E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEL AVIV – Netanyahu: Kritikat ndaj sulmit izraelit në Katar tregojnë hipokrizi

TEL AVIV, 15 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë sot kritikat ndërkombëtare për sulmin e Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit, në Katar.

“Është e drejta e çdo vendi, sipas ligjit ndërkombëtar të mbrohet përtej kufijve të tij kundër atyre që do të vrisnin qytetarët e tyre”, tha sot Netanyahu gjatë vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Dënimi ndërkombëtar i sulmit tzraelit tregoi cinizëm dhe hipokrizi të jashtëzakonshme”, tha ai.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me Rubio, kryeministri Netanyahu tha se shtetet nuk duhet t’u ofronin një strehë të sigurt terroristëve dhe se askush nuk e kishte dënuar SHBA-në për veprimet e saj kundër al-Qaeda në Afganistan dhe Pakistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Izraeli goditi një zonë banimi në kryeqytetin e Katarit të martën e kaluar, duke synuar udhëheqësit e Hamasit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së e dënoi sulmin në një deklaratë të rrallë të përbashkët, ndërsa ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe thanë se sulmi kishte shkelur sovranitetin e Katarit.

Katari po ndërmjetëson përkrah SHBA-së dhe Egjiptit në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi tha se delegacioni negociues i organizatës i kishte mbijetuar sulmit.

Sipas Netanyahut, ende nuk ka gjetje përfundimtare mbi rezultatin e sulmit në Doha.

Rubio theksoi marrëdhëniet e ngushta të vendit të tij me Katarin, ku SHBA-ja ka bazën më të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme.

“Pavarësisht ngjarjeve, fokusi do të jetë në punën me Katarin për të siguruar lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Izraeli dhe të mbajtura nga Hamasi”, tha Rubio.

“Nuk do të ketë paqe në rajon me Hamasin”, tha ai. /a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›