TË RROSH A TË MOS RROSH NË (NËN)SHKODËR, KJO ËSHTË ÇËSHTJA!
...Se nuk rronim dot në male, u shkulëm prej andej dhe zumë vend në fusha. Por tash që fusha po na përmbytet herë pas here, dimër për dimër, si t’ia bëjmë? Nga t’ia mbajmë? Të ngjitemi prapë në male, te stërgjyshërit?... E nuk po përmbytet vetëm fusha, domethënë vetëm Nënshkodra, por “poshtë nivelit të ujit” na ka dalë këto dy vitet e fundit dhe vetë qyteti i Shkodrës. Po përsëritet ajo që dikur kronikat e quanin “uji i madh”, zemërimi i motit, stuhive, bubullimave, shirave të pandalshëm, fryrjes së përrenjve malorë, për rrjedhojë dalja nga shtrati, por dhe nga “binarët”, e krejt pellgut ujëmbajtës të Shkodrës, trinomit të famshëm ujor: Liqeni, Buna, Drini, pa harruar dhe Kirin, Gjadrin etj.
Teksa ndiqja me shqetësim njerëzor dhe qytetar pamjet përmbytëse të Shkodrës gjithandej, sepse mendja herë pas here më shkonte larg, lart, në kreshtat e Valbonës, ku lumi më i bukur i vendit kishte “dalë kryqesh” (si do të thoshin gjyshet) dhe kishte vënë përpara rrugën, drurët pyjorë, gurët gëlqerorë, vetë bukurinë e alpeve tona. Mirë fusha, që nuk shihet më, as shëtitoret e qytetit nën hijen e Rozafës, po lugina e Valbonës çfarë pati? (Kishim qenë vetëm një muaj më parë në Grykën e Rugovës në Kosovë dhe këto ditë, kur ndodhi përmbytja këndej, nuk dëgjuam për ndonjë përmbytje dhe të zonave fushore që përshkohen nga lumi që del prej asaj gryke mrekulluese. Ndoshta ngase atje nuk pamë asnjë dru a shkurre të prerë!) Mundet, pra, që Valbona dhe gjithë simotrat apo sivëllezërit e saj e kanë humbur përfundimisht magjinë dhe kthjelltësinë dhe tani shkasin nëpër lugina të zhveshura nga pyjet, duke mos pasur pritë që ta ndalë me vërshimin e tyre përmbytës. Tash po shihen mirë e bukur pasojat e dëmtimeve mizore mbi pyjet, kullotat, lëndinat e maleve në këta 20 vjet. Ndërkohë që ky vend që nga viti 1990 ka pasur pareshtur në krye qeveritarë të lartë, të majtë e të djathtë, që kanë dhënë e marrë me pyjet, por asnjëherë duke i mbrojtur ato nga sëpata, sharra, gatrat, zhbimja e pamëshirshme e tyre. Ata zotërinj sot janë sërish në këtë vend duke kundruar pamjet shkatërruese të keqqeverisjes së tyre. Janë gërryer lumenjtë, duke iu shkulur gurin e fundit, sa nuk mbahen më vërshimet e tyre, që shpesh kërcënojnë dhe rrugët moderne përgjatë tyre.
Sa herë ndodh ndonjë përmbytje, kujtohemi se ka argjinatura që duhet të ndërtohen të reja, bende që mund të shpërthejnë, diga hidrocentralesh që rrezikojnë, ujëmbledhës të shumtë që dikur përdoreshin për vaditje e tash janë në mëshirë të fatit. Ditën që Kryeministri i vendit, zoti Berisha, ishte duke inspektuar bendin e Torovicës, që ndalon ujërat e zonës së Nënshkodrës të vërshojnë mbi ish-kënetën, lezhjanët thoshin se po shpërtheu ai (larg qoftë!), uji këtu në qytet shkon deri në një metër e gjysmë! Ndërkohë që jo për herë të parë dhe lumi i Matit, pasi e kishte përmbytur Skurajn po i bënte karshillëk Autostradës së re, në pjesën Milot-Rubik. Gjithsesi, harta e “shiut”, që kishte përmbytur fushën, zgjatej nga Nënshkodra, në Lezhë, Fushë-Krujë, Durrës, Fier... Njeriu që sheh këtë plojë natyrore, s’ka si të mos mendojë se ç’duhet të bëjë në të ardhmen, a duhet të vazhdojë të banojë më në fushën e aq shumë ëndërruar, si një “tokë e premtuar”, apo sërish duhet të zërë malet? Se fundja atje, nuk do të përmbytet deri në tavan të shtëpisë. Apo atje dhe, më keq, një ditë mund t’ia mësyjë dhe orteku? Si do të garantohet tash e mbrapa jetesa në komunat: Ana e Malit, Bushat, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi, Velipojë? Por dhe në lagjet e qytetit të Shkodrës, “Salo Halili”, “Guerile” etj. A mundet që njerëzit ta shtyjnë jetën në varësi të tekave të motit, kapriçiove të natyrës dhe dilemës nëse do ta shkarkojnë apo jo ujin e hidrocentraleve zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë, para se ai të vërë përpara shtëpitë dhe pronat e tyre? Është normale të flitet për hidrocentrale të reja, të vogla e të mëdha, për shtimin e energjisë elektrike, por a ka sot një raport shtetëror se ç’ndodh me qindra ujëmbledhës anembanë vendit, a mirëmbahen digat e tyre, apo për ta kujtohemi vetëm kur ndodhemi në situata të tilla kritike? Një inxhinier i njohur ngrinte shqetësimin e digave të harruara, duke treguar jo më potencialin e tyre vaditës, por atë të rrezikut që paraqesin në kushtet e mosmirëmbajtjes. Shumica e shqiptarëve as që e dinin se kishte një argjinaturë në Torovicë, ndërtuar qysh me tharjen e kënetës, por mësuan për të kur ajo u bë e rrezikshme për një zonë të tërë; ashtu si njerëzit u kujtuan për liqenin artificial të Farkës në Tiranë kur humbën jetën disa vetë nga një varkë që u përmbys në të.
Nuk është fjala për ta nxirë gjendjen, por realiteti që pamë me sytë tanë nuk lejon asnjë iluzion. Nëse nuk ngrihemi të gjithë, nëse nuk e kemi me gjithë mend edhe kësaj here, prapë vitin që vjen do të ndodhë si sivjet dhe ajo që do të shohim më së shumti do të jetë kulla e ftohtë e politikës, që shtie e shtie pa pushim mbi absurdin e vetvetes!... Dikur të vjetrit thoshin se “aty ku del uji njëherë/ as mos fli, as mos ngre shtëpi”, por në kohë moderne (përveçse te ne) kjo do të tingëllonte e tejkaluar, pasi ekzistojnë të gjitha mundësitë që huqet e natyrës të frenohen plotësisht. Nuk është rasti këtu të dëftohen modelet mbrojtëse në vendet e tjera, qoftë dhe ato fqinje, pa folur për vende përrallore të bëra nga dora e njeriut, ku është kthyer në strategji ndërtimi i veprave të mëdha inxhinierike mbi sipërfaqet ujore, jo vetëm ura e diga, por kështjella të vërteta arkitekturore, lagje dhe qytete të tëra që duket sikur notojnë mbi valë e dallgë detesh. Me gjithë përgjegjësinë e madhe, nuk mendoj se është vetëm qeveria që duhet ta marrë në dorë këtë punë me përkushtim maksimal, por bashkërendimi i një serë faktorësh mund ta krijojë atë “argjinaturën” e nevojshme mbrojtëse, ku janë dhe ministritë, dhe bashkive e komunat, dhe projektet e zhvillimit rajonal, dhe agjencitë e ndryshme, madje dhe një bashkëpunim ndërshtetëror, siç është ai me Malin e Zi në rastin e thellimit të shtratit të Bunës etj. Mund të jenë argjinatura, bende, by pass-e, thellim lumenjsh apo krijim kanali në det, ndërtime veprash shkarkimi etj. Flitet për rreth 100 km argjinaturë vetëm në zonën e Shkodrës.
Është e papranueshme që një lumë dikur i lundrueshëm si Buna të mbërrijë në atë gjendje sa të na përmbytë vit për vit. Si të jetë ringjallur prapë legjenda e Rozafës, ku atë çka ndërtojmë me mund në tri stinët e tjera, vjen dimri (nata) dhe na e përlan, e vë përpara dhe e shkatërron dhe ne sërish mbetemi në qiell të hapur, me “kështjellën” që nuk i mbajnë themelet...