E Diel, 1 Nëntor 2026

TE RIVRASESH TE RENET NE GERDEC

Nëse një tragjedi si ajo e Gërdecit do të kish ndodhur në periudhën e diktaturës, pushteti komunist do t‘i kish shpallur viktimat dëshmorë apo dhe heronj të punës. Do ta kish bërë për propagandë dhe demagogji populiste duke shfrytëzuar, siç rëndom bënte, një të vërtetë tragjike, humbjen e jetës së 26 qytetarëve të pafajshëm. Jo vetëm punëtoret dhe punëtorët e çmontimit, por edhe të tjerët që teksa rrinin në shtëpi ju erdhi vdekja nga se pandehin, janë dëshmorë; edhe fëmija që vdiq pranë lodrës është një dëshmor. Sepse humbën jetën jo nga ndonjë katastrofë natyrore, jo nga ndonjë cunam apo tërmet, por nga shpërthimi i një aktiviteti shtetëror që presupozohej se po zhvillohej për të mirën e atdheut. Humbën jetën duke zbërthyer predha që "Atdheu" të bëhej më i pasur. S‘ka rëndësi se si do të dalë në të vërtetë më vonë. Atdheu jua ka borxh të gjithë të rënëve të Gërdecit nderimin më të lartë, sepse ata u shuan në emër të pushtetit që po qeveris sot atdheun. Por jo vetëm për këtë. Edhe për faktin se shumë nga ata humbën jetën duke punuar për jetën, për kafshatën që e ushqen atë. Ata dhanë jetën, duke u përleshur me varfërinë. Një luftë që sot e bëjnë me qindra mijëra shqiptarë, por që shpërthimi vrastar e shndërroi në Gërdec në një tragjedi sublime. Prandaj ata janë dëshmorë, ndonëse pushteti, dinakërisht, parapëlqen t‘i cilësojnë si "viktima" të një aksidenti.

***

Qeveria, shumica e saj në Kuvend, nuk u kujtua t‘i shpallë dëshmorë të rënët në Gërdec. Ajo u mjaftua që t‘i varrosë. Ndërkaq, jeta e dhënë, gjaku i përzhitur nga baruti dhe flakët, nuk kanë mjaftuar t‘i çlirojnë familjet e të rënëve nga thonjtë e varfërisë. Prandaj e keqja nuk mbaron me kaq. Atdheu jua ka borxh të rënëve në Gërdec jo vetëm nderimin, por edhe të drejtën.

I pa mbështetur nga e drejta, nderimi është tallje me të rënët. Drejtësia e munguar për Gërdecin është si të rivrasësh të rënët e tragjedisë, por njëherazi edhe një kërcënim për të gjallët që ata lanë pas, për të gjithë ne, një kërcënim për jetën.

Por drejtësinë për Gërdecin nuk mund ta presim nga qeveria dhe Kryeministri i saj. Drejtësia duhet të vijë nga pushteti i drejtësisë. Qeveria dhe Kryeministri duhet të bënin gjithçka, duke ndihmuar që drejtësia të vihej në vend. Mjerisht po bëjnë të kundërtën. Po bëjnë gjithçka kanë në dorë që "Gërdeci" të mos hetohet dhe të mos gjykohet. Përse? Ngaqë e vërteta e tragjedisë duket se implikon rëndë djalin e Kryeministrit, Kryeministrin vetë dhe shumë bashkëpunëtorë të tij që, siç ka pohuar vetë Berisha, janë edhe miq të djalit të tij në qeveri.

Kur pak pas tragjedisë së Gërdecit, biznesmeni Kosta Trebicka bëri publike një bisedë telefonike, në të cilën Kryeministri dhe djali i tij përfliteshin si të implikuar mafiozësh në biznesin e fishekëve dhe municioneve, Berisha u mjaftua ta denoncojë publikimin si një bisedë telefonike mafiozësh që nuk ja vlen t‘i referohesh. Por koha dhe dokumentet po mbështesin atë që është thënë në atë bisedë telefonike. Filli i fshehtë i komprometimit të klanit dhe familjes kryeministrore nisi të zhdrivillohej kur u mësua se njëri nga mbikëqyrësit e aktivitetit në Gërdec kish qenë dhe baxhanaku i Kryeministrit. Rastësi? Më vonë doli se kompania SAC, që demontonte municionet në Gërdec, dhe për të cilin Fatmir Mediu kërkoi prokurim të drejtpërdrejtë, duke bërë me "ishallah" që të mos largohej, përfaqësohej nga një shok i djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berishës. Rastësi? Më vonë në media u botuan tabulatet telefonike të Shkëlzen Berishës, që tregonin kontaktet e tij të shumta (dhe për më tepër gjatë kohës kur projektohej dhe ndërtohej aktiviteti që solli tragjedinë), me ministrin Fatmir Mediu, që ishte arkitekti i punishtes së vdekjes dhe me ndërtuesin e saj, biznesmenin Delijorgji. Përsëri rastësi? U botuan edhe dokumente që flasin për vizitat e shpeshta të djalit të Berishës në zyrën e ministrit Mediu.

Rastësi edhe kjo? Natyrisht që nuk është e tillë. Duket se Shkëlzenin dhe Fatmirin i lidhte një punë, një biznes, një projekt, ose më në fund (pas shpërthimit) edhe një hall. Dhe ky ka qenë "Gërdeci"? Ndryshe ç‘punë ka djali i Kryeministrit që hyn e del si në shtëpinë e tij në zyrën e një ministri? Berisha, si një baba i mirë, por edhe Kryeministër i keq, që duket se i ka harruar stërbetimet për të luftuar konfliktin e interesit, e justifikon të birin duke shpjeguar se si militant i flaktë i PD-së, Shkëlzeni ka miq shumë nga ministrat e saj. Jemi të bindur se qindra militantë shumë më të flaktë se Shkëlzeni nuk kanë pasur privilegjin e tij në takime me Mediun, por le të themi, për një moment, se justifikimet e Berishës qëndrojnë. Por e keqja është se Shkëlzeni ka pasur kontakte jo vetëm me një ministër dhe "shok armësh" si Mediu, por edhe me Delijorgjin, me një biznesmen që Berisha, dikur në opozitë, e kish cilësuar si kontrabandist. Si shpjegohet kjo lidhje që nuk ka të bëje fare me militantizmin e Shkëlzenit?

Mos vallë është përsëri rastësi që i biri i Kryeministrit kontakton thuajse në sinkroni dyshen e biznesit të municioneve Mediu-Delijorgji? Së fundmi, në një prononcim për mediat në "Ora News", Berisha "harroi" të komentonte tabulatet e telefonatave të djalit të tij me Mediun dhe Delijorgjin, madje ditën e tragjedisë. Denoncojnë jo vetëm dokumente që kanë dalë, por edhe të tjerë që nuk kanë dalë, madje mund të jenë zhdukur. Denoncon për shembull fakti i zhdukjes së kasetave që kanë regjistruar hyrjet e daljet e njerëzve në ministri.

Por klani i ish-ministrit të Mbrojtjes e njeh mirë mjeshtërinë e zhdukjes së kasetave që kur i rrëmbeu operatorit të punësuar nga "New York Times" kasetat e një interviste, me shumë gjasa, komprometuese për të. Ndoshta nesër mund të publikohet edhe përmbajta e tabulateve të Shkëlzenit me Mediun dhe Delijorgjin, por edhe sot mund të shihet qartë se hallkat në zinxhirin e "rastësive" që e lidhin djalin e Kryeministrit (pra edhe vetë Kryeministrin) me aferën e Gërdecit, janë aq të shumta, sa i bën të mos jenë të rastit.

***

Përballë provave që denoncojnë një të vërtetë të hidhur për të, Berisha ka zgjedhur të luajë rolin e atij që e akuzojnë pa të drejtë. Madje edhe ish-ministrit Mediu i ka thënë të sillet sikur nuk ka asnjë faj për Gërdecin, madje, sikur ai vetë, ministri përgjegjës për tragjedinë, duhet të shitet sikur është kryeviktima e Gërdecit! Prandaj edhe e ka shpallur kryealeat në koalicion, prandaj duket se e ka instruktuar të fushatojë fort, të sillet sikur "s‘ka ndodhur gjë" dhe të bëjë bilancin pozitiv të qeverisjes, natyrisht, pa përmendur Gërdecin.

Aleanca e Berishës me Mediun në këtë fushatë shfaqet si versioni politik i asaj lidhjeje të fshehtë mafioze që i bashkon ata, edhe birin e Kryeministrit, në tragjedinë e Gërdecit. Është një aleancë cinike që denoncon bashkëfajësi dhe duke qenë edhe e hapur, denoncon edhe paturpësinë e tyre. Ndërkaq, dalja e Mediut në fushatë për të kërkuar një tjetër mandat qeverisës është kulmi i cinizmit politik, është në thelb një poshtërim i të rënëve në Gërdec. Vendi i Mediut nuk është në podium, por në sallën e gjyqit.

Dhe pikërisht se drejtësia nuk ka dhënë dot verdiktin për fajësinë apo pafajësinë e Mediut, ai nuk duhej të dilte në fushatë.

Ligji vërtet të prezumon të pafajshëm, por morali duhet të frenojë jo vetëm marrjen e detyrave publike, por edhe përfaqësimin në publik sa kohë që pafajësia është e prezumuar, por jo e vërtetuar. Kjo që ndodh sot është në dëm edhe të publikut, edhe të partisë që Mediu përfaqëson. Përse? Sepse nesër drejtësia mund ta nxjerrë fajtor atë që akuzohet. Por Berisha nuk ka kohë.

Ai duhet të mbrohet nga drejtësia. Ndaj i ka thënë Mediut të luftojë për pushtet të ri, edhe pse sapo është dorëhequr nga pushteti i vjetër; të fushatojë për pushtet, që ta përdorë si mburojë kundër drejtësisë. Ashtu si planëzon edhe Berisha vetë. Ata janë sot në konflikt të hapur me drejtësinë, ndaj do të luftojnë me thonj e me dhëmbë për të qëndruar në pushtet, në mënyrë që të varrosin drejtësinë. Prandaj dhe barometri i politikës parashikon furtunë në qershor. Prandaj dhe varrosja e drejtësisë do ishte një rivrasje e të rënëve në Gërdec.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›