Berisha: Rrugëzgjidhje bashkimi kombëtar - Shqipëria do ta mbrojë çështjen e Preshevës

Tensionet në Preshevë, Shqipëria do rishohë marrëdhëniet me Serbinë
I ashpër ka qenë reagimi i kryeministrit Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për sa i përket heqjes së përmendores së ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Sipas tij qeveria do të rishohë marrëdhëniet me Serbinë pas këtij akti, i cili dëshmoi frikën e Serbisë. Por për kryeministrin shqiptar ka vetëm një rrugë, ajo e bashkimit të kombit shqiptar, që mund të çlirojë fqinjët nga urrejtja shekullore. “Dje (pardje) në Luginën e Preshevës, para qytetarëve, kamerave televizive u shpalos edhe njëherë me egërsi të vërtetë, racizmi, urrejtja dhe frika ndaj shqiptarëve, nga autoritetet e Beogradit. Me forcën e mitralozave, autoblindave, të njësive speciale u shkul nga qendra e qytetit të Preshevës, përmendorja e heronjve të kombit shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët ranë në një përballje heroike me pushtuesin, me falangat e Sllobodan Millosheviçit, në një kohë kur sipas të gjitha dokumenteve ndërkombëtare, të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera, shqiptarët e Preshevës ishin qytetarët më të shtypur në Europë dhe ndoshta në Botë. Lufta e tyre heroike bëri që ‘Sadami i Ballkanit’, të detyrohet të firmosë marrëveshje dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar, për tu njohur atyre më shumë të drejta, më shumë autonomi dhe kjo është autonomia që ju njeh Beogradi. Është në të drejtën e autoriteteve lokale, të vendosin institucionet e tyre kulturore, shtatoret dhe simbolet e tyre. Deri dje, ata u detyruan të ulen në marrëveshje me ta dhe pas marrëveshjes, jo të gjithë e zbatuan, por me një gjuhë të denjë vetëm për ta, i krahasuan me Al Kaedën. Ky akt dëshmon edhe njëherë se ka vetëm një rrugë, bashkimi i kombit shqiptar, në mënyrë që shqiptarët të gëzojnë liritë, që i fituan me gjak. Asnjë e drejtë nuk u është dhënë shqiptarëve qoftë edhe 10 vite më parë, pa sakrificat e tyre sublime. Çdo e drejtë e tyre është e njomur me gjakun e të rinjve, vajzave, djemve, grave dhe burrave të kombi shqiptarë, në trojet e tyre etnike shekullore ku jetojnë. Urrejtja ndaj shqiptarëve është e akumuluar në shekuj, është e induktuar në qeliza dhe këto zhvillime tregojnë se është iluzion, të mendosh se ata, të cilët kanë ngritur malet me urrejtjen ndaj shqiptarëve do të mund të çlirohen shpejt ndaj saj. Jo, është iluzion. Ndaj dhe uroj dhe dëshiroj që shqiptarët kudo që ndodhen, sot më shumë se kurrë, të punojnë për bashkimin e tyre njeri me tjetrin, si rruga me e sigurt kjo, e një zhvillimi, e ndërtimit të të ardhmes, por edhe e çlirimit të fqinjëve tanë, nga fobitë shekullore të akumuluara ndaj shqiptarëve. Nuk çlirohen ndryshe dhe kjo do ti ndihmojë dhe ata. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë akt, qeveria do të shqyrtojë të gjitha marrëdhëniet me Serbinë dhe unë i garantoj qytetarët e Preshevës se, Shqipëria është e vendosur të bëjë gjithçka, në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Ne po e ndiqnim me shumë vëmendje zhvillimin dhe aty po negociohej dhe në Preshevë kishte përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët po negocionin me palët. Nga një anë negociohej, nga ana tjetër ngrihej dhe bëhej gjithnjë e më i madh trupa policeske, që do të ushtronte terrorin dhe të hiqte përmendoren”, tha kryeministri. Berisha i kërkoi bashkisë së Tiranës që një nga rrugët e qytetit të marrë emrin rruga “Heronjtë e Preshevës”, sikundër çështjen e tyre të drejtë, Shqipëria do ta mbrojë në çdo arenë. Kreu i qeverisë shqiptare i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar, të mos përdorin dy standarde; një standard për serbët e Mitrovicës së veriut dhe një standard për shqiptarët e Preshevës. “Shqiptarët e Preshevës janë sot zona më e varfër në Europë. Serbia nuk mund të kërkojë asnjë të drejtë më shumë se, ato që përcaktojnë Konventat Europiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Europiane e Minoriteteve, Karta e Autonomisë Lokale dhe ato do të zbatohen si për serbët e Mitrovicës, ashtu edhe për shqiptarët e Preshevës. Jo ti ndajnë, pse njëra palë përpiqet të zbatojë ligjet dhe pala tjetër shndërron territorin në një ishull të kontrabandës rajonale, me ndihmën e Beogradit”, theksoi kryeministri Berisha.