TEL AVIV – Ministri i Jashtëm Saar: Irlanda ka kaluar çdo vijë të kuqe në marrëdhëniet me Izraelin

GAZË, 16 dhjetor /ATSH/- Izraeli tha dje në mbrëmje se do të mbyllë ambasadën e tij në Irlandë – pasi marrëdhëniet u përkeqësuan për shkak të luftës në Gazë – dhe zyrtarët mjekësorë palestinezë thanë se sulmet e fundit ajrore izraelite kishin shkaktuar vdekjen e mbi 46 personave, përfshirë të disa fëmijëve, sipas AP.
Vendimi për mbylljen e ambasadës erdhi si një përgjigje ndaj asaj që ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar e përshkroi si “politikat ekstreme anti-izraelite të Irlandës”.
Në maj, Izraeli tërhoqi ambasadorin e tij në Dublin pasi Irlanda njoftoi, së bashku me Norvegjinë, Spanjën dhe Slloveninë, se do të njihnin shtetin palestinez.
Javën e kaluar, kabineti irlandez vendosi të ndërhynte zyrtarisht në çështjen e Afrikës së Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila akuzon Tel Avivin për kryerjen e gjenocidit në Gazë. Izraeli i ka hedhur poshtë këto akuza.
“Ne jemi të shqetësuar se një interpretim i asaj që përbën gjenocidin – mund të çojë në një kulturë të mosndëshkimit në të cilën mbrojtja e civilëve minimizohet”, tha ministri i Punëve të Jashtme të Irlandës, Micheal Martin.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, duke folur për mbylljen e ambasadës tha se Irlanda kishte kaluar çdo vijë të kuqe në marrëdhëniet e saj me Izraelin.
“Unë e kundërshtoj plotësisht pretendimin se Irlanda është anti-izraelite. Irlanda është pro paqes, pro të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar”, tha ryeministri irlandez, Simon Harris . //a.i/