E Shtunë, 31 Tetor 2026

“TAP sfidon konkurrenten NABUCCO, tjetër marrëveshje të rëndësishme”

22-01-2013 / Gazeta 55

Shtohen marrëveshjet e gazsjellësit, ministri Haxhinasto takon ambasadorin Gaiani
 
Projekti  TAP ka sfiduar me një tjetër marrëveshje konkurrenten e vetme në garë NABUCCO. Palët janë duke shtuar marrëveshjet e bashkëpunimit për të fituar pikët gjatë vlerësimit që do të bëjnë azerët në muajin qershor. Në këtë kuadër TAP ka kërkuar bashkëpunim në projektin Trans-Anatolian, tubacionit (TANAP), që është një linjë gazi Azerbajxhan-Turqi. Marrëveshja për këtë gazsjellës u nënshkrua në fundjavë nga presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alijev. TAP ka shprehur interes për projektin. Drejtori Menaxhues i TAP, Kjetil Tungland, në një deklaratë përgëzon Azerbajxhanin dhe Turqinë për ratifikimin e marrëveshjes për TANAP, duke  e vlerësuar hap të rëndësishëm në realizimin e Korridorit Jugor të Gazit. “TANAP është një lidhje e rëndësishme në të gjithë zinxhirin e Korridorit Jugor të gazit dhe ne e shikojmë si një hap përpara për të vazhduar bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me TANAP”, tha Tungland. Kjo marrëveshje është përshëndetur edhe nga Komisioni Europian. Ndërkaq dje zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto priti në një takim ambasadorin e Italisë në Tiranë Massimo Gaiani. Në takim u diskutua për intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e energjetikës dhe çështje të tjera në ekonomi. Në vijim të nënshkrimit pak kohë më parë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë lidhur me projektin Trans Adriatic Pipeline (TAP), u diskutua për përfundimin e marrëveshjes ndërqeveritare mes tre vendeve lidhur me angazhimet konkrete të palëve në këtë projekt, planifikuar të firmoset në muajin shkurt. Një tjetër çështje e fushës energjetike që u diskutua në takim, ishte dhe investimi në linjat e interkonjeksionit Shqipëri - Itali si dhe interesi i shprehur rishtas nga investitorë të tjerë në këtë projekt, i cili mendohet të ndërtohet paralel me gazsjellësin e TAP-it. Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për realizimin e mundësive të bashkëpunimit në investime të tjera në fushën e energjisë, veçanërisht në projekte si ato mbi lumin Vjosë, etj.

 

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›