TEL AVIV – Netanyahu: Izraeli, i përgatitur për çdo skenar lidhur me luftën në Liban dhe Iran

TEL AVIV, 15 prill /ATSH/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij është “i përgatitur për çdo skenar” në lidhje me luftën në Iran dhe Liban, sipas BBC.
Në një videomesazh, Netanyahu tha se Izraeli është në prag të eliminimit të një bastioni të madh të Hezbollahut në Bint Jbeil, në jug të Libanit.
Kryeministri konfirmoi gjithashtu se i ka kërkuar Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) qtë vazhdojnë të sigurojnë zonën e sigurisë në këtë rajon dhe ta zgjerojnë atë drejt lindjes.
Netanyahu shtoi se objektivat e Izraelit në këtë luftë mbeten të përputhura me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Është ende herët për të thënë se si do të përfundojë kjo apo edhe si do të zhvillohet. Duke pasur parasysh mundësinë që luftimet mund të rifillojnë, ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha ai.
Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Effie Defrin, tha se shefi i shtabit të përgjithshëm, Eyal Zamir, ka miratuar planet për luftime të mëtejshme si në Liban ashtu edhe në Iran.
Shefi i shtabit ka shpallur gjithashtu, të gjithë territorin e Libanit jugor deri në vijën e lumit Litani, si një zonë vdekjeje për terroristët e Hezbollahut”, shtoi ai.
Defrin tha se IDF-ja ka vrarë mbi 1700 anëtarë të Hezbollahut në operacionin e saj ushtarak në Liban deri më tani dhe se do të vazhdojë të ndjekë grupin kudo që fshihet. //a.i/