E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset në hall

Ngurtësimi i kredidhënies nga ana e bankave dhe mungesa e parasë se gatshme po u shkakton telashe bizneseve. Përveç që nuk mund t’i shlyejnë borxhet dhe t’i kryejnë me sukses veprimtaritë e tyre, nga mungesa e kredive, bizneset kanë vështirësi për të paguar edhe punëtorët. Ramiz Kelmendi, pronar i kompanisë Elkos, thotë se në vitin që po e lëmë, kushtet e kreditimit nga bankat kanë qenë tepër të theksuara.

“Kreditë që i kam marrë në vitin 2007, nuk janë as sa gjysma që i kam marrë gjatë këtij viti”, thotë Kelmendi. Sipas tij, rritja e kredive të këqija e ka bërë të veten dhe, nëse kjo vazhdon, atëherë pritet thellim i krizës te bizneset. Madje, pritet të ketë edhe veprime të dhimbshme për punëtorët.

“Do të detyrohemi t’i ulim pagat ose largimin e punëtorëve nga puna”, tha Kelmendi.

Nga ana tjetër, ai thotë se ka edhe rënie të konsumit, gjë që ka ndikuar te bizneset të jenë me të kujdesshme në marrjen e kredive.

Nga komuniteti i biznesit, kjo shihet si dukuri shumë negative, që mund të thellohet edhe më tej në mot. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se gjatë vitit 2009 është krijuar një situatë jo e mirë e likuiditetit të firmave. Kjo ka ardhur, thotë ai, si pasojë e tkurrjes se kredive nga bankat.

“Shpesh jemi ndodhur në situata, në të cilat na është dashur të mbrohemi nga veprime, të cilat nuk konsideroj se kanë qenë të koordinuara mirë nga interesi ekonomik dhe i qytetarëve”, ka thënë Beqaj.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, vlerëson se bankat gjatë vitit 2009 nuk kanë treguar partneritet të leverdishëm për biznese, duke i ftuar ato që në mot të jenë më të vëmendshme.

“AKB-ja ka rekomanduar që të bëhet trysni për përmirësimin e kreditimit për afaristët kosovarë dhe të bëhet Ligji për themelimin e Agjencisë për garantimin e depozitave bankare të qytetarëve”, ka thënë Shahini.

Ndërkaq bankat komerciale pranojnë se e kanë shtrënguar dorën për kredidhënie. Si arsye përmendin rritjen e kredive të këqija dhe rënien e depozitave. Sipas raportit të BQK-së, kreditë e këqija janë në rritje, ku nga 3.7 për qind sa ishin raportuar para tre muajve, tani kanë shkuar në mbi 4 për qind. Në total bankat kanë dhenë 23.8 për qind më pak kredi, krahasuar me vitin e kaluar.

Alban Hashani, nga instituti “Riinvest”, ka thënë se ulja e normës së rritjes së kredive të lëshuara nga bankat, pasqyron kujdesin e tyre për të bartur rrezik, në kohën kur ekonomia nuk ka performancë të mirë.

“Shqetësues mbetet ngadalësimi i theksuar i kredive për biznes dhe rritjes së kredive për ekonomitë familjare, kur dihet se efektet ekonomike kryesisht gjenerohen nga bizneset”, ka thënë Hashani.

Një situatë e tillë, sipas tij, rrit gjasat e ngritjes së nivelit të kredive të këqija. Gjithashtu ndërmarrjet e kanë të vështirë zhvillimin si pasojë e mungesës së kredive dhe përballen me vështirësi për të paguar punëtorët.

“Rrjedhimisht edhe punëtorët kanë vështirësi në servisimin e kredive të tyre”, tha Hashani.

Komuniteti i biznesit për në mot kërkon trysni më të madhe në sektorin bankar për përmirësimin e kreditimit për bizneset kosovare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›