E Shtunë, 31 Tetor 2026

TE HIQET TABUJA E KUR‘ANIT

Abdulvehab Medeb (Abdelwahab Meddeb), autor i librit "Sëmundja e islamit", që është përkthyer në shqip para dy vitesh, ka botuar një libër të ri, me titull "Të lirohemi nga mallkimi: Islami mes qytetërimit dhe barbarisë" (Paris, Seuil, 2008). Medeb vazhdon me guxim shqyrtimin e temës së sëmundjes së islamit dhe nevojës që libri i shenjtë, Kurani, të mos trajtohet më si tabu. Shkenca duhet lejuar që të analizojë objektivisht historinë, tekstin dhe domethëniet e Kuranit. Kjo intervistë është botuar në "Le Nouvel Observateur"

Libri juaj i ri është një traktat për "shërimin e islamit" nga sëmundja e islamizmit. Që të ketë sukses shërimi, ju propozoni që pa hezitim, si parakusht i çdo kurimi, të "thyhet tabuja e Kuranit". Ǒnënkuptoni me këtë?

Po, ky është titulli i kapitullit të parë të librit tim. Lidhet me një citat nga vepra e Fridrih Niçes, që e vura si moto në fillim të librit, ku ai na thërret që të mendojmë përmes "goditjeve të çekanit", përkatësisht që të thyejmë idolët. Dhe Kurani bëhet idol i paprekshëm, kur e shikojmë si vetë fjalën e Zotit denbabaden dhe gjithnjë të pandryshuar dhe të pandryshueshme. Është interesant se edhe myslimanët librin e tyre të shenjtë e kanë bërë idol, libër ky që përndryshe është i pamëshirshëm ndaj idolëve. Parakushti i çdo shërimi është përshtatja e hulumtimit kritik të librit të shenjtë, duke mos respektuar asnjë tabu. Dhe që t‘i përshtatemi shqyrtimit historik dhe filologjik të Kuranit, duhet të rishikohet vetë statusi i tij. Për këtë arsye është i çmuar dhe i pazëvendësueshëm kthimi në tezën e mutazelitëve, teologëve racionalistë të shekullit IX. Ata e përkrahnin tezën për "Kuranin e krijuar" përkundër literalistëve që predikonin tezën e "Kuranit të pakrijuar". "Kurani i krijuar" nuk është asgjë tjetër, por besimi në fjalën e frymëzuar nga Zoti, e cila është përkthyer në gjuhën dhe të folmen njerëzore. Ky ndërmjetësim njerëzor nënkupton dhe tërheq pas vete nevojën e domosdoshme që teksti të vendoset në kontekstin e shpalljes së tij, që të kthehet në kohën e shpalljes e cila është antropologjikisht e tejkaluar. Dhe kjo relativizon kuptimin e tij. Ajo çka ndodhi me Biblën, duke filluar nga fundi i shekullit XVII, tani po ndodh me Kuranin. Në këtë marrin pjesë shumë shkencëtarë që studiojnë islamin, ndër ta edhe ata me prejardhje islame. Roli ynë është që rezultatet e këtyre hulumtimeve t‘i përcjellim te sa më shumë njerëz. Deri në fund të shekullit X kanë qenë në qarkullim disa versione të ndryshme të Kuranit. Nga shekulli XI ka ngadhënjyer dëshira për unifikimin e tekstit.

Qasja juaj e "shërimit" konsiston në interpretimin dhe egzegezën e tekstit të Kuranit. A është kjo qasje e mjaftueshme dhe efikase nëse duam që, për shembull, të "neutralizojmë" nocionin e shtrembëruar të xhihadit?

Neutralizimi i këtij nocioni është i mundshëm me kusht që ajetet luftënxitëse, siç janë ajeti për shpatën (IX,5) ose ajeti për luftën (IX,29) t‘i kthejmë në kontekstin historik, në të cilin janë shprehur. Ajeti i parë thërret që të shfarosen paganët, i dyti në luftë kundër çifutëve dhe krishterëve, të cilëve u sigurohet mbrojtja pasi të nënshtrohen. Këto ajete mund të kuptohen si të domosdoshme për fillimet e islamit, që religjioni i ri në shekullin VII të fitojë identitetin e veçantë në hapësirën e Gadishullit të Arabisë. Por nëse sot do të vazhdojmë t‘i lexojmë këto ajete fjalë për fjalë, do të ndeshemi me parimin që rregullon raportet mes shteteve, dhe ky është parimi i paqes. Ǒdo të bëhet me paganët e Indisë ose të Kinës? Ǒdo të bëhet me Evropën dhe Amerikën judeo-krishtere? M‘u për këto arsye, islami zyrtar, islami në shtetet ku ky religjion është referencë kushtetuese, duhet të shpallë se kuptimi i këtyre ajeteve është i tejkaluar. Myslimanët duhet të lejojnë që një pjesë e Kuranit të jetë i pavlefshëm, sepse nuk i përgjigjet frymës së kohës sonë. Dhe ju keni të drejtë kur konstatoni se edhe vetë nocioni i xhihadit është shtrembëruar në kohën tonë. Në librin tim unë kam treguar se ky nocion kishte efektshmëri historike në kohën që ishte në harmoni me energjinë shtesë që mundësoi pushtimet e shpejta të myslimanëve të parë. Sot kjo energji mungon. Pos kësaj, luftimi në emër të Zotit ka qenë në kohërat e mëhershme faktori që lëvizte historinë. E kanë përdorur edhe vetë të krishterët. Teksti i madh themelues i letërsisë franceze, "Kënga e Rolandit", funksionon duke u mbështetur në këtë ide. Arkipeshkvi i Reimsit, Turpi, mban fjalimin që i ngjan një lloji të xhihadit. Dhe në të njëjtin tekst thotë se francezët, kur e kishin pushtuar Saragozën, i kishin pastruar të gjitha sinagogat dhe xhamitë, duke i detyruar jokrishterët që të konvertonin në krishterizëm ose i likuidonin. Ky tekst i shkruar nga fundi i shekullit XI, ishte i përshkuar me frymën e luftërave të kryqëzatave. Që t‘i përshtatet parimit të paqes, që drejton politikën ndërkombëtare (përkundër konflikteve të shumta që mbesin në nivelet rajonale dhe janë të "intensitetit të ultë"), edhe islami tani duhet të heqë dorë nga kuptimi i drejtpërdrejtë dhe të shpallë definitivisht të pavlefshëm çdo thirrje në xhihad, në mënyrë që t‘u përshtatet vlerave që nënkuptojnë lirinë e ndërgjegjes dhe të besimit.

Ju shkruani se pjesë të sheriatit janë në kundërshtim me Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, për shembull, dënimi me vdekje për ndërrimin e fesë. Si mund të dilet nga kjo papajtueshmëri?

Nuk ekziston asnjë urdhër kuranor që ai që lëshon fenë duhet të dënohet me vdekje. Për të arsyetuar këtë dënim, alimët, ose njohësit e Ligjit, thirren në një gojëdhënë paralajmëruese të besimit. Por, këto janë burime të dorës së dytë për legjitimimin. E drejta islame di edhe për përdorimin e mendimit personal në marrjen e gjykimeve dhe aprovimin e rregulloreve, dhe kjo praktikë ka krijuar një korpus goxha të madh për ndasi dhe mospajtime. Në këtë shumësi të mendimeve tani duhet të thirremi që të shfuqizohet kjo jurisprudencë, që e mbanë iluzionin e fuqisë ligjore për atë që nuk ekziston në tekstin kuranor, siç është rasti me lëshimin e fesë ose ligjin e hakmarrjes. Mbi të gjitha, një libër i famshëm i orientalistit Joseph Schacht ka treguar se e drejta islamike është, në mënyrë të çuditshme, e prejardhjes jokuranore. Ligjvënësi i sotëm duhet të gjejë frymëzim në mundësitë që zbulojnë këto realitete islamike që të thellojë mospajtimet ndër ulematë. Çdo herë që ka kontradiktë të dukshme ndërmjet sheriatit dhe njeriut, përparësi duhet t‘u jepet të drejtave të njeriut. Në çdo rast është e rëndësishme që të konstatohet kjo papërputhshmëri dhe të denoncohen të gjitha kompromiset që nuk mund t‘i përkrahë ose arsyetojë asnjë marifet juridik. Edhe këtu është roli ynë që të nxisim islamin zyrtar, islamin e shteteve, që të pranon dhe merr përgjegjësinë e vet, nëse dëshiron që të jetë partner i njohur në bashkëpunimin ndërshtetëror. Një lloj i qyqarllëkut i shtyn evropianët dhe perëndimorët të mos insistojnë në këtë kërkesë. Në këtë fushë presioni i shteteve evropiane dhe perëndimore është i domosdoshëm.

Islamizmi është, sipas mendimit tuaj, fashizëm, të cilit islami mund t‘i rezistojë dhe ta mposhtë. Mos është, megjithatë, vonë për këtë?

Unë çdo herë përsëris që gjatë tërë historisë parimi i vdekjes nuk ka ngadhënjyer mbi parimin e jetës. Rajhu mijëvjeçar, të cilin e thërrisnin nazistët, nuk ka zgjatur më shumë se 13 vjet. Të themi se islamizmi triumfon nga viti 1979. Kjo mund të duket periudhë e gjatë, aq më parë që nuk ka shenja se është duke u shterur. Por kjo kohëzgjatje relative shpjegohet me faktin se fashizmi është duke iu përshtatur një realiteti antropologjik oriental që nuk di të marshojë me hapin ushtarak, dhe që edhe më tej improvizon dhe bredh. Një rend militarist që i është imponuar një shoqërie të tërë, domosdo konfrontohet me atë realitet. Ju dini se ai vit 1979 i përgjigjet marrjes së pushteti nga ana e Homeinit në Iran. Ky vend do të mund të lirohet nga fashizmi dhe totalitarizmi që ia imponon ideologjia islamiste, sepse në segmentet e tjera të kësaj shoqërie është i ruajtur moderniteti i qartë përmes veprave të artistëve, kineastëve, fotografëve, skulptorëve, poetëve, mendimtarëve, burra e gra. Ka shumë Kiarostama, Panahia dhe Satrapia. Veprat e tyre mbajnë në shoqërinë qytetare një modernitet që është i afërt me Perëndimin, dhe është më i rrënjosur në atë pjesë të botës. Mbi të gjitha, çdo iranian, madje edhe mulla më ortodoks, e ruan lidhjen e brendshme me Persinë paraislamike.

Pse aq shumë theksoni në islam rolin e gruas dhe të "të huajit" jomysliman, të atij "të pafe"?

Kriteri i dyfishtë i një shoqërie të hapur, e liruar nga anokronizmat e saj, konstituon pozitën e gruas dhe raportin ndaj të huajit, përkatësisht pakicave. Frika që shkaktojnë gruaja dhe i huaji është shenjë e bashkësisë-kope, të mbyllur në vete, e mbërthyer në endogami dhe ksenofobi, që gratë i mbanë në izolim. Kurse unë i dua shoqëritë e hapura, që jetojnë në hapësirën që e përcakton horizonti kozmopolit. E dua mbretërinë e të papastrës, të përzierës, qarkullimin e qenieve njerëzore dhe shenjave që krijohen në atë horizont të tillë. Kam dashur pra të rikujtoj se disa figura të islamit kanë jetuar dhe menduar filokseninë dhe filogjininë, dashurinë ndaj të huajit dhe dashurisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›