionimit të një banese normale, bënë që pak ditë pas asaj vizite, të përfundonte poshtë pallatit kamionçina karakteristike e ambasadës italiane, në të cilën ishte vendosur televizori me ngjyra, si dhe lavariçja dhe frigoriferi modern. Shkarkimi i tyre dhe pjesëmarrja e gjerë e komshinjve të tyre për të kontribuar në transportimin e pajisjeve të ëndërruara dhe të parealizueshme për shqiptarët e zakonshëm, s'kishte si të mos tërhiqte vëmendjen e Sigurimit të Shtetit, i cili filloi të 'shqetësohej' nga karshillëku i adoleshentit të guximshëm. Kështu, një vit pas asaj lidhjeje, - kur një fakt të tillë e konstatonte gjithë Tirana, aq sa filloi ta shikonte jo më me çudi por me zili, - dhe pikërisht në 11 nëntor 1980, sapo doli nga dyert e ambasadës ku kishte përcjellë të dashurin e tij Karla, pas një xhiroje që kishin bërë në bulevardin kryesor të Kryeqytetit, u prangos dhunshëm nga Sigurimi i Shtetit, për t'u dërguar me urgjencë në qelitë e burgut të frikshëm, që mbante numrin e njohur 313. Pas kësaj, do të vijonin 11 muaj hetuesi intensive nën akuzat më të tmerrshme, duke filluar nga "agjitacioni e propaganda" e deri te "agjentura dhe tradhtia e lartë e atdheut", gjë që kërkonin me patjetër ekzekutimin e padiskutueshëm të Nest Tushes, të shkatërruar jo vetëm fizikisht por edhe moralisht. Ishte një ndërhyrje nga Haki Toska, ajo që mundi ta shkëpuste atë nga dhëmbët e vdekjes së sigurtë ku e kishte çuar montimi i hetuesisë së pamëshirshme. Pas kësaj, për të do të vijonin vitet e burgut në Spaçin e tmerrshëm, ndërkohë që mbi familjen, filloi persekucioni i tmerrshëm. Ambasada italiane këmbëngulte me forcë të madhe për lirimin e djalit, të bërë dhëndër i ambasadorit. Pas refuzimit për lirim të tij, ambasadori Xhuzepe kërkoi largimin e menjëhershëm nga Shqipëria në mënyrën më protestante, duke thënë: "Refuzoj të punoj në vendin e zi".
Pas viteve '90-të, kur mundi të dilte nga burgu politik, me shumë vështirësi, duke mbajtur mend adresën e banesës në Itali të mësuar dikur nga ish-e dashura e tij, Nest Tushe mundi të lidhej me anën e letrave me familjen e Karlës, gjë që u shoqërua me vajtjen e tij në Itali. Por tashmë ajo ishte e fejuar. Gjithsesi, familja dhe vetë Karla, rilidhën miqësinë e hershme, por tashmë vetëm mbi baza respekti reciprok. Pikërisht sot, kur është mbushur plot 35 vjet nga ajo ngjarje e çuditshme, zbriti në Rinas i vëllai i Karlës, Antonio Sferlazzo, i cili bujti në familjen e ish-të dashurit të dikurshëm të motrës së tij. Por çfarë tregon për lexuesin e gjerë të "Gazeta Shqiptare", vetë ish- adoleshenti i dikurshëm Nest Tushe, ndërkohë që pasohet edhe nga rrëfimet e vetë Antonios, mbi atë që kaloi familja për atë çka ndodhte me djalin e dashuruar. Madje, Antonio dëshmon për kohën e arrestimit të të dashurit të motrës, se, pasi nuk morën ndonjë sinjal për vite të tëra deri sa u rrëzua komunizmi në Shqipëri, ata mendonin se Nesti ishte ekzekutuar. Por gjithsesi, familja e tij e ka ndjerë veten gjithmonë përgjegjëse për atë që i ndodhi djaloshit tiranas, për faktin se e pësoi vetëm për lidhjen që bëri me vajzën e tyre, gjë që u ka shtuar dhembshurinë dhe miqësinë, mbështetur mbi historinë që ka kaluar.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›